Investimet në industrinë e qumështit po rriten, ndërsa zinxhiri i prodhimit është i dobët. Investitorët: Do të zëvendësojmë importin
Nga Albana MUçAJ
Ndërsa viti nuk është aq i mbarë sa duhet për prodhimin e qumështit, kjo nuk i ka penguar investimet në industrinë e përpunimit. Kohët e fundit, fabrikave të prodhimit të qumështit u është shtuar edhe një linjë përpunimi me kapacitet 6 mijë litra/orë. As rrjeti i dobët i furnizimit të qumështit në vend, nuk ka prekur optimizmin e investitorëve të “Primalat”, të cilët do të ndiqen nga investitorë të tjerë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) ka rreth 360 sipërmarrje të përpunimit të qumështit në vend. Stabilimentet më të mëdha, të cilat arrijnë të dalin në treg me emrat e tyre i kalojnë 30. Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se, “kapacitetet e përpunimit (rreth 25 mijë litra/orë në total) janë shumë më të larta se sasia e prodhimit të qumështit në vend, me të cilin ata pretendojnë të punojnë”. Ndërsa të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se prodhimi vjetor total është rreth 11 milionë hektolitra, ose mbi dhjetë herë më pak se kapaciteti i përpunimit. Ky kapacitet përpunues është disa herë më i lartë edhe se niveli total i konsumit në vend. Megjithatë, sipërmarrësit shohin ende hapësira për sa kohë importi i qumështit vazhdon të mbetet i lartë.
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, importi vjetor i qumështit të përpunuar është rreth 33 mijë hektolitra (vitin e kaluar u rrit 2.5%), duke zënë 24% të tregut të brendshëm.
Pesha e importit ka ardhur në rënie, ndërsa është rritur përpunimi vendas, por prodhuesit tregojnë se ai mbetet i lartë dhe mund të “zëvendësohet” me prodhim shqiptar. Po të shohim me vëmendje, gara është përqendruar te qumështi i paketuar në karton me jetëgjatësi deri në gjashtë muaj. Ky zë pjesën më të madhe të qumështit të importuar dhe për shkak të vlerës së tij të shtuar, po tërheq vëmendjen e investitorëve shqiptarë. Prodhuesi i “Primalat”, Sami Gjergji, tregon se, ka marrë parasysh konkurrencën e produkteve të huaja, por beson në teknologjinë që ka investuar, për të qenë konkurrent.
Edhe Altin çela, drejtor i shitjes pranë kompanisë së përpunimit të qumështit “Ferlat” tregon se, “zhvillimi i ndërmarrjeve brenda vendit do të frenonte importin”.
Qumështi i përpunuar në Shqipëri ishte 100.8 mijë hektolitra vitin që shkoi, rreth 65% më shumë se një vit më parë, dhe rritjen më të madhe e pësoi qumështi i paketuar në karton, me një afat të gjatë ruajtje (rritje prodhimi prej 85%).
Prodhuesit e qumështit UHT në vend
Fast – Rrogozhinë
Primalat – Durrës
Deltadoni/Ajka – Lushnjë
Burimi: Shoqata e Prodhuesve
Gara me Rajonin e Ballkanit dhe Italinë
Tregu rajonal arriti të kishte më shumë akses për tregtimin e qumështit në Shqipëri gjatë vitit që shkoi. Fuqizimi i rrjeteve të shitjes me pakicë ndikoi në rritjen e importeve (9%). Sipas të dhënave të tregtisë, sasia e importit ishte 8.2 mijë tonë, nga 7.54 mijë tonë qumësht të importuar një vit më parë nga tregjet e huaja. Pas rritjes së theksuar të importit në vitin 2007, niveli i tij vazhdon të mbetet i lartë. Sigurisht që gara me importin nuk është e lehtë, për sa kohë që industritë në Itali (vendin kryesor nga ku importojmë) dhe në rajonin e Ballkanit janë shumë të zhvilluara e sigurojnë çmime më konkurruese për shkak të një ekonomie shkalle më të zhvilluar se ne.
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, tregu i importit të qumështit është zgjeruar, veçanërisht ai i importeve nga Rumania e Bullgaria, por peshën më të madhe e zë Italia (50% të importeve). Nga vendet e Ballkanit marrim 37% të qumështit të qumështit të importuar, nga më pak se 20% që merrnim vetëm tre vite më parë.
Të mbështetur edhe nga subvencionet, industritë e përpunimit në Itali e Gjermani e blejnë më lirë qumështin në fermë krahasuar me industritë tona. Ndaj, shumë ekspertë të bujqësisë, nuk arrijnë të shpjegojnë interesin e rritur për të investuar në këtë sektor. Përjashtim do të bënin ato stabilimente që kanë siguruar një rrjet furnizimi nga fermat, vlerësojnë ata.
Në mungesë të një rrjeti të sigurt furnizimi, mundësia sipas ekspertëve është që industritë të punojnë me lëndë të parë të importuar, çka nuk i shërben zhvillimit të prodhimeve blegtorale vendase.
