Intervistë me Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank
Viti 2021 zhvilloi më tej strategjinë afatmesme të Credins Bank, për t’u rritur në segmentin retail.
Drejtori i Përgjithshëm, Maltin Korkuti, thotë për “Monitor” se gjatë vitit të kaluar, banka iu përgjigj kërkesës së shtuar për kredi, me fokus të veçantë te segmenti i shitjeve me pakicë.
Vitin e kaluar, Credins vijoi me zgjerimin e aktivitetit edhe në Kosovë, ku tashmë vepron me pesë degë të bankës. Për këtë vit, Credins synon të ofrojë edhe një shërbime të ri për tregun financiar shqiptar, – nënshkrimin e titujve korporativë – ndërsa do të vlerësojë me prioritet kreditimin në sektorët e turizmit, bujqësisë dhe shërbimeve.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj gjatë vitit 2021? Cilat ishin sfidat dhe arritjet kryesore që do të nënvizonit, për sektorin bankar në tërësi dhe bankën tuaj në veçanti?
Banka Credins e mbylli vitin 2021 me një performancë pozitive, në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të aktivitetit bankar, duke ruajtur pozicionin kryesor si banka numër një sot në treg, për sa i takon portofolit të kredisë dhe e dyta, në total asetesh dhe depozitash.
Baza e klientëve vazhdoi të zgjerohet më tej, në sajë të një shërbimi të shkëlqyer ofruar nga 997 punonjës në secilën prej 57 degëve të bankës dhe sot numërojmë mbi 350,000 klientë që na kanë besuar.
Mbështetja dhe partneriteti i vazhdueshëm me bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe me bizneset Agro, ishte në fokus të strategjisë së biznesit, duke akomoduar nevojat e tyre dhe duke krijuar produkte dhe shërbime sa më fleksibël.
Si rezultat, vihet re një rritje mbi 8% e portofolit të kredisë, edhe pse viti që lamë pas përkoi me sfidën e pandemisë. Vaksinimi i popullsisë, rihapja e bizneseve, lehtësimi i masave kufizuese dhe mbështetja që qeveria u dha bizneseve nëpërmjet skemave lehtësuese financiare, ndihmuan në rigjallërimin e klimës së biznesit dhe në rritje të kërkesave për kredi.
Zhvillimi i vrullshëm i sektorit të ndërtimit, si dhe mbajtja në nivele pozitive e sektorit të turizmit dhe shërbimeve, gjithashtu shënuan rritje të kreditimit, si për individë dhe për biznese në sektorin bankar, ku Banka Credins vazhdon të jetë një nga aktorët kryesorë.
Rritja e portofolit të kredisë dhe kryesisht financimet në Lek janë në linjë dhe me rritjen e kredisë në sistemin bankar, ndikuar nga investimet si në segmentin biznes, ashtu dhe tek individët, si dhe u sigurua një shpërndarje portofoli në favor të monedhës vendase (61%) përkundrejt valutës (39%) për të mbrojtur klientët ndaj rreziqeve të kurseve të këmbimit.
Në kuadër të strategjisë afatmesme, fokusi ynë ishte rritja dhe akomodimi i mëtejshëm në segmentin retail, duke e vlerësuar me shumë potencial për hapësirat që ka. Objektivi ynë është të jemi “one stop shop” për çdo individ, duke ofruar zgjedhje të shumëllojshme për çdo shërbim bankar. Duam të jemi zgjedhja numër një e çdo shqiptari, bazuar në ndërtimin e një marrëdhënie të konsoliduar dhe profesionale.
Njëkohësisht, ky vit është shoqëruar me një ulje të ndjeshme të nivelit të kredive me probleme në Bankën Credins, në linjë dhe me sistemin bankar, ardhur si rezultat i faktorëve të ndryshëm, por dhe lidhur me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, përmirësim dhe ndryshim i kuadrit rregullativ, kredidhënie më e kujdesshme etj.
