Nën presionin e interesave

23/04/2019 4:23 PM 0 komente

Në fund të vitit 2018, numri i fondeve të investimit në tregun shqiptar shkoi në pesë nga tre që ishin në fund të 2017-s. Pavarësisht këtij zgjerimi dhe rritjes së ofertës për alternativat e investimit, vlera neto e aseteve në këto fonde u tkurr me më shumë se 9% në raport me një vit më parë, duke u stabilizuar në 535 milionë euro. Ekspertët financiarë, por edhe vetë përfaqësuesit e fondeve, pranojnë se efektin kryesor në këtë tkurrje e ka pasur ecuria e interesave, si për euron ashtu edhe për monedhën vendase. Nën presionin e interesave jo-atraktive, një edukimi të vakët financiar të konsumatorit, mungesës së stimujve fiskalë dhe një tregu kapitali ende të paformuar, fondet e investimeve mbeten ende larg potencialit. Gjithsesi, viti 2019 shihet me më shumë optimizëm nga të gjithë palët

 

Nga Nertila Maho

Teksa tregu i fondeve të investimit u zgjerua me dy fonde të reja, vlera neto e aseteve të investuara në këto fonde në vendin tonë, në vitin 2018, u mbyll me rënie. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 66.09 miliardë lekë, me një ulje prej 9.12%, krahasuar me fundin e 2017-s. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 535 milionë euro.

Të kthyer prej disa kohësh në një opsion të mirë investimi, në kushtet kur politika lehtësuese monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ka çuar në nivele modeste interesat e depozitave në lekë në banka, fondet po përjetonin vit pas viti rritje. Por duket se mbyllja e vitit 2018 me një tkurrje është një cikël që, të paktën për ekspertët dhe ata që operojnë në këtë treg, ishte i pritshëm. Presioni i interesave të ulëta nga euro por edhe luhatshmëria e lekut, do të sillnin pikërisht këtë sjellje në treg. Për shumë prej anëtarëve të këtyre fondeve, investimet janë maturuar dhe shihet si një moment për t’i tërhequr ato, duke zhvendosur investimin në një moment të dytë më të favorshëm.

Blodin Çuçi, administrator i Caesar Investment Advisory Services, shprehet se një pjesë e mirë e rënies së vlerës neto të aseteve në fondet e investimit në Shqipëri shpjegohet me ambientin e normave të ulëta, apo negative të interesit në monedhën euro. Gjithsesi, ai thekson se luhatja e vlerës neto të aseteve në fondet e investimit nuk duhet të shihet me shqetësim.

“Vlen të shpjegohet qartë për publikun se performanca e fondeve të investimit ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ecuria e normave të interesit. Në periudhën afatshkurtër, investitorët nuk duhet të shqetësohen nga luhatjet e vlerës neto të aseteve, pasi vetë natyra e investimit në një fond, është afatgjatë”, – nënvizon Çuçi. Sipas tij, të terma praktikë, nëse performanca vjetore historike e fondeve të investimit varionte në intervalin 6-8%, për vitin 2019 performanca e pritshme e fondeve të investimit në monedhë lokale pritet të jetë rreth 3%, pikërisht për arsye të ambientit me norma të ulëta të interesit.

Edhe Edlira Konini nga Raiffeisen Invest shprehet se rënia e vlerës neto të aseteve është ndikuar nga efektet e zhvillimeve në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat u karakterizuan nga tensione gjeopolitike, siç ishin konflikti tregtar midis Kinës dhe SHBA-së apo Brexit në Europë.

“Një fond investimi i ekspozuar në instrumente financiare që tregtohen në bursa të huaja dhe të emetuar nga emetues të huaj, detyrimisht do të ndjekë trendin e atyre tregjeve. Kështu, rënia e performancës, e cila karakterizoi shumicën e fondeve në botë vitin e shkuar, pati efektin e vet negativ edhe tek investitori shqiptar. Ky i fundit rriti nivelin e tërheqjeve nga fondi dhe reduktoi thuajse në minimum investimet, çka rezultoi në hyrje neto negative të cilat zvogëluan vlerën e aseteve nën administrim. Së dyti, tipologjia e investitorit shqiptar. Bëhet fjalë për një kategori investitorësh, të cilët janë më vulnerabël ndaj luhatshmërive në çmimin e kuotës së fondeve dhe për rrjedhim, reagojnë më shpejt në situata tregu të paqëndrueshme”, – vlerëson Konini.

