Netflix, Disney dhe beteja për të tërhequr shikueshmërinë më të lartë

28/12/2019 10:02 PM 0 komente

Shërbimi i ri i transmetimit të Disney dhe luftërat mediatike

Amerika ka parë disa bume spektakolare investimesh që shumë kohë përpara dhe mjafton të përmendim këtu hekurudhat në vitet 1860, industrinë e makinave të Detroitit në vitet 1940 ose furinë e frikshme të këtij shekulli, shkruan The Economist. Investimet e ditëve të sotme nuk kanë të bëjnë, as me hekurin dhe as me makinat. Ato lidhen me skenarët, regjistrimet, ekranet dhe njerëzit e famshëm.

Para disa ditësh, Disney nisi transmetimin e një shërbimi të ri, i cili ofron filmin “Star Wars” dhe hitesh të tjera nga katalogu i tij i gjerë, kundrejt pagesës prej vetëm 6.99 dollarësh amerikanë në muaj. Kjo kosto është më e ulët edhe se ajo e një DVD.

Ndërsa modeli i biznesit i krijuar fillimisht nga Netflix, sot po kopjohet nga dhjetëra rivalë, me mbi 700 milionë pajtimtarë që transmetojnë video të ndryshme në të gjithë botën. Shuma të mëdha parash, mbi 100 miliardë dollarë vetëm gjatë këtij viti, po investohen në përmbajtje, pothuajse të njëjtat vlera që po investohen edhe në industrinë e naftës në Amerikë.

Në total, biznesi argëtues ka shpenzuar të paktën 650 miliardë dollarë amerikanë për blerje dhe programim në pesë vitet e fundit. Situata në fjalë është kulmi i 20 viteve të shkatërrimit krijues. Teknologjitë dhe idetë e reja kanë tronditur muzikën, lojërat dhe së fundmi edhe televizionin. Sot shumë njerëz e lidhin ndryshimin ekonomik me përkeqësimin e standardeve të jetesës: humbjen e vendeve të punës, mashtrimeve të ndryshme që u bëhen ose duke jetuar nën monopolet virtuale të rrjeteve sociale.

Por ky lloj biznesi thekson edhe faktin se tregjet dinamike mund të rrisin shumë numrin e klientëve të tyre, duke u ofruar atyre çmime më të ulëta, ndërkohë që cilësia të vazhdojë të jetë e mirë. Qeveria, deri më tani, nuk ka pasur pothuajse asnjë rol në këtë bum të kohëve të fundit, por kur ai të arrijë kulmin, atëherë shteti do të duhet të ketë patjetër një rol edhe mbi të gjitha, duke u siguruar që ky treg të mbetet i hapur dhe tërheqës. Nga vetë natyra e tij, biznesi i argëtimit po ecën me ritme të shpejta. Ai ka vetëm disa asete të prekshme, mbështetet mbi teknologjinë për të shpërndarë produktet, ndërsa konsumatorët e tij duan përherë gjëra të reja.

Shfaqja e filmave më zë në vitet 1920 e shndërroi Hollywood-in në qendrën globale të biznesit të filmit. Ai mbështetej në teknologjitë e vjetra, transmetimet analoge, lidhjet e ngadalta të internetit dhe ruajtjen e materialeve në CD, DVD dhe hard disqe.

Tronditja e parë ndodhi në industrinë muzikore në vitin 1999, ku shërbimet e ndryshme të internetit po vendosnin nën presion firmat e qëndrueshme të muzikës, si EMI dhe Warner Music. Ndërsa në industrinë e televizionit, Netflix u prezantua në vitin 2007 dhe nëpërmjet përdorimit të lidhjeve me brez të gjerë, ai filloi të shiste abonime për të parë video të ndryshme, duke tronditur pjesën më të madhe të firmave kabllore. Kjo kompani filloi t’i përshtasë shërbimet e saj për pjesën më të madhe pajisjeve të lëvizshme dhe ajo ka vepruar si një katalizator për konkurrencën, duke i detyruar “rojtarët e vjetër të këtij biznesi” që të ulin çmimet dhe të sjellin sa më shumë gjëra të reja.

Si pasojë e bumit të kësaj industrie, një numër i madh shkrimtarësh të njohur janë paguar sikur të ishin titanë të Wall Street, qiratë për studiot e Hollywood shkuan në stratosferë dhe madje, u arrit të që kapërceheshin edhe disa prej baronëve të mediave të shekullit të 20-të, përfshirë Rupert Murdoch, i cili ia shiti pjesën më të madhe të perandorisë së tij Disney, në mars.

Në mes të kësaj situate, strukturat e një biznesi të ri po bëhen gjithnjë e më të qarta. Ai mbështetet në brezin e gjerë dhe pajisjet, jo më te paketat kabllore dhe mbi të gjitha, te abonimet e klientëve të tij dhe jo tek reklamat. Ndryshe nga rrjetet sociale, asnjë firmë në televizion apo në transmetimin e videove nuk ka më shumë se 20% të pjesës së tregut nga të ardhurat. Konkurrentët përfshijnë Netflix, Disney, AT&T-Time Warner, Comcast dhe kompani të tjera më të vogla. Tre firma të teknologjisë janë gjithashtu aktive, YouTube (në pronësi të Alphabet), Amazon dhe Apple, edhe pse pjesa e tyre e përbashkët e tregut është ende e vogël. Industria e muzikës është gjithashtu e përfshirë, me firmën më të madhe, Spotify, që ka 34% të pjesës së tregut të saj në Amerikë.

