Netflix publikoi rezultatet më të fundit financiare, duke shënuar rritje të të ardhurave dhe abonimeve me pagesë në periudhën janar-mars të këtij viti.
Kompania ishte e kënaqur me rezultatet dhe njoftoi se funksioni “ndarje me pagesë” (paid sharing), e cila në thelb është një goditje ndaj ndarjes së fjalëkalimeve, dha rezultate të mira në tregjet ku është zbatuar, në Kanada, Zelandën e Re, Spanjë dhe Portugali. Si e tillë, kompania planifikon ta zbatojë atë në më shumë tregje gjatë tremujorit të dytë.
Të ardhurat u rritën me 4% me bazë vjetore, siç pritej në parashikimet në fillim të tremujorit. Fitimi operativ u tkurr në tremujorin e parë 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, për shkak të “menaxhimit të vazhdueshëm të shpenzimeve, planifikimit të punësimeve dhe shpenzimeve në përmbajtje”. Perspektivat për pjesën tjetër të vitit janë të ndryshme.
Për shkak të vonesës në zbatimin e ndarjes së fjalëkalimeve me pagesë në një numër të madh tregjesh, një pjesë e rritjes së abonimeve dhe përfitimit të të ardhurave do të zhvendosen në tremujorin e tretë në vend të tremujorit të dytë.
Sa i përket angazhimit, Netflix tha me krenari se, së bashku me YouTube, është lider kryesor në tregun e transmetimit (streaming), edhe pse streaming është ende një pjesë e vogël e shikimit të përmbajtjes në çdo vend. Platforma përmendi produksionet e saj më të suksesshme: Outer Banks S3, You S4, Ginny & Georgia S2 dhe filma dhe seriale të reja si fituesi i Oskarit All Quiet on the Western Front dhe Too Hot To Handle Germany.
Netflix uli çmimet në Indi në dhjetor 2021. Kompania përshtati çmimet në 116 tregje, ku po operon aktualisht, në tremujorin e parë. Ndërsa ndryshimi solli një rënie prej 5% në të ardhurat e vitit fiskal 2022, kompania beson se rritja e përdorimit në këto tregje, do të ndihmojë në kompensimin në afat më të gjatë.
Plani i ri i reklamave po sjell tashmë klientë në Shtetet e Bashkuara dhe Netflix po e zgjeron atë në Kanada dhe Spanjë.
Kompania është e vetëdijshme se kufizimi i funksionit për ndarjen e fjalëkalimeve të llogarisë, mund të shohë “një reagim anulimi” (cancel reaction), siç ishte gjatë demonstrimit në Amerikën Latine, por ka besim që shumë do të aktivizojnë llogaritë e tyre dhe abonentët aktualë, do të përdorin opsionin për të shtuar “anëtar shtesë “.
Së fundi, raporti shënon ndërprerjen e një veçorie dikur thelbësore – biznesi i DVD. Që nga viti 1998, DVD Netflix ka ofruar shërbimin e marrjes me qira të DVD-me-mail me transport falas në të dyja drejtimet, por kjo do të ndalet më vonë këtë vit.
Dërgesat përfundimtare do të dërgohen më 29 shtator dhe Netflix falënderoi punonjësit e saj, që punuan në “ndërtimin e raketës përforcuese që e çoi transmetimin në një pozicion drejtues”. / GSM Arena