çmimi mesatar i qumështit (të papërpunuar) në vendet nga ku importojmë dhe në Shqipëri
Cent/euro/litër
Itali 34.99
Gjermani 31.40
Hungari 28.08
Slloveni 27.27
Mesatarja e vendeve të BE-së 31.03
çmimi mesatar në Shqipëri 39.2
Burimi:Qendra e informacionit të Prodhimeve Shtazore, BE
Për Shqipërinë, Shoqatat e Fermerëve
A do të jemi konkurrentë…
Fakti që një vend blegtoral si Shqipëria importon qumësht për një pjesë të mirë të tregut, nuk lidhet me industrinë vendase të përpunimit, por zinxhirin e dobët të furnizimit nga ferma në fabrikë. Industritë më të mëdha në vend tregojnë se shfrytëzojnë shumë pak kapacitetet e tyre të përpunimit, pasi kanë vështirësi në sigurimin e lëndës së parë.
Ekspertët e blegtorisë shprehen se sektori i qumështit është në një situatë kaotike e të paorganizuar dhe për më tepër pa kontrolle të mjaftueshme të prodhimit. Sipas tyre, janë të pakta fermat e mëdha, të cilat do të ishin burimi i vetëm i mundshëm i furnizimit. Ata mendojnë “se investimi në industrinë e prodhimit të qumështit UHT është i parakohshëm dhe jo konkurrues, pasi kapacitetet e tyre të përpunimit momentalisht dhe në rastin më të mirë, shfrytëzohen jo më shumë se 20-30%”.
Sipas ekspertëve në fushën e blegtorisë, gjedhi dhe të imtat që rriten në vend me qëllim prodhimin e qumështit nuk janë pak. Aktualisht numërohen rreth 355 mijë lopë. Fondi i nevojshëm për prodhimin e lëndës së parë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në pesë vitet e fundit numri i lopëve është rritur 7.5%. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se fermat e vogla bujqësore janë pasqyruar në ferma po të vogla blegtorale (1.5 krerë gjedh), çka bën që grumbullimi i qumështit të jetë i vështirë, me kosto të lartë dhe me rrezik më të madh dëmtimi të cilësisë (pasi mjafton që vetëm një prej familjeve të ketë shkelur rregullat higjieno-sanitare të mjeljes dhe ruajtjes), për të dëmtuar të gjithë prodhimin e grumbulluar nga fermerët e zonës. Pra, që në hallkën e parë të furnizimit, industria e përpunimit të qumështit haset në vështirësi. Vetë përpunuesit, prej vitesh ankohen për problemin e sigurimit të lëndës së parë në vend. Sipas përfaqësuesit të shitjeve së qumështi “Fast”, është e vështirë të sigurohet një sasi e kënaqshme dhe me çmim të arsyeshëm. Kostoja e tregtimit të qumështit nga fermerët shqiptarë vlerësohet të jetë rreth 5-10% më e shtrenjtë se ajo e një fermeri gjerman.
Ndaj, Sabah Sena, ekspert në fushën e blegtorisë, këshillon që, “investitorët duhet t´i kthejnë sytë te ndërtimi i fermave të mëdha dhe rentabile të prodhimit të qumështit, në mënyrë që investimet e kryera, të mund të bëhen konkurruese në tregun aktual dhe perspektiv të këtij produkti”. Një praktikë të tillë po ndjek prodhuesi i qumështit “Deltadon”, i cili tregon se në periudha të ndryshme (veçanërisht kur çmimet e drithërave ishin në nivelet më të larta), mbajtja e fermës në këmbë ka qenë në rrezik.
Në vend pati një periudhë të mirë për zhvillimin e fermave, kur mbështetjet e nxitura dhe programet e huaja bënë që të krijoheshin 23 ferma me më shumë se 50 krerë (2005). Por, disa prej tyre u shpërndanë shpejt, duke mos u rezistuar çmimeve të larta të lëndëve të para në krizën e çmimeve të 2007-s, në kushtet kur nuk kishin ndonjë mbështetje konkrete. Aktualisht numërohen 17 ferma të kësaj madhësie. Këtë vit gjendja paraqitet edhe më e dobët për prodhimin. Drejtues të disa fermave në zonën e Lushnjës tregojnë se presin ta mbyllin vitin me rreth 5% më pak qumësht të prodhuar krahasuar me një vit më parë. Edhe përpunuesit e qumështit që kanë fermat e tyre tregojnë se interesi i blegtorëve ka rënë.
Shpresa, tregu në rritje
Përveç rritjes natyrore të konsumit (që llogaritet rreth 3% në vit), industria duhet t´i gëzohet prirjes së përmirësimit të cilësisë së konsumit.
Ndjesia e pasigurisë te konsumatorët vendas ka ndryshuar sjelljen e këtyre të fundit dhe pjesa e tregut ambulant. Shoqatat e prodhimit të qumështit vërejnë se “konsumatori po largohet nga qumështi i tregtuar në rrugë”.
