Intervistë me Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria
Mendoj se viti 2021 do të jetë një vit i komplikuar. Pandemia po vazhdon, zgjedhjet e përgjithshme janë përpara. Në këto kushte, vëmendja për rëndësinë e sigurimit do të jetë edhe më e ulët
Avni Ponari, kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë dhe drejtor i përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria, thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, se tregu vazhdon të vuajë mentalitetin e trashëguar dhe të ushqyer që nga koha e komunizmit, por edhe sot, nga mungesa e programeve qeveritare për zhvillimin e industrisë financiare jobankare, që në rast dëmi, shteti paguan për të gjitha.
Sipas tij, nëse nuk ndërtohet një kuadër ligjor me të cilin shteti t’i transferojë përgjegjësitë te qytetarët, atëherë tregu i sigurimeve do të vazhdojë të ngelet i pazhvilluar dhe i varur nga sigurimet motorike, për pasojë edhe qytetarët do të mbeten të varur dhe të mos ushtrojnë të drejtat e tyre për mbrojtjen financiare në rast fatkeqësish.
Ai mendon se këto sigurime nuk duhet të jenë të detyrueshme, por ligjet duhet të sanksionojnë qartë se qytetari duhet të mbajë mbi vete kostot për dëmet që mund të pësojë, ose mund t’iu shkaktojë të tjerëve, me veprimet e veta me dashje, apo pa dashje.
Si do ta vlerësonit performancën e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ishin ato më të prekshme?
Viti 2020 ishte një vit i vështirë, si për shumicën e bizneseve. Ky vit për ne nxori në pah domosdoshmërinë për të ndërtuar produkte që u përgjigjen nevojave të reja të klientëve, por edhe nevojës për të ndërtuar kanale të reja komunikimi, dhe për të qenë pranë tyre, sipas nevojës së tyre. Ne mund të jemi ndër vendet më të varfra në botë, në kuptimin e primeve të sigurimit për frymë, me vetëm 35 euro, dhe kjo ka disa arsye. E shkuara komuniste ka ngulitur në shoqërinë tonë mentalitetin se shteti kujdeset për gjithçka dhe në rast nevoje, qytetari duhet të kërkojë zgjidhje nga shteti.
Ky mentalitet, fatkeqësisht ka vazhduar edhe në vitet e demokracisë dhe vijon edhe në ditët e sotme, dhe kjo jo pa qëllim. Interesi i qeverive të çdo kohe është ta mbajë qytetarin të lidhur pas vetes, që qytetari t’ia ketë nevojën shtetit dhe të mos jetë i pavarur ekonomikisht. Në vendet e zhvilluara, sigurimet janë një industri e fuqishme mbështetëse e ekonomisë individuale të qytetarëve, por edhe mbështetëse e buxhetit të shtetit, ndërsa në Shqipëri dhe përgjithësisht në rajon, kjo nuk ndodh. Veç mentalitetit të trashëguar, mendoj se adresimi i kësaj çështjeje kërkon ngritjen e një baze të përshtatshme ligjore.
Vendet e zhvilluara, si Franca, kanë mbi 50 ligje që mbrojnë interesat e drejtpërdrejta të konsumatorëve ndaj dëmeve dhe përgjegjësive që mund të ndodhin gjatë aktivitetit normal shoqëror dhe ekonomik. Tek ne, këto përgjegjësi shkaktojnë një dëm ekonomik për qytetarët, sepse nuk ka një bazë ligjore që t’i mbrojë. Në këto kushte, tregu është i varfër, sepse nuk ka një bazë të tillë ligjore.
Për shembull, në shumicën e vendeve ekziston detyrimi për përgjegjësinë ligjore të mjekut, në rast se ai i shkakton dëm pacientit me kurim të gabuar ose të pakujdesshëm. Një shembull tjetër mund të jetë siguria ligjore për titujt e pronësisë. Shembull tjetër janë sigurimet në ndërtesat e përbashkëta. Nëse sot dikush u shkakton dëm fqinjëve, për shkak të zjarrit, rrjedhjeve të ujit ose dëmtimeve të tjera, ai nuk përgjigjet për këtë dëm. Për këto çështje nevojitet një bazë ligjore që ta mbrojë qytetarin financiarisht.
