Verona do të bëhet shtëpia e re e muzeut dhe e qendrës më të madhe për vizitorët e verës në Itali. I vendosur në Veneto, një rajon verilindor i famshëm për prodhimin e disa prej verërave me cilësi më të lartë në vend, Museo del Vino (ose shkurt MuVin) u bë i njohur në konkursin ndërkombëtar të verërave Vinitaly muajin e kaluar.
Organizatori i këtij muzeu, Enrico Corsi, tha se kjo ide i erdhi gjatë një udhëtimi në Edinburg, Skoci, ku vizitoi Scotch Whisky Experience. Ai pyeti veten se pse kjo përvojë, e cila i shoqëron vizitorët përmes historisë së uiskit dhe e kombinon secilin lloj të tij me ushqimin skocez, nuk po ofrohej me verërat në Itali.
Corsi po planifikon ta plotësojë këtë mungesë nëpërmjet projektit MuVin, i cili synon të jetë një one-stop shop për ҫdo gjë që lidhet me verërat. Ky kompleks, me një sipërfaqe mbi 20,000 metra katrorë, do të ofrojë aktivitete edukative dhe për degustimin e verërave, si dhe një “rrugë të përvojës” mbi 5,700 metra katrorë, e cila do t’u tregojë vizitorëve për historinë e verës, për kulturat e ndryshme që lidhen me verën, për metodat e prodhimit të saj dhe për mënyrën se si ta kombinoni atë me ushqimin.
Vizitorët do të nxiten që të shijojnë tregjet e verës dhe të ushqimeve, si dhe bodrumet e verës dhe qendrat e konferencave që do të ndërtohen brenda këtij kompleksi.
Nëse adhuruesit e verës nga e gjithë bota nuk mund të arrijnë ta shijojnë fizikisht këtë spektakël, MuVin do të ofrojë gjithashtu vizita virtuale në këtë kompleks, ku individët mund të informohen mbi teknikat e duhura për shijimin të verës, si dhe të bëjnë një vizitë (virtuale) në kantinat e verës italiane të këtij rajoni.
Projekti MuVin do të vendoset në Galerinë Mercatali të Veronës, e cila është e famshme gjatë gjithë vitit për shkak të ekspozitave dhe të shfaqjeve të njohura. Muzeu me shumë mundësi do të vizitohet nga një përqindje e madhe e katër milionë turistëve që vizitojnë Veronën çdo vit, si dhe nga një numër i konsiderueshëm i 32 milionë turistëve që vizitojnë çdo vit liqenin Garda aty pranë.
Projekti ka marrë mbështetjen zyrtare të Massimo Garavaglia, ministrit italian të Turizmit, Roberta Garibaldi, përfaqësueses së agjencisë kombëtare të turizmit të Italisë, si dhe të drejtorit të ekonomisë së biznesit në Universitetin e Veronës, profesor Diego Begalli. MuVin është planifikuar të përfundojë në dimrin e vitit 2026, kur Italia do të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore. / Vinepair