Nënshkruhet marrëveshja për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë

31/07/2020 12:53 PM 0 komente

Është nënshkruar sot marrëveshja me kompaninë fituese të ankandit ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë.

Kompania franceze, Voltalia, u shpall pak javë më parë fituese e ankandit ndërkombëtar, ku morën pjesë 30 kompani.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, se ‘Voltalias’ propozoi çmimin 24.89 euro për megavat, i cili është i jashtëzakonshëm.

Kryeministri Edi Rama tha se ky është një investim i huaj, me një vlerë prej më shumë se 100 milionë eurosh. Rama shtoi se kjo kompani prestigjioze do të ndihmojë të hedhë më shumë dritë mbi Shqipërinë në Francë dhe tek investitorët francezë.

Parku fotovoltaik i Karavastasë është më i madhi i projektuar në vend me 140 MW, ku 70 megavat janë të ndarë për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga OSHEE.

Projekti i Karavastasë është parku i dytë për të cilin hapet një garë ndërkombëtare. I pari ishte Akërnia që në vitin 2018, i cili u fitua nga kompania India Power, për një çmim 59.9 euro/MWh, por vonesat e nënshkrimit të kontratës dhe konfliktet mes ministrisë dhe investitorëve e zvarritën atë për një kohë të gjatë dhe ende mbetet e paqartë se në çfarë faze janë negociatat.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of