 

 

Si u nda tregu te fondet e investimit, anëtarët dhe vlera neto e aseteve

Gjatë vitit 2018, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre pesë fonde investimi. Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro”, fondi i investimeve “Raiffeisen Vizion”, të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest” dhe fondi “WVP Top Invest”, që administrohet nga shoqëria “WVP Fund Management Tirana sh.a”. Pranë këtyre fondeve investuan 29,420 anëtarë me një ulje prej 6.07% krahasuar me fundin e vitit 2018.

Nga totali, vetëm 12 prej tyre ishin persona juridikë. Lidhur me pjesën e anëtarëve për secilin fond në treg, të dhënat zyrtare tregojnë se Raiffeisen Prestigj kishte 78.35% të investitorëve total të tregut, ndjekur nga Raiffesisen Euro, me 11.91% dhe më pas Raiffeisen Vizion me 7.11%. Credins Premium kishte vetëm 2.46% për t’u ndjekur nga WVP Top Invest që u licencua në mesin e vitit të shkuar nga AMF, me 0.16%. Por si qëndron vlera neto e aseteve për secilin prej fondeve. Raiffeisen Prestigj kishte mbi 47 miliardë lekë, si vlerë asetesh neto në fund të vitit 2018, Raiffeisen Euro 10.3 miliardë lekë, pasuar nga Raiffeisen Vizion me 6.1 miliardë lekë. Credins Premium kishte 1.9 miliardë lekë ndërsa WVP Top Invest 77 milionë lekë.

 

 

Ku u investuan paratë nga fondet e investimit gjatë 2018-s dhe fitimi i realizuar

Tendenca për të investuar në instrumente me risk të ulët ka bërë që pjesa dominuese e investimeve të bëhet te titujt e qeverisë, edhe pse në raport me një vit më parë, kjo pjesë ka pësuar rënie. Në vitin 2018, investimet në obligacionet qeveritare përbënin 61.25% të aseteve të fondeve, me një ulje prej 6.65% krahasuar fundin e vitit 2017. Obligacionet e shoqërive (apo ato që njihen si corporate bonds) zinin 13.12% të totalit të investimeve bërë nga fondet, ndërsa bonot e thesarit përbënin 17.49%. Investimet e tjera zinin 3.94% të totalit, ndërsa një pjesë modeste është investuar në aksione, me vetëm 0.11%.

Pikërisht investimi në aksione duket se është edhe e reja e vitit 2018 në raport me vitin 2017, kur nuk ka pasur një investim të kësaj natyre. Lidhur me fitimin apo humbjen e kompanive rezulton se të paktën Raiffeisen Invest, që përfshin të tre fondet Vizion Prestigj dhe Euro ka rezultuar me një fitim neto për periudhën me 153 milionë lekë, Credins Invest me një fitim 3.6 milionë lekë dhe WVP Fund Management Tirana me një humbje 1.5 milionë lekë, justifikuar nga fakti që ka filluar aktivitetin vetëm në korrik të vitit të shkuar.

 

 

Edukimi financiar ende mban peng zhvillimin e fondeve, por edhe stimujt e munguar

Pothuajse të gjithë aktorët e tregut bien dakord se një nga arsyet pse fondet e investimeve mbeten në nivele modeste në vendin tonë, është edukimi i vakët financiar i konsumatorëve. Për Arton Lenën, administrator i WVP Top Invest, shqiptarët mbeten skeptikë ndaj këtyre formave të investimit, duke i parë ndonjëherë edhe si skema mashtrimi. Për të ndryshuar këtë mentalitet, sipas tij, ka nevojë për shumë punë dhe bashkëpunim të shumë palëve.

Të njëjtën qasje ka edhe Estela Koçi, nga Credins Premium. “Niveli i edukimit financiar të publikut është i ulët, gjë që kombinohet edhe me mungesën e besimit. Individët kanë pak ose aspak informacion rreth fondeve si alternativë kursimi dhe mënyrës se si funksionojnë, duke e trajtuar, si depozitë me maturitet të caktuar e me normë fikse”, nënvizon ajo.