Shqipëria është në zonën e kuqe të rrezikshmërisë së tërmeteve. Madje, sipas një raporti të 2019-s, të dy shkencëtarëve amerikanë, vendi ynë vlerësohet me normën më të lartë të rrezikut në të gjithë Europën, me 10%. Tërmetet e vitit të kaluar na tundën fort themelet, por fatkeqësisht nuk i vuri qytetarët përpara përgjegjësisë vetjake për të mbrojtur ata vetë pronën e tyre dhe jo të presin nga shteti. Të gjendur përballë situatave të tilla, mendoj se ndërtimi i një ligji për të mbrojtur interesin ekonomik të qytetarëve nga fatkeqësitë natyrore është i domosdoshëm.
Le të bëhet një skemë kombëtare, që të mbulojë në sigurim të gjitha banesat dhe primi i sigurimit në nivel kombëtar do të ishte shumë i përballueshëm: 15 deri në 20 euro në vit.
Nëse nuk paguajnë të gjithë, sigurisht që primi i sigurimit del më i lartë. Por për ato familje që janë me ndihmë ekonomike dhe nuk e përballojnë dot, shteti mund të zgjedhë që ta financojë sigurimin për këtë shtresë të shoqërisë, dhe kështu nuk përjashtohet asnjë qytetar dhe nuk rritet as primi i sigurimit. E njëjta gjë është edhe me sigurimin shëndetësor.
Qytetarët paguajnë me para në dorë në spitalet private, gjë që nuk është e zakonshme në vendet e tjera, ku shumica e qytetarëve paraqiten me një kartë sigurimi të shëndetit dhe marrin shërbimet që kanë nevojë. E njëjta gjë ndodh me pensionet, ku nuk po nxitet krijimi i një kolone të dytë të pensioneve vullnetare private. Për të ndërtuar një ekonomi të mirëfilltë tregu, shteti duhet t’i transferojë këto përgjegjësi nga vetja te qytetarët. Kjo do ta bënte shtetin më të fortë dhe do t’i jepte mundësinë të merrej me gjëra të tjera.
Nga ana tjetër, qytetari që është i siguruar për pronën, për shëndetin, ka një pension dinjitoz privat dhe bëhet i pavarur financiarisht. Kjo do të krijojë qytetarë më të lirë dhe më dinjitozë, sepse nuk do të kenë nevojë të lypin ndihmë nga shteti, por kanë të gjithë të drejtat të shkojnë te siguruesi dhe të kërkojnë dëmshpërblimin që iu takon sipas kontratës.
Ju mendoni se zhvillimi i tregut mund të bëhet duke përcaktuar sigurime të detyrueshme për pothuajse gjithçka?
Jo, jam kundër shtimit të sigurimeve të detyrueshme. Dhe këtu dua të evidentoj edhe perceptimin e gabuar që është krijuar për industrinë e sigurimeve, duke i konsideruar sigurimet si taksa. Jo, sigurimet nuk janë taksa, por janë shërbime, janë mbrojtje financiare për çdo qytetar, janë liri dhe dinjitet, ose e thënë në mënyrë popullore siç na pëlqen ne shqiptarëve: sigurimet të zgjidhin hallet! Unë nuk jam për shtimin e sigurimeve të detyrueshme, por për evidentimin e qartë të bazës ligjore, në bazë të së cilës, qytetari të zgjedhë të sigurohet, ose të mos sigurohet, dhe ku interesi i qytetarëve të jetë i mbrojtur.
Pra, jo sigurim i detyrueshëm, por përgjegjësi e siguruar. Nëse një individ zgjedh të mos sigurohet, ai do të jetë i detyruar të marrë vetë kostot e dëmeve që mund t’iu shkaktojë të tjerëve ose të dëmeve që mund të pësojë vetë dhe jo të themi, mos u siguroni sepse ua zgjidh shteti hallet. Jam për këtë lloj fryme, që secili të mbajë përgjegjësi ligjore dhe financiare për dëmet, jo për t’i bërë domosdoshmërisht sigurimet të detyrueshme.
