24 mijë dozat e para anti-covid mbërritën në Kosovë të dielën në mbrëmje.
Procesi i vaksinimit do të fillojë nesër në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetori“, kurse në Komuna të enjten ose premten e kësaj jave.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka njoftuar kryetarët e Komunave të Kosovës se nesër do të fillojë procesi i vaksinimit në Kosovë.
Vitia dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës mbajtën një takim virtual, nga ku do të fillojë procesi i bashkëpunimit për dhënien e vaksinave.
Ministri Vitia njoftoi kryetarët që procesi i vaksinimit do të fillojë nesër në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetori“, kurse në Komuna të enjten ose premten e kësaj jave.
“Me arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave, të parët që do të fillojnë të vaksinohen do të jenë personeli shëndetësor të cilët janë në vijë të parë të frontit dhe personat mbi moshën 80 vjeçare me sëmundje kronike më të mëdha”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Ministri Vitia në këtë takim kërkoi që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi.
Ai po ashtu tregoi që është duke u bërë një vlerësim i përgjithshëm i situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashku me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë do ta bëjnë në bashkëpunim me Komunat.
Në anën tjetër, kryetarët e Komunave në këtë takim u shprehen të gatshëm që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin sa më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë rreth procesit të fillimit të vaksinimit por dhe sfidave të tjera me të cilat janë duke u ballafaquar komunat.
Në fund të këtij takimi iu kërkua Vitisë që të shqyrtohet kërkesa e bërë nga Komunat për një sasi të testeve rapide prej 100 mijë teste.
Ndërkohë, në sallën “1 Tetori“ në Prishtinë tashmë ka nisur përgatitjet për shpërndarjen e vaksinës anti-Covid e cila mbrëmë ka arritur në Kosovë.
Vazhdon të rritet numri i të hospitalizuarve
Numri i pacientëve që po marrin trajtim për COVID-19 në spitalet e Kosovës po vazhdon të rritet.
Në klinikat COVID të QKUK-së dhe në shtatë spitalet rajonale janë duke u trajtuar 917 pacientë për COVID-19, thuhet në raportin e ShSKUK-së.
753 pacientë janë të konfirmuar pozitivë me virusin SARS-CoV-2, 78 pacientë janë të dyshuar dhe në pritje të rezultateve. 33 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore e 704 janë me oksigjeno-terapi.
Në QKUK janë të shtrirë 364 pacientë, 313 prej tyre me oksigjeno-terapi e tetë në gjendje të rëndë.
Në Klinikën Infektive po trajtohen 119 pacientë, në Infektive II (Mjekësi Sportive) 91 pacientë, në Infektive III (Interno) 39 pacientë, në Klinikën e Pulmologjisë 82 pacientë, në atë të Gjinekologjisë 11 pacientë, në Mjekimin Intensiv 15 pacientë, në Klinikën e Pediatrisë shtatë pacientë.
Ndërkohë në shtatë spitalet rajonale në Kosovë po trajtohen 553 pacientë, prej tyre 19 në gjendje të rënduar dhe 391 me oksigjeno-terapi.
Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 133 pacientë me COVID-19, në atë të Gjakovës 95 pacientë, në të Pejës 80 pacientë, të Gjilanit 119 pacientë, në të Ferizajt 66 pacientë, të Mitrovicës 38 pacientë e Vushtrrisë 22 pacientë.
Kosova regjistroi rastet e para me koronavirus më 13 mars, 2021. Që atëherë, vendi ka regjistruar 87.981 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet. Ndërkaq, raste aktive janë 13.726.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.