Serbia është nën presion të madh për politikën e saj ndaj Rusisë, për shkak të ngjarjeve aktuale në Ukrainë.
Ky vend kandidat për në BE, me vlera europiane të sanksionuara në Kushtetutën e tij dhe një shumicë që mbështet anëtarësimin në BE, ka përfituar prej kohësh nga bashkëpunimi si me Europën, ashtu edhe me Rusinë.
Kjo politikë mbështetet nga një pjesë e mirë e popullsisë, veçanërisht nga mbështetësit e qeverisë aktuale. Por tani që miqësia njëkohësisht me Rusinë dhe BE-në duket relativisht e pamundur, ndikimi kinez ka të ngjarë të rritet.
“Miqësia prej çeliku”
Kur gjashtë avionë mallrash ushtarakë kinezë Y-20 u ulën në aeroportin e Beogradit më 10 prill, duke mbartur sisteme raketore tokë-ajër HQ-22, Kina demonstroi përsëri ndikimin e saj në Europë.
Kjo lëvizje, e konsideruar si një shpalosje force nga analistët, është në përputhje me prirjen e rritjes së ndikimit kinez në Europën Lindore dhe në veçanti, në Serbi.
Kina i dha mbështetje Serbisë gjatë pandemisë COVID-19 dhe Serbia është deri tani përfituesi më i madh i investimeve kineze në Ballkan. Megjithëse investimet kineze në Serbi janë ende të papërfillshme në krahasim me ato të BE-së (70% e IHD-ve në Serbi kanë ardhur nga BE-ja), Kina ka qenë e gatshme të investojë në projekte më polemike, që janë domethënëse për ekonominë serbe.
Investimi kinez në Serbi gjithashtu ka marrë një mbulim të gjerë në mediat pro-qeveritare. Një sondazh i vitit 2020 nga Instituti për Çështjet Europiane, tregoi se 40% e qytetarëve serbë e konsiderojnë (gabimisht) Kinën si donatorin e tyre më të madh. Vetëm 17.6% mendonin se ishte BE-ja, dhe 14.6% mendonin se ishte Rusia.
Kohët e fundit, media ka lavdëruar “miqësinë prej çeliku” midis dy vendeve dhe ka dënuar presionin e BE-së ndaj Serbisë për t’ju bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbrojtur vendimin e Beogradit për të blerë armë kineze dhe u është përgjigjur kritikave të presidentit të Malit të Zi, Milo Đukanović dhe udhëheqësit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “është më mirë të jesh një ujk i vetmuar, sesa një hienë apo një mizë në tufë”. Ai i akuzoi të dy politikanët se “po përhapnin urrejtje ndaj Serbisë”.
Megjithatë, Serbia nuk duket se po bën një kthesë të plotë drejt Kinës. Një ditë pas dërgimit të sistemeve të armëve nga Kina, televizioni shtetëror RTS, njoftoi blerjen e planifikuar të avionëve luftarakë Rafal të prodhuar nga Franca, duke thyer traditën 60-vjeçare të blerjes së avionëve luftarakë rusë MiG.
RTS tha se “Serbia po bën një kthesë të plotë në aviacionin luftarak dhe po kalon në teknologjinë perëndimore”, duke cituar gjithashtu një ish-pilot që tha: “Është buxheti dhe jo miqësia me Rusinë apo me Francën që do të vendosë këtë çështje”.
Ndjenjat pro-ruse nuk mund të shpërfillen
Deri tani, Serbia i ka bërë ballë trysnisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, megjithëse ka mbështetur rezolutat e OKB-së që dënojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe ka votuar për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Presidenti Vuçiç tha së fundmi se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, edhe pse është i vetmi vend europian që nuk e ka bërë këtë.
Pozicioni i tij mund të shpjegohet nga ndjenjat pro-ruse në Serbi. Mbi 60% e të anketuarve në një sondazh nga Voice of America fajësonin NATO-n për ngjarjet aktuale në Ukrainë, ndërsa vetëm 3.5% fajësonin Rusinë. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi shënuan një zhvendosje drejt së djathtës pro-ruse.
Çmimet e gazit janë një tjetër faktor. Serbia mund të rinovojë një kontratë 10-vjeçare të furnizimit me gaz me Rusinë këtë vit. Qeveria mund të përdorë rezultatet e zgjedhjeve dhe procesin e formimit të qeverisë së ardhshme, si një justifikim për të vazhduar me mungesën e sanksioneve ndaj Rusisë, duke shpresuar se kriza në Ukrainë do të marrë fund së shpejti.
Ruajtja e aktit të vjetër baraspeshues
BE-ja, deri tani, ka treguar tolerancë ndaj pozicionit të Serbisë. Megjithëse theksoi se ende pret që Serbia t’u bashkohet sanksioneve, Brukseli mbajti anën e Beogradit në mosmarrëveshjen e tij me Kosovën, mbi mënyrën se si duhet të votojnë serbët në Kosovë në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Tanjug”, BE-ja do ta përjashtojë Serbinë nga çdo sanksion në lidhje me importin e naftës nga Rusia.
Megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të presionit të madh nga BE-ja. Disa analistë mendojnë se ky ka të ngjarë të jetë një proces i ngadaltë, por i sigurt, veçanërisht nëse situata në Ukrainë mbetet e njëjtë.
Si një lojtar kryesor në Ballkan, Beogradi mund të përpiqet të përdorë pozicionin e tij për të arritur një marrëveshje të mirë me të gjitha fuqitë e mëdha. Vetëm koha do të tregojë nëse një strategji e tillë është e suksesshme.
Aleanca europiane e Serbisë, e mbështetur nga investimet e BE-së dhe nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, mund t’i mbijetojë krizës aktuale.
Edhe aleanca e saj me Rusinë mund të mbijetojë, e nxitur nga bashkëpunimi për çështjet e gazit dhe Kosovën, dhe nga ndjenjat pro-ruse në popullatën dhe elitën ruse. Megjithatë, në një plan afatgjatë, presioni aktual duket se do ta shtyjë Beogradin drejt përmirësimit të lidhjeve me Kinën.
*Makar Menshikov është një studiues në Politikë, Sociologji dhe Studime të Europës Lindore, në University College London.