Nevoja për riorientim drejt ekonomive kombëtare

23/05/2020 10:06 PM 1 koment

Dr. Eugen Musta, Pedagog

 

Termat e shumëpërdorur si: ekonomia e tregut; tregjet e lira; privatizimet; heqja e tarifave dhe barrierave doganore; lëvizja e lirë e kapitalit; etj., të cilët u popullarizuan në fillimet e proceseve të transformimit politiko-ekonomik të viteve ’90, rezonojnë po aq fort edhe sot në mendjen e të gjithëve, pavarësisht se shumica ende nuk e dinë se çfarë nënkuptojnë ato dhe më e rëndësishmja, çfarë ndikimi kanë në jetën e secilit prej nesh.

Kjo është terminologjia e një modeli ekonomik të njohur si neo-liberalizëm dhe problemi kryesor me të dhe efektin socio-ekonomik që ai ka sjellë në jetën tonë është fakti që ne e pranuam atë si një të vërtetë absolute, të pakontestueshme.

Ky model duhej të ishte formula e suksesit, e cila do të na integronte në familjen e madhe të vendeve të zhvilluara të Perëndimit. Në fillim ndoshta, të magjepsur nga dritat e reklamave vezulluese të Perëndimit dhe të mbushur me komplekse inferioriteti, ne nuk mundëm të vinim në dyshim efikasitetin e tij dhe të konsideronim alternativa të tjera zhvillimi. Fundja ne besuam verbërisht se këto ishin parimet mbi të cilat u ngrit dhe u gatit superioriteti ekonomik i Perëndimit. Gjithashtu, ato vite mbizotëronte dominanca absolute e kapitalizmit neo-liberal perëndimor si forma e vetme e organizimit të ekonomisë dhe shoqërisë, e vetmja në gjendje të sjellë prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë.

Në të njëjtën kohë, edhe në vetë vendet e zhvilluara të Perëndimit kjo terminologji ishte dominante dhe triumfuese. Keynesi nuk ishte më në modë dhe politikat e liberalizimit të tregjeve dhe privatizimeve masive të Reganit në SHBA dhe Thaçerit në Angli trumbetonin fillimin e një ere të re në ekonominë botërore. Dhe kështu të magjepsur nga ky sukses, bota vazhdoi të shtyjë gjithmonë e më shumë procesin e liberalizimit të tregjeve drejt idealit të “Laissez-faire”-it.

Ky koncept i lirisë absolute të tregut dhe fuqisë vetërregulluese të tij është hedhur për herë të parë në qarkullim në Francën e mesit të viteve 1700 nga një grup mendimtarësh të njohur si Fiziokratët. Ato artikuluan tezën se konkurrenca e lirë, e parregulluar, do të garantojë që ekonomia të funksionojë dhe të ofrojë më të mirën e mundshme, qoftë kjo në çmime ashtu dhe në prodhim.

Kjo tezë u mbështet dhe u popullarizua nga Smithi, i cili i shtoi edhe konceptin e “dorës së padukshme” që rregullon tregjet, Rikardo, me avantazhet e tij krahasuese që mbështesin tregtinë e lirë midis vendeve dhe më vonë nga shumë e shumë të tjerë. Mbi këtë koncept të lirisë së tregjeve u bazua hapja e madhe globale e ekonomisë që ne shohim sot. Por a është kjo me të vërtetë formula e suksesit apo krejt e kundërta, një formulë e dështimit?!

Mbi këtë temë janë shkruar dhe shkruhet pa fund dhe ky debat duket sikur s’do ketë fund, por ajo që unë synoj të arrij me këtë analizë është një refleksion mbi atë se si bota do të reagojë mbas testit që kjo pandemi i bëri këtij modeli dhe se çfarë mësimesh duhet të nxjerrim ne si një ekonomi e vogël, e brishtë dhe në rrezik.

Realisht në praktikë “tregjet e lira” (laissez-faire) janë një mit, pasi ato aktualisht nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës. Asnjë industri nuk është tërësisht e parregulluar dhe asnjë shtet nuk rri dot pa ndërhyrë për mirë apo për keq në aktivitetin ekonomik që zhvillohet në territorin e tij dhe jo vetëm. Për ata që ende e vënë në dyshim këtë pohim po ju kujtoj konceptin rregullues të 8-orëshit të ditës së punës, dhe puna është kudo pasi është një nga faktorët bazë të prodhimit.