Për administratoren e Raiffeisen Invest, përveç edukimit financiar modest, një tjetër kufizues në rritjen e fondeve të investimit, është edhe mungesa e tregut të kapitalit funksional, si dhe mosdhënia e stimujve të dobishëm fiskalë që do të nxisnin qytetarët drejt këtyre fondeve.

 

Si pritet të jetë viti 2019 për fondet e investimit

Viti 2019 pritet të jetë pozitiv për fondet e investimit. “Nga njëra anë, ambienti me norma të ulëta interesi e bën më pak atraktiv investimin, në bono thesari dhe obligacione të qeverisë: Ky ambient gjithashtu bën jo atraktiv vendosjen e depozitave bankare. Ky ambient është shumë stimulues për emetimin e Obligacioneve për korporatat vendase. Investitorët, në të tilla periudha, tërhiqen shumë drejt blerjes së obligacioneve korporative, për të arritur një normë më të lartë interesi. Në këtë aspekt, pritshmëritë për vitin 2019 anojnë nga një gjallërim i tregut të emetimit të obligacioneve të korporatave private, për të tërhequr investitorët”, – vlerëson Blodin Çuçi.

Një ecuri më pozitive konfirmon edhe Edlira Konini e Raiffeisen Invest. “Viti 2019 ka qenë i mbarë për tregjet e kapitalit. Aktualisht jemi në një ambient normash të ulëta interesi, çka ka ndikuar pozitivisht në performancën e të gjitha fondeve që kemi nën administrim. Ne presim që 2019-a të jetë një vit pozitiv për fondet e investimit, për më tepër që ligji i ri ‘Për sipërmarrjet e investimeve kolektive’, mendohet të miratohet brenda vitit”, vlerëson ajo.

Edhe Estela Koçi, nga Credins Premium, nënvizon se viti 2019 ka nisur mbarë dhe pritet që të ketë rritje të numrit të anëtarëve që investojnë në këto fonde. “Numri i investitorëve në fondet e investimit parashikoj që do të jetë në rritje të vazhdueshme, pasi aktualisht është alternativa më e mirë dhe më fleksibël e investimit, si për individët ashtu edhe për investitorët institucionalë”.

 

 

AMF: Risitë që sjell draft-ligji i ri për sipërmarrjet kolektive

Ulja e vlerës së aseteve në menaxhim për fondet e investimit në vitin 2018 nuk shihet si një shenjë dekurajimi për zhvillimin e tregjeve financiare në vend, të paktën nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ky institucion u shpreh për “Monitor” se, kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e normave të ulëta të interesit, por sinjalet pozitive për këtë treg duhen parë edhe në aspektin e zgjerimit me fonde të reja, të cilat vitin e shkuar ishin dy.

“Gjatë vitit 2018, pavarësisht se vihet re rënie në asetet në menaxhim të fondeve të investimit, ndikuar edhe si rrjedhojë e ambientit të normave të ulëta të interesit, sidomos në valutë të huaj, është zgjeruar numri i fondeve si në valutë, ashtu edhe në monedhën lokale. Përkatësisht, Autoriteti ka licencuar dy fonde të reja investimi, duke rritur kështu mundësitë për investitorët”, vlerëson AMF. Një dinamikë tjetër pozitive pritet që t’i japë këtij tregu edhe kuadri i ri ligjor që është aktualisht në fazë konsultimi dhe që do të miratohet brenda këtij viti.

 

Draft-ligji i ri “Për investimet në sipërmarrjet kolektive”, risitë sipas AMF

Një draft-ligj i ri që ka në fokus investimet në sipërmarrjet kolektive i hartuar me asistencën e ekspertëve të projektit “Forcimi i Kapaciteteve Mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Fokusi te Zhvillimi i Tregut të Kapitaleve”, financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe mbështetur nga Banka Botërore, është aktualisht në fazë diskutimi. AMF konfirmon se ky projektligj synon të plotësojë kuadrin ligjor, në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, përkatësisht direktivën e UCITS 4 ose “Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive në Tituj të Transferueshëm” apo direktivën e AIFMD “Mbi Menaxherët e Fondeve të Investimeve Alternative”.

