Netflix Inc (NFLX.O) ka zgjeruar kontrollin ndaj ndarjes së fjalëkalimeve në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 100 vende të tjera, duke paralajmëruar përdoruesit se, nuk mund t’i ndajnë falas fjalëkalimet për përdorimin e platformës jashtë familjeve të tyre.
Pionieri i transmetimit të videove ka kërkuar mënyra të reja për të fituar para, ndërsa përballet me shenja të ngopjes së tregut.
Përpjekjet përfshijnë kufizime në huazimin e fjalëkalimeve dhe një opsion të ri të mbështetur nga reklamat.
Netflix tha se po i njoftonte klientët në 103 vende dhe territore me email, për rregullin e ri të kufizimit të ndarjes së fjalëkalimeve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Australinë, Singaporin, Meksikën dhe Brazilin.
Email-et shpjegojnë se një llogari Netflix duhet të përdoret vetëm në një familje.
Klientët mund të shtojnë një anëtar jashtë shtëpisë së tyre, duke paguar tarifë shtesë. Në Shtetet e Bashkuara, tarifa është 8 dollarë në muaj.
Anëtarët mund të transferojnë gjithashtu profilin e një personi, në mënyrë që përdoruesi të mund të ruajë historikun e kërkimit dhe rekomandimet e tij.
Vitin e kaluar, Netflix vitin tha se do të kufizonte ndarjen e llogarive dhe po testonte mënyra të ndryshme në disa tregje.
Kompania kishte vlerësuar se më shumë se 100 milionë familje, u kishin dhënë kredencialet e tyre të hyrjes, miqve dhe familjarëve jashtë shtëpisë.
Deri në fund të marsit, numri i abonimeve në Netflix arriti 232.5 milionë në të gjithë botën.
Sipas politikave të reja, njerëzit brenda së njëjtës familje mund të vazhdojnë të ndajnë një llogari Netflix, si dhe mund ta përdorin atë në pajisje të ndryshme kur udhëtojnë. / Reuters