Thënë kjo, le të shohim edhe një shembull se çfarë ndodh kur parimet e laissez-faire aplikohen në praktikë. Një rast i tillë, nga më të hershmit, është ai i kohës së Luigjit XVI, kur në vitin 1774 të gjithë kufizimet mbi industrinë e grurit, që deri atëherë ishte rreptësisht e kontrolluar, u hoqën duke lejuar eksportin dhe importin e lirë midis provincave dhe shteteve sipas parimeve të tregjeve të lira. Rezultati i këtij liberalizimi shfaqi shpejt anën e tij të errët. Si pasojë e një sezoni të thatë pa reshje, prodhimi i grurit për atë vit rezultoi i pakët.

Në mungesë të grurit në treg, çmimi i tij u rrit ndjeshëm dhe duke qenë se në treg nuk kishte kufizime mbi eksportet dhe importet, të gjithë tregtarët filluan ta dërgojnë atë në ato zona ku fuqia blerëse ishte më e lartë duke siguruar kështu fitime më të mëdha, ndërkohë që vetë populli francez vuajti urinë që shkaktoi edhe shumë viktima. Si pasojë e revoltave popullore që pasuan, qeveria u detyrua ta braktisë këtë strategji duke e rikthyer kontrollin në tregjet e grurit.

Kriza që sapo ka filluar si pasojë e pandemisë botërore të shkaktuar nga Covid-19 i ngjan thatësirës që çoi në mungesë të grurit në kohën e Luigjit XVI dhe rregullimi i tregut i ardhur si pasojë e masave mbrojtëse që çdo qeveri po ndërmerr, po zbulon gabimin strategjik në prodhimin dhe shpërndarjen e të mirave në ekonominë globale. Si pasojë e lirisë së lëvizjes së kapitaleve, vendet e zhvilluara, duke përfituar nga kostot më të lira të punës, gjatë 50 – 60 viteve të fundit e zhvendosën prodhimin drejt Azisë duke besuar se çmimi do të jetë gjithmonë arma e tyre e fortë për të tërhequr prodhimin që u nevojitet, si në rastin e thatësirës kur sasia e kufizuar e grurit u shit në tregun me fuqi blerëse më të lartë.

Por që kjo të funksionojë duhet të kemi tregje të lira pa barriera e kufizime. Vetëm se në ketë rast, u pa qartë se përgjegjësia kombëtare që qeveritë kanë ndaj popullit të tyre është më e rëndësishme se fitimi apo solidariteti dhe produkte banale deri dje si maskat kirurgjikale u bënë asete të vyera të cilat nuk lejoheshin më të tregtohen në mënyrë të lirë. Ky fenomen e kthen vëmendjen te sektorët ekonomikë, të cilët garantojnë sigurinë kombëtare.

Përtej efikasitetit në prodhim dhe teorive të avantazheve absolute, krahasuese apo konkurruese në një kohë të tillë, kur zbulohet maska e solidaritetit dhe bashkëpunimit midis vendeve, vërehet edhe nevoja e plotësimit të nevojave bazë të popullit brenda vendit. Tani nuk dua të flas këtu për produkte teknologjike apo industri të sofistikuara, pasi jam i vetëdijshëm se çfarë potenciali afatshkurtër dhe afatmesëm ka Shqipëria, por e kam fjalën për nevoja bazë, siç është edhe ushqimi.

Mendoni për këtë skenar: Për shkak të kufizimeve të zgjatura, si pasojë e pandemisë, rezervat ushqimore për vitin e ardhshëm janë në rënie. Nëse kufizimet vazhdojnë gjatë, zinxhirët e prodhimit dhe të shpërndarjes do të dëmtohen dhe shumë shpejt, në treg do të shfaqen mungesa për shumë produkte bazë. Kufizimet do të imponohen nga vendet prodhuese si mbi eksporte ashtu dhe importe, njësoj si në rastin e pajisjeve mjekësore. Në këtë rast, Shqipëria, si një vend që mbi 80% të konsumit e bazon mbi importe, do të prekej direkt dhe kjo do ta përkeqësonte situatën në mënyrë të paimagjinueshme.