Në momentin që secili mban përgjegjësi për dëmet financiare që i shkakton tjetrit ose vetes, atëherë ne kemi krijuar frymën e duhur dhe qytetarët do ta kuptojnë rëndësinë e sigurimeve si të domosdoshme, dhe do t’i zgjedhin vetë sigurimet që u nevojiten, ashtu siç ndodh në të gjithë Europën apo botën.
Për 10-mujorin 2020, tregu pësoi një rënie të primeve me rreth 5%. Mund të themi se kjo është një rënie jo shumë dramatike, për rrethanat në të cilat u ndodh ekonomia?
Duhet të kuptojmë që këtu, tregu i sigurimeve është kryesisht motorik. Një rënie 5% e tregut nënkupton rënie edhe në këtë segment. Pra, veç atyre shumë drejtuesish mjetesh që nuk sigurohen, dhe në Shqipëri numërohen rreth 100 mijë automjete të pasiguruara, shtohen tanimë edhe të tjerë të cilët nuk e paguajnë sigurimin. Kjo krijon një boshllëk të madh, sepse jemi treg i vogël dhe i varur shumë nga sigurimet motorike. Në botë, sigurimet motorike zënë vetëm 10%, tek ne zënë pothuajse 80%. Për këtë arsye, rënia ndihet shumë tek ne.
Cilat do të jenë sfidat kryesore dhe faktorët që do të ndikojnë ecurinë e biznesit të sigurimeve gjatë vitit 2021?
Mendoj se viti 2021 do të jetë një vit i komplikuar. Pandemia po vazhdon, zgjedhjet e përgjithshme janë përpara. Në këto kushte, vëmendja për rëndësinë e sigurimit do të jetë edhe më e ulët. Në këtë vit krijuam një produkt specifik për sigurimin nga COVID-19, jo me qëllimin e fitimit, por për t’ju gjendur pranë qytetarëve në këto kohë të vështira. Sepse produkti në vetvete nuk është më fitim për kompaninë, por për klientin.
Por, qytetarët nuk e blejnë, ose e blejnë shumë pak. Kjo do të thotë se diçka nuk shkon. Propaganda qeveritare është shumë e fuqishme dhe e mbyt zërin e biznesit. Nëse qeveria thotë se dëmet e tërmetit i paguajmë ne, shpenzimet e kurimit nga COVID-19 i paguajmë ne, pavarësisht nga sa paguhen realisht, atëherë është e kuptueshme që njerëzit nuk do të sigurohen.
Nëse nuk do të ketë një program të qartë për zhvillimin e industrisë financiare jobankare, ne do të mbetemi larg atij tregu që mbron dhe krijon personalitetin e qytetarit.
Një nga arsyet pse qytetarët në vendet e zhvilluara kanë një personalitet të tillë është se ata janë të shkëputur nga këto varësi financiare prej shtetit dhe as që duan t’ia dinë se kush është ministër, kush është kryeministër apo president, sepse ata nuk trokasin në dyert e politikanëve për të zgjidhur problemet financiare që mund t’u vijnë si pasojë e shëndetit, shtëpisë, makinës dhe biznesit, por trokasin në dyert e kompanive të sigurimit, të cilat u përgjigjen atyre në bazë të kontratave të sigurimit që kanë.
Vitin që kaloi, Shoqata Shqiptare e Siguruesve u pranua në Shoqatën Europiane të Sigurimeve (Insurance Europe). Çfarë do të thotë kjo për industrinë shqiptare të sigurimeve?
Të jesh pjesë e Insurance Europe do të thotë të jesh i pranishëm në tregjet e sigurimeve të 37 vendeve europiane, anëtare të saj, dhe të marrësh ekspertizën më të mirë në fushën e sigurimeve nga më shumë se 950 mijë punonjës dhe drejtues sigurimesh të këtyre shteteve.