“Projektligji gjithashtu synon të rregullojë forma të reja të organizimit të fondeve, siç janë fondet kryesore, fondet furnizuese, apo fondet ombrellë. Gjithashtu, projektligji rregullon aktivitetin e administratorëve të fondeve të investimeve alternative, të cilat janë të gjitha llojet e fondeve që nuk klasifikohen si ‘Sipërmarrje të Investimeve Kolektive në Tituj të Transferueshëm’” nënvizon AMF.
Duke u ndalur në aspektet më të rëndësishme të këtij drafti, rregullatori thekson se një aspekt shumë i rëndësishëm i projektligjit të ri është rritja e transparencës ndaj investitorit. Kjo, sipas AMF, realizohet nëpërmjet rritjes së kërkesës në lidhje me vlerësimin e drejtë të vlerës neto të aseteve, si dhe dhënien e informacioneve shpjeguese.

“Për më tepër projektligji, duke u bazuar gjithmonë në praktikat më të mira të Bashkimit Europian, bën një klasifikim për investitorët në:

  • Investitorë profesionistë, ku futen investitorët që kanë përvojë dhe janë të aftë të vlerësojnë rreziqet e investimit, të tilla si banka, shoqëritë e titujve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fonde pensioni, etj.
  • Investitorë jo-profesionistë, ndryshe investitorë që i përkasin tregut me pakicë, ku futen shumica e individëve, të cilët nuk i kuptojnë rreziqet e investimit dhe ndaj tyre kërkohet një nivel më i lartë kujdesi dhe transparence.

Gjithashtu, projektligji sjell më tepër dispozita në lidhje me bashkimin dhe shkrirjen e fondeve, apo për ruajtjen, likuidimin dhe mbylljen e fondeve dhe shoqërive administruese e depozitarëve. Një aspekt tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me shtimin e kompetencave të AMF-së, siç është ndërmarrja e hetimeve në krahasim me inspektimin; dënimet për kundërvajtje; dhe bashkëpunimi rregullator vendas e ndërkufitar.

Së fundmi, janë shtuar dispozita në lidhje me administrimin ndërkufitar dhe marketingun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive për t’u përputhur me kërkesat e Direktivës Europiane”, vlerëson Autoriteti.

 

Edukimi financiar, masat konkrete për tregjet nën mbikëqyrje

Një nga ngërçet që haset sot dhe që kufizon zhvillimin e tregjeve financiare në vend është edukimi financiar i konsumatorit. Por cilat janë hapat që AMF po hedh apo ka në plan, në funksion të edukimit financiar dhe rritjes së besimit të konsumatorit në tregjet që ky institucion ka nën mbikëqyrje?

“Edukimi financiar i publikut është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit. AMF është angazhuar në veprime konkrete për rritjen e besimit dhe edukimit të konsumatorit për tregjet nën mbikëqyrje. Gjatë vitit të kaluar dhe në vazhdim, Autoriteti është përfshirë në aktivitete informuese dhe edukuese, në zbatim të Strategjisë “Për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet nën mbikëqyrje (2017–2020)”.

Gjithashtu, Autoriteti publikon në mënyrë periodike, në një seksion të posaçëm në faqe “Kini Kujdes”, paralajmërime të ndryshme nga AMF drejtuar investitorëve. Gjithashtu, në këtë seksion janë edhe paralajmërimet e institucioneve ndërkombëtare në tregjet e kapitaleve, si Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO) dhe Autoriteti Europian i Titujve dhe i Tregjeve (ESMA).

Në kuadër të rritjes së transparencës ndaj investitorëve, si dhe mirërregullimit të tregjeve financiare në lidhje me fondet e investimeve, Autoriteti ka miratuar disa rregullore, që kanë të bëjnë me informacionin kryesor, që i jepet investitorit në mënyrë periodike, administrimin e likuiditetit të fondeve, transaksionet me palët e lidhura, apo palët që i përkasin të njëjtit grup financiar.
Në lidhje me projektligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” janë hartuar të gjitha rregulloret mbështetëse, të cilat do të miratohen në Bordin e AMF-së, sapo ligji i ri të hyjë në fuqi”, – vlerëson AMF.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of