Në një skenar të tillë, ne më në fund do të kuptonim se përse Japonia, edhe pse me humbje, mbështet prodhimin në vend në të paktën 20% të konsumit të grurit, pavarësisht se kjo i kushton mjaft shtrenjtë. Po, e di, ne nuk jemi Japonia dhe nuk kemi mundësi të mbështesim industri në humbje. Në të njëjtën kohë, uroj dhe shpresoj një skenar si ai më sipër të mos realizohet kurrë, por kjo s’do të thotë që ta flemë mendjen dhe të mos nxjerrim mësime. Pasi gjëra për t’u bërë ka shumë.

Sot shohim që në tregjet e vendit, çmimet e prodhimeve bujqësore rriten në mënyrë abuzive, ndërkohë që shumë fermerë s’kanë ku ta dërgojnë prodhimin e tyre dhe përfundojnë duke e hedhur. Ky fenomen është tërësisht normal në një ekonomi të tregut dhe nën ndikimin e “dorës së padukshme” gjithçka do të vetërregullohet, por pyetja është kur? (këtu fle dhe debati i madh midis ekonomistëve të të dy poleve. Sa gjatë duhet të presim dhe me çfarë kostoje ndodh ky vetërregullim). Nën petkun e dogmës së tregjeve të lira deri sot kemi dëgjuar shumë t’i shajnë e t’i ofendojnë këta fermerë si të pazotë për të shitur, për të lexuar kërkesën e tregut, etj., etj., por në të vërtetë nuk kemi dashur të pranojmë disavantazhin në të cilin ata operojnë dhe dështimin e tregut në ngritjen e kanaleve të shpërndarjes.

S’kemi dashur të pranojmë deformimin e tregut si pasojë e monopolizimit të rrjeteve të shpërndarjes apo se si i kemi tradhtuar, duke mos i mbrojtur nga importet, qoftë edhe vetëm për disa vite, aq sa të kenë mundësi të modernizojnë edhe ato prodhimin dhe të jenë në kushte të barabarta konkurrence me vendet fqinje (procedurë që është e lejuar edhe nga OBT-ja nën klauzolën e mbrojtjes së industrive infantile).

Por nëse deri më sot, jemi fshehur pas këtyre justifikimeve, tani nuk ka më kohë pasi shumë shpejt mund të jemi ne që do të vuajmë për ato produkte dhe s’do të kemi mundësi t’i sigurojmë. Pa folur këtu për mundësitë e humbura për zhvillim, punësim dhe mirëqenie të shumë rajoneve të harruara. Për rikthimin e forcës punëtore nga emigrimi dhe për ripopullimin dhe rigjallërimin e vendit.

 

Çfarë mund të bëjmë?

Kjo pyetje e hapur pranon shumë përgjigje dhe ato duhet të vijnë nga shumë aktorë të tregut, qoftë nga qeveria, nga investitorë, nga sipërmarrës apo edhe nga konsumatorët. E fillojmë nga këta të fundit, nga konsumatorët.

Konsumatorët mund të bëjnë shumë duke zgjedhur të konsumojnë prodhimet vendase, duke i mbështetur kështu prodhuesit dhe duke e mbajtur paranë brenda vendit. Investitorët mund të kanalizonin fondet e tyre me investime në mbështetje të prodhimit vendas.

Sipërmarrësit të ndërmerrnin nisma prodhuese, duke rritur kështu ofertën e prodhimeve vendase dhe gjithashtu, edhe punësimin. Rritja e punësimit, nga ana tjetër, do të rriste fuqinë blerëse konsumatore dhe si pasojë, edhe kërkesën agregate që do të stimulonte investimet e kështu me radhë, nën këtë spirale rritëse ekonomia do të prosperonte duke ofruar më shumë mirëqenie dhe mundësi për të gjithë. Pra nëse të gjithë këta aktorë do ta bënin këtë, problemi do të zgjidhej vetvetiu me anë të “dorës së padukshme” të tregut dhe më e mira për vendin do të bëhej. Apo jo?