Transformimi i mënyrës tradicionale të kryerjes së shërbimeve bankare nga klientët, drejt kanaleve dixhitale, ishte në prioritetet e strategjisë së marketingut, duke nxjerrë në pah fokusin tonë drejt inovacionit dhe adaptimin me zhvillimet e vazhdueshme në sjelljen konsumatore, si rezultat i zhvillimeve teknologjike.
Objektivi ynë mbetet edukimi i klientëve për të kryer vetë 24/7 shërbimet bankare, si në aplikacionin Credins Online, ashtu dhe mundësia e pakufizuar krijuar çdo klienti për të aplikuar online nga çdo kanal dixhital dhe nga çdo pajisje ku janë prezent, duke ofruar alternativa të shpejta për aksesim të bankës.
Zhvillimet e vazhdueshme në aplikacion me funksionalitete të reja, optimizimi i mëtejshëm i proceseve të brendshme operacionale, ndjekja korrekte e çdo aplikimi online, shoqëruar dhe me oferta atraktive përkundrejt degës, dhanë rezultate mjaft të kënaqshme, si në drejtim të numrit të klientëve të rinj, ashtu dhe volumit rritës të transaksioneve nga kanalet dixhitale.
Strategjia dixhitale është shoqëruar me investime të vazhdueshme teknologjike, por pa lënë pas dhe modernizimin e degëve për një shërbim komod ndaj çdo klienti që hyn në degë.
Dhe pse në një vit të vështirë, Credins Bank ka vazhduar me përzgjedhjen e të rinjve të talentuar në shkollën “You Are Credins”, trajnime të vazhdueshme dhe cilësore të stafeve të bankës, si dhe ka investuar në krijimin e një ambienti pune frymëzues, promovues dhe zhvillues për çdo punonjës.
Fokusi ka qenë gjithashtu dhe në aktivitete jo-tipike bankare, duke sjellë risi, ku përtej konsolidimit të mëtejshëm të aktivitetit të ndërmjetësimit në sigurime, lançuam me sukses aktivitetin e ri të Depozitarit për fondet e investimit dhe së shpejti do të sjellim një aktivitet të ri financiar, atë të nënshkrimit të titujve korporativë. Ky shërbim do të ofrohet për herë të parë në Shqipëri dhe do t’u krijojë mundësinë korporatave shqiptare të eksplorojnë mënyra të reja financimi.
Një arritje tjetër e suksesshme gjatë vitit 2021 është zgjerimi dhe konsolidimi i Bankës Credins Kosovë, duke sjellë avantazhe konkurruese për klientët, përzgjedhja e stafeve vendase dhe trajnimi i tyre, si dhe krijimi i një skuadre me drejtues dhe profesionistë, të cilët po ndërtojnë themele të forta për rritjen e mëtejshme. Sot në Kosovë jemi të pranishëm me 5 degë të reja dhe me një strategji të mëtejshme zgjerimi në qytete të tjera gjatë 2022.
Banka Credins, e konsoliduar prej 19 vitesh në tregun bankar shqiptar, ka vazhduar me përkushtim maksimal mbështetjen në drejtim të 17 objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. Shumë nisma të reja dhe mjaft të bukura janë ndërmarrë në luftën ndaj varfërisë, mbrojtjen e mjedisit apo mbështetjen e inovacionit.
Banka Credins është korporata e parë në vend që u anëtarësua me të drejta të plota në UN Global Compact, duke ndjekur standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në drejtim të objektivave globale, si dhe sollëm të parën platformë crowdfunding në Shqipëri “Smile”, për realizimin e projekteve me karakter social për fuqizimin e shoqërisë.
Ekonomia botërore po përballet me rreziqe të reja, të lidhura me inflacionin e lartë dhe luftën në Europën Lindore. Çfarë pasojash mund të kenë këto zhvillime në ekonominë shqiptare dhe në sektorin financiar në Shqipëri?