Një anketim i bërë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës nxjerr në pah se qumështi i freskët i pasterizuar kryeson në konsum. Rreth 31% e të anketuarve konsumojnë nga ky produkt. Por, rritjen më të madhe po e pëson konsumi i qumështit në karton. Prodhuesit tregojnë se “vitin e kaluar konsumi i qumështit në karton u rrit 6%”.
Edhe importi i këtij qumështi u rrit 2.2% në sasi.
Intervistë-Primalat
Një konkurrent i ri hyn në treg
Flet Sami Gjergji, sipërmarrës i “Primalat”
Pas investimit në prodhimin e vezëve, tashmë jeni orientuar në një produkt tjetër, atë të qumështit. Sa keni investuar, sa është kapaciteti i prodhimit dhe sa po prodhoni realisht?
Një shifër mbi investimin nuk do të jepte asgjë mbi investimin e vërtetë, pasi në “ideologjinë” time personale të të investuarit, rëndësi të veçantë ka investimi në asetet jomateriale (marrja e informacionit, përpunimi i tij, nxjerrja e përfundimeve, analiza e riskut, synimi dhe hapat konkretë për vënien në jetë të strategjisë). Në të bërit biznes, më shumë se çdo gjë tjetër nga ana e sipërmarrësit, kërkohet përvojë dhe nuhatje, ose më saktë kombinimi i të dyjave, duke i dhënë herë përparësi njërës dhe herë tjetrës. Nga ky lloj investimi, kapaciteti i prodhimit përkon me nivelin e njohjes së tregut në dy drejtime kryesore: çfarë kërkon konsumatori dhe ruajtjen e cilësisë së produkteve. Aktualisht, fabrika e përpunimit të qumështit UHT “Primalat” ka një kapacitet prodhimi prej 6 mijë litrash në orë.
Siç thatë dhe ju, për të dalë me këtë produkt, keni bërë edhe një studim tregu. Si ju duket tregu i prodhimit të qumështit në vend (ku ka disa kompani prodhimi). Si mendoni se do të jeni konkurrent. Pra, ku mendoni se do t’i dalloni dhe çfarë do t’i mbështesë shitjet?
Studimi i tregut ka qenë i domosdoshëm, pasi për fat të keq jemi të gjithë dëshmitarë të ngritjes së bizneseve të pastudiuar në Shqipëri, që vihet re shumë lehtë, mjafton të shikosh pikat e karburanteve, hoteleve, farmacive etj., me një distancë jo më të madhe se 50 metra nga njëra-tjetra dhe të pafund në numër. Sigurisht që përgjegjësia nuk është vetëm e bizneseve, por edhe e autoriteteve që lëshojnë licencat përkatëse, si në rangun lokal ashtu edhe qendror, pasi janë prishur të gjitha ekuilibrat dhe standardet në treg. Kompania “Primalat´ nuk ka hyrë në treg për të plotësuar anën sasiore, që për hir të së vërtetës është e tejmbushur, por për të sjellë si veçanti cilësinë e produktit tonë, pasi prodhohet nga ferma të seleksionuara bio për kushtet higjieno-sanitare, duke pasur si synim garancinë e lartë të produktit tonë dhe ruajtjen e vlerave ushqyese, si edhe aromën natyrale të qumështit. Fatkeqësisht, në Shqipëri ende vërehet fenomeni i shitjes së qumështit të pakontrolluar nga fshatarët në rrugë ose në tregje të mjeruar në bidonë plastikë. Me kapacitetin e fabrikës sonë, ne përmbushim më së miri të gjitha nevojat e vendit dhe ato rajonale, pasi të gjitha kapacitetet tona përpunuese janë më se të mjaftueshme. E theksoj se problemi qëndron te pamjaftueshmëria e kapaciteteve prodhuese vendase, të cilat duhen stimuluar nëpërmjet ndihmesës së bankave apo donacioneve qeveritare, pasi prodhimi i qumështit apo edhe i mishit, duhet të bëhet tërësisht në vend dhe të shmanget importi i panevojshëm.
Ky investim ishte një plan i hershëm, apo vendosët së fundi të futeshit në treg? çfarë ju shtyu?
Investimi është një prej ideve të hershme që lidhen me origjinën e profesionit tim, me lidhjen e biznesit me industrinë ushqimore, veçoritë e prodhimit vendas, zhvillimin e zonës dhe burimet e saj, gjithnjë duke i krahasuar me produktet e vendit dhe ato të importit, si dhe kapacitetin e mundshëm me atë ekzistues, duke i dhënë përparësi freskisë së produkteve, si domosdoshmëri për një ushqyeshmëri me cilësi të lartë dhe me dobi për jetën e njerëzve. Natyrisht, nuk kam lënë jashtë konsideratës konkurrencën e produkteve të huaja, por duke pasur parasysh teknologjinë e fundit dhe freskinë e produktit, mendova se një investimi të tillë i kishte ardhur koha. Qëllimi ynë është që t´i japim konsumatorit produkte cilësore siç është qumështi UHT “Primalat”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.