Por fatkeqësisht, përgjigjja është jo, pasi në tregjet e lira secili ndjek interesin personal dhe jo atë kombëtar. Pra konsumatori parapëlqen të blejë mallin më të lirë për cilësinë që kërkon dhe ky mall zakonisht vjen nga importi. Investitorët i dërgojnë fondet e tyre në investime më fitimprurëse ose më pak të rrezikshme, duke parapëlqyer shpesh t’i lënë paratë e tyre të flenë nëpër banka ose do të ndërmarrin risqe spekulative me rikthim të shpejtë e të lartë. Ndërkohë që sipërmarrësit preferojnë të ngrenë bizneset e betonit apo të tregtimit të mallrave të gatshëm pasi është më e lehtë se të angazhohesh në aktivitete prodhuese ku shpesh niveli i menaxhimit dhe ekspertizës janë më kërkues.

Pra ekonomia e tregut dhe tregjet e lira nuk na ofrojnë vetvetiu një stimul për të ngritur një ekonomi të fortë kombëtare, e cila së paku do të mjaftojë të ushqejë qytetarët e saj dhe të ndalojë këtë hemorragji 30-vjeçare të popullsisë. Për këtë arsye, Keynesi kërkonte ndërhyrjen e qeverisë për të tërhequr frerët e këtij kali të tërbuar që është kapitalizmi. Qeveria, me anë të politikave dhe strategjive konkrete, mund të harmonizojë interesat e aktorëve të mësipërm për të arrirë një objektiv të përbashkët ku të gjithë të jenë më mirë se më parë, pra një situatë win-win.

Por në kërkimin e ndërhyrjes së qeverisë, ne shqiptarët shohim fantazmën e komunizmit, i cili dirigjoi ekonominë për 45 vjet duke e dorëzuar atë tërësisht të falimentuar. Mbas 45 vjetëve erdhën edhe 30 të tjerë që përsëri treguan një qeverisje të paaftë, për të adresuar nevojat e shtetasve të saj, për të krijuar kushte dhe mundësi për zhvillim, apo për të shpalosur një vizion të modelit ekonomik që duhet ndjekur.

Në këtë realitet është e vështirë të frymëzosh apo të bësh dikë të besojë, e aq më shumë një popull, se me anë të koordinimit, ndihmës dhe ndërhyrjes së qeverisë do të arrijmë të ndryshojmë (për mirë) gjendjen e vendit. Kur them është e vështirë, mundohem të jem optimist pasi realisht duket e pamundur që ne shqiptarët të rigjejmë besimin në qeverisje. Unë jam pjesë e juaja, i zhgënjyer dhe i tradhtuar për të njëmijtën herë nga qeveritë e njëpasnjëshme dhe premtimet e tyre dhe kur po shkruaj këto rreshta, kam shumë dyshime në efikasitetin e kësaj që po kërkoj. Por, për fat të keq, nuk ekziston asnjë mënyrë tjetër për ta bërë këtë.

Tregjet e lira i provuam për 30 vjet dhe si rezultat, morëm një kaos në të gjithë sektorët ekonomikë, me industri të monopolizuara, me administratë të korruptuar, me shpërdorime dhe vjedhje masive të fondeve publike, me investime të shpërdoruara në sektorë joproduktivë etj., etj. Por gjërat duhet të ndryshojnë dhe ndryshimi vjen nga vullneti i shumicës dhe shumica e popullit është e lodhur nga gjendja e tanishme dhe kërkon ndryshim.

Është detyrë e specialistëve të fushave të ndryshme të ofrojnë zgjidhje dhe kjo ndodh duke hapur debate nga të cilët të arrijmë të ndërtojmë politika dhe strategji, të cilat më pas duhet të guxojmë t’i vëmë në jetë. Unë do të guxoj të hap këtë debat, duke ftuar të gjithë kolegët e mi të kontribuojnë në të. Do ta filloj me propozimet e mia se si mund të veprohet për të stimuluar dhe për të zhvilluar dy sektorë ekonomikë, që për momentin besoj se janë A-ja për të arritur tek Zh-ja: bujqësinë dhe industrinë e lehtë të përpunimit.

 

Disa propozime për rivitalizimin dhe zhvillimin e sektorit bujqësor

Në statistikat kombëtare, sektori i bujqësisë në vendin tonë kontribuon në rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) dhe punëson mbi 45% të fuqisë punëtore.