2022 do jetë një vit tjetër sfidues dhe jo i lehtë, veçanërisht për ekonominë shqiptare, ardhur pas dy krizave të mëdha si tërmeti dhe pandemia. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, shoqëruar me sanksione ndaj Rusisë, ka luhatur tregjet dhe ekonomitë botërore, duke ndikuar në rritje të inflacionit përtej parashikimeve.
Ky realitet i paparashikueshëm mund të zbutet dhe të mbahet nën kontroll me masa të vazhdueshme dhe stimuj fiskalë dhe monetarë, gjithmonë nëse situata nuk përshkallëzohet më tej. Gjithsesi, pritshmëritë aktuale vazhdojnë të jenë për ta mbajtur ekonominë në nivele pozitive rritjeje.
Përshkallëzimi i konfliktit, mund të përkeqësojë situatën ekonomike në vend, shoqëruar me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë, po dhe të produkteve kryesore si energjia, nafta, gruri etj.
Kriza e luftës mund të ndikojë indirekt dhe sektorë të tjerë si turizmin, i cili ka një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Varësia e ekonomisë ndaj produkteve të eksportit, shoqëruar dhe me një fuqi monetare të ulët, mund të sjellë ndikim negativ më të madh dhe të ndjeshëm për shoqërinë dhe ekonominë tonë të vogël.
Ne si bankë, jemi duke vlerësuar këtë realitet të ri, bazuar në ecurinë që do të marrë konflikti dhe pasojat e pritshme dhe sigurisht, do të vlerësojmë marrjen e masave për t’ju përshtatur sfidave, por duke qëndruar vazhdimisht në partneritet me çdo klient si individ, apo biznes përkrah nevojave që do të kenë.
Besoj se sektori bankar është i përgatitur për të përballuar dhe këtë sfidë të radhës, dhe pse të pandeshura prej shumë vitesh, por me besimin që faktorët ndërkombëtarë do të ndërhyjnë dhe do të mbështesin një alternativë zgjidhjeje sa më të shpejtë për të shmangur çdo përkeqësim të mundshëm global.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit gjatë vitit 2022?
Përtej sfidave të mëdha, me të cilat vazhdojmë të ndeshemi, Banka Credins është duke punuar në linjë me strategjinë e biznesit, e prezantuar për vitin 2022 por dhe duke ndjekur dhe duke vlerësuar me kujdes çdo faktor që mund të ndikojë në performancën aktuale dhe të pritshme.
Fokusi do të jetë mbështetja e pandërprerë e klientëve, në rast të një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës, që mund të vijë nga rritja e çmimeve, për të mbështetur nevojat për lëndë të parë, si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm për të ofruar zgjidhjet më të mira për këdo që do kërkojë partneritet me Bankën Credins.
Do të vazhdojmë kreditimin e klientëve në sektorë që kanë pritshmëri pozitive, duke aplikuar skema lehtësuese, si në drejtim të optimizimit të mëtejshëm të proceseve të brendshme, por dhe drejt ofrimit të zgjidhjeve dixhitale. Sektori i turizmit, bujqësia dhe shërbimet do të jenë prioritet.
Banka Credins do të vazhdojë të jetë pjesë mbështetëse si gjithmonë e politikave dhe skemave nxitëse që qeveria do të vlerësojë për të aplikuar në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, e cila mund të sjellë vështirësi në likuiditete, apo dhe në aftësinë paguese të bizneseve dhe individëve.
Gjithsesi, jemi optimistë për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt një procesi të mëtejshëm të dixhitalizimit, edukimit të klientëve drejt përdorimit të kanaleve dixhitale, adresimin e vëmendjes sonë te të rinjtë si potencial i pashfrytëzuar, automatizimin e mëtejshëm të proceseve të brendshme si rezultat i ndryshimeve ligjore dhe rregullative që janë duke u ndërmarrë, të cilat kërkojnë investime në teknologji, burime njerëzore, riorganizime të brendshme në procese, këndvështrim dhe mënyrë të re të punuari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.
Komente