Pranimi i shoqatës sonë në familjen europiane të sigurimeve, do të zgjerojë perspektivat për zhvillimin e tregut të sigurimeve, sidomos në drejtimin e kuadrit rregullativ, në fushën e trajnimeve, të produkteve por edhe në rritjen e cilësisë dhe shërbimit të ofruar klientëve.
Ne së fundmi nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Shoqatën e Siguruesve të Austrisë, ku krahas pjesëmarrjes në trajnime, seminare e konferenca, ekspertizë profesionale dhe shkëmbim praktikash të dokumentacionit, memorandumi parashikon edhe marrëveshje partneriteti për të aplikuar për thirrje të hapura nga fondet e BE-së, ose nga donatorë të tjerë.
Përfitimet janë të shumëllojshme, por një aspekt që mendoj është i rëndësishëm për t’u theksuar, është se të qenët pjesë e Insurance Europe do të thotë edhe të nxisësh promovimin e industrisë shqiptare të sigurimeve atje, ç’ka mund të jetë nxitje për investime të tjera europiane në Shqipëri. Nga ana tjetër, kjo mund të jetë një mundësi shumë e mirë edhe për promovimin e vendit tonë në Europë, ndikimet e së cilës do të ndihen jo vetëm në industrinë e sigurimeve, por edhe në fusha të tjera si turizmi, ndërtimi, energjetika etj.
Personalisht kam qenë dhe jam pro kësaj strategjie dhe kam realizuar takime të shumta me kryetarë bordesh e biznesmenë europianë në Shqipëri, të cilat i kam shfrytëzuar edhe për të promovuar Shqipërinë, duke organizuar edhe ture turistike në çdo cep të vendit, nga Veriu në Jug.
Tregu
Duhet të kuptojmë që këtu, tregu i sigurimeve është kryesisht motorik. Një rënie 5% e tregut nënkupton rënie edhe në këtë segment. Pra, veç atyre shumë drejtuesish mjetesh që nuk sigurohen, dhe në Shqipëri numërohen rreth 100 mijë automjete të pasiguruara, shtohen tanimë edhe të tjerë të cilët nuk e paguajnë sigurimin. Kjo krijon një boshllëk të madh, sepse jemi treg i vogël dhe i varur shumë nga sigurimet motorike. Në botë, sigurimet motorike zënë vetëm 10%, tek ne zënë pothuajse 80%. Për këtë arsye, rënia ndihet shumë tek ne.
Sigurimet, tregu ra me 5.4% për 10-mujorin 2020
As tregu i sigurimeve nuk i shpëtoi ndikimit të krizës së vitit 2020. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 10-mujorin, primet e shkruara bruto kishin vlerën e 13.5 miliardë lekëve, në rënie me 5.5% krahasuar me një vit më parë. Rënia ishte më e theksuar në segmentin e sigurimit të jetës, me 6.7%, ndërsa sigurimet e jo-jetës pësuan një rënie të volumit të primeve me 4.9%. Efekti u ndie sidomos në produktet e sigurimit të lidhura me lëvizjen ndërkufitare të shtetasve dhe mjeteve, që pësuan edhe rënien më të ndjeshme.
Vlera e dëmeve të paguara nga siguruesit shqiptarë për 10 muaj ishte 6.2 miliardë lekë, në rritje me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Raporti i thjeshtë mes dëmeve – primeve arriti në 45.8%, nga 35.2% për të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rritja e vlerës së dëmeve ishte kryesisht rezultat i tërmetit të vitit 2019, por kjo faturë u pagua në pjesën më të madhe nga risiguruesit.
Kompanitë e sigurimit të jo-jetës e mbyllën 9-mujorin 2020 me një fitim neto në vlerën e 1.04 miliardë lekëve, ose 8.4 milionë eurove. Fitimi i siguruesve pësoi rënie me 5.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kompanitë e sigurimit të jetës raportuan një fitim neto për 9-mujorin në vlerën e 160 milionë lekëve, në rritje me 23% krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.