Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompania Bechtel do të nisin fazën e parë të punës për vënien në jetë të projektit të hidrocentralit të Skavicës. Gjatë një ceremonie të mbajtur sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjes së parë për këtë projekt mes dy palëve.
Ministrja Belinda Balluku në fjalën e saj sqaroi se një tjetër kontratë do të nënshkruhet pas përfundimit të fazës së parë dhe që do të lidhet direkt me ndërtimin e HEC-it.
“Sot jemi këtu për nënshkrimin e kontratës për fazën e parë të ndërtimit të HEC Sakvisës. Kjo përfshin punën përgatitore studimore, amnbientale, gjeologjike, sociale dhe deri në përfundimin e kësaj faze për të kaluar në të dytën. Në këtë fazë kemi 18 muaj që do t’i shërbejnë ekipeve që të shkëmbejnë materialet dhe më pas me gjithë shpresën e mirë që brenda këtyre 18 muajve të dorëzojmë një produkt të mirë. Kjo më pas do të na hapë rrugën për të firmosur kontratën e ndërtimit të HEC Skavicës.
Ky HEC eshtë ndryshe nga të tjerët që ndodhen në kaskadën e Drinit pasi do të luajë rolin e rregullatorit. Jo vetëm do të rrisë me 20 për qind prodhimin e energjisë në vend por do të optimizojë dhe rrisë kapacitet prodhuese. Një moment i rëndësishëm është minimizimi i përmbytjeve në fushën e Nënshkodrës” tha Balluku.
Ajo nënvizoi se me Bechtel është folur edhe për ndikimin social që do të ketë projekti në zonë për të gjetur një zgjidhje sa më optimale.
Përfaqësuesi i kompanisë Bechtel u shpreh se HEC-i i Skavicës pritet të ketë një sërë efektesh pozitive në vend dhe 210 MË shtesë që do të shtohen në prodhim janë vetëm një prej tyre.
HEC-i i Skavicës është një nga projektet e lakuara shpesh nga qeveritë në vend por ai nuk ka arritur të konkretizohet deri më sot. Ky hidrocentral do të jetë i vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin dhe do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës.
Kostot e vlerësuara deri në fazën e parafizibilitetit për këtë projekt janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët (deri në kuotën 388 m.m.n.d) dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë (deri në kuotën 443 m.m.n.d).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.