Pavarësisht se për ekonomitë e vendeve të zhvilluara bujqësia nuk është sektori më i rëndësishëm dhe kontributi i saj është modest, shpesh në nivele më të ulëta se 5% e PPB-së, për ekonomitë e vendeve në zhvillim është e nevojshme që ky sektor të fuqizohet i pari.

Sipas shumë studimeve, zhvillimi i bujqësisë kontribuon në fuqizimin e ekonomisë, duke krijuar vlerë të shtuar nën formën e ushqimit, lëndëve të para dhe tepricave në kapitale shumë të nevojshme për zhvillimin e sektorëve të tjerë, si industria e përpunimit dhe ajo e shërbimeve. Aktualisht, sektori bujqësor në vendin tonë është duke operuar nën kapacitetet e tij prodhuese dhe me një mungesë të theksuar eficence. Kjo, si pasojë e shumë faktorëve, duke filluar që nga mungesa e investimeve për të modernizuar procesin e prodhimit, mungesa e informacionit mbi kërkesën e tregut, problemet me kanalet e shitjes dhe gjetjen e tregut, etj. Atëherë, nga duhet t’ia nisim, çfarë duhet bërë dhe nga kush?

Këtu kemi nevojë për ndërveprimin e të gjithë aktorëve të tregut nën një vizion dhe objektiv të përbashkët. Kjo, në asnjë mënyrë nuk duhet të nënkuptojë detyrim apo nënshtrim të individit ndaj vullnetit të qeverisë, sado beninje të jetë ajo. Jo, në një sistem demokratik, ku liria dhe të drejtat e individit për të vendosur se si do t’i administrojë resurset e tij, janë të shenjta dhe çdo veprim i kundërt, do të ishte një hap gjigant mbrapa. Përvoja të shumta nga vende demokratike që kanë arritur të krijojnë suksese ekonomike, dëshmojnë se orientimi i ekonomisë është plotësisht i mundur, pa cenuar liritë ekonomike.

Mbështetur mbi bazat teorike të shkencës së ekonomiksit, dimë që njerëzit u përgjigjen stimujve apo incentivave. Në një sistem demokratik, qeveria s’mund dhe s’duhet të detyrojë asnjë të punojë, të investojë, të prodhojë, apo të konsumojë diçka që ai nuk dëshiron, por qeveria mund të krijojë kushte të favorshme, në mënyrë që individët të bëjnë atë që duhet me vullnetin e tyre të lirë.

Stimujt ndaj të cilëve njerëzit reagojnë janë 3 llojesh: moral, ekonomik dhe penal. Unë dua të ndalem kryesisht në dy të parët. Me anë të stimujve moralë ne mundemi, p.sh., të përdorim interesin kombëtar dhe ndjenjat e patriotizmit si shkak/ngacmim për të drejtuar konsumatorët të mbështesin prodhimin vendas përkundër atij të importit. Si stimul ekonomik duhet të krijojmë kushte të favorshme për individët, që të zgjedhin të punojnë, të investojnë dhe të ndërmarrin sipërmarrje prodhuese.

Dhe këtu kërkohet roli i qeverisë, e cila me anë të instrumenteve të ndryshëm, qofshin ata fiskalë dhe jo vetëm, mund të krijojë stimuj pozitivë që do të drejtojnë aktorët e tregut drejt zhvillimit të sektorit bujqësor, industrisë përpunuese dhe zinxhirit të vlerave që do të zhvillohet si pasojë e tyre.

Mbi një analizë të problematikës që vihet re në ekonominë tonë, në vazhdim do të rendis disa nga gjërat thelbësore, mbi të cilat duhet punuar për të rivitalizuar ekonominë prodhuese vendase (rreshtuar jo domosdoshmërish sipas radhës apo rëndësisë):

 

Prodhimi i informacionit

– Informacioni është një nga armët më të forta të kohës që po jetojmë dhe mundësitë që ofrohen për përpunimin e tij në mënyrë të shpejtë dhe të automatizuar e bëjnë atë gjithmonë e më të dobishëm. Në këtë prizëm, një nga informacionet më të domosdoshëm për ekonominë është kërkesa konsumatore. Pra për fermerët, por jo vetëm, do të ishte e rëndësishme të kishin informacion mbi sasitë e kërkuara të prodhimeve të ndryshme bujqësore, sasitë e prodhuara në vend dhe