Kjo ndarje është shoqëruar edhe me disa avantazhe. Le ta nisim fillimisht nga konsumatorët. Ata kanë më shumë mundësi zgjedhjeje, duke nisur nga një larmi shërbimesh që kushtojnë më pak se 15 dollarë amerikanë secila në krahasim me paketat e ofruara nga firmat kabllore që kushtojnë mbi 80 dollarë amerikanë. Vitin e kaluar u transmetuan rreth 496 shfaqje të reja, dyfishi i atyre të shfaqura në vitin 2010. Edhe cilësia është rritur, e vlerësuar edhe nga nominimet dhe çmimet e dhëna në ceremonitë “Oscar” dhe “Emmy” për shfaqjet e transmetuara në këto rrjete dhe nga diversiteti në rritje i mënyrës sesi tregohen historitë e këtyre filmave apo shfaqjeve.

Edhe numri i vendeve të punës në industrinë e argëtimit, medias, arteve dhe sporteve në Amerikë është rritur me 8% që nga viti 2008, ndërkohë që niveli i pagave në këto industri është rritur me një të pestën. Fitimet e investitorëve nuk janë më aq të mëdha, por ata që kanë zgjedhur të mbështesin firmat e duhura kanë vazhduar të gjenerojnë fitime të larta. Një dollar i investuar në aksionet e Viacom një dekadë më parë, vlen sot 95 cent. Ndërsa për Netflix, kjo shifër ka shkuar në 37 dollarë amerikanë. Por ka edhe nga ato raste, kur disa firma, të cilat kanë qenë të suksesshme më parë, së fundmi kanë dështuar.

Sipas WeWork, shumica e kompanive të argëtimit kanë një strategji të besueshme, por shumat e mëdha të parave që po luhen, janë edhe ato që po tërheqin vëmendjen më të madhe. Netflix është duke shpenzuar rreth 3 miliardë dollarë amerikanë në vit dhe në mënyrë që të justifikojë këto shpenzime, ai duhet të rrisë çmimet me 15%, por një veprimi në fjalë është i vështirë të merret duke qenë se në treg ekzistojnë edhe mbi 30 rivalë që ofrojnë shërbime të njëjta. Ai shpreson se tregjet e tij ndërkombëtare me një shpejtësi në rritje, do të krijojnë një ekonomi të shkallës.

Njësoj si edhe mbingopja e tregut nga këto kompani, po ashtu një problem i rëndësishëm është edhe borxhi. Marrëveshjet dhe shpenzimet e larta kanë bërë që firmat mediatike amerikane të akumulojnë një borxh që shkon deri në 500 miliardë dollarë amerikanë.

Në momentin kur tronditjet e para shfaqen, historia ofron dy shembuj shqetësues se si një bum ndaj konsumatorit mund të shndërrohet në një dështim të vërtetë. Telekomunikacionet dhe linjat ajrore në Amerikë u përfshinë nga një trazirë e konkurrencës në vitet 1990, vetëm për t’u zgjeruar më tej financiarisht dhe më pas për t’u rikonsoliduar në oligopole, të cilët njihen sot për shërbimet e tyre të dobëta dhe çmimet e larta që ofrojnë.

Kjo është arsyeja se përse roli i qeverisë në ruajtjen e konkurrencës së bizneseve të argëtimit është i rëndësishëm. Së pari, ajo duhet të parandalojë çdo kompani, përfshirë edhe gjigantët e teknologjisë, që të përvetësojnë një pjesë dominuese në biznesin e përmbajtjes. Së dyti, ajo duhet të kërkojë nga kompani si firmat e telekomunikacionit apo edhe të tilla si Apple që të kenë një politikë me qasje më të hapur dhe të mos diskriminojnë firmat me përmbajtje të veçantë. Së fundmi, ajo duhet të sigurohet që pajtimtarët të kenë mundësi të transferojnë të dhënat personale nga një firmë në tjetrën, në mënyrë që të mos bëhen të varur ndaj një shërbimi të vetëm.

Pak njerëz i referohen Hollywood-it për të nxjerrë mësime mbi ekonominë. Industria e argëtimit ka përfshirë tregje të rëndësishme të kapitalit. Firmat e blerjes, tregjet e aksioneve kanë financuar të gjitha në rinovimin e kësaj industrie. Yjet kanë qenë sipërmarrës miliarderë, si Reed Hastings, shefi i Netflix. Dhe hapja e kufijve ka bërë që talente të ndryshme të vijnë në Amerikë edhe nga shtete të ndryshme, ndërkohë që shumica e abonentëve jetojnë jashtë kufijve amerikanë. Por të gjithë këto elemente janë në rrezik, pasi politikanët dhe votuesit largohen nga tregtia e hapur dhe tregjet e lira. Për të kujtuar pse ato kanë rëndësi, mjafton thjesht të ndizni ekranin tuaj dhe të shtypni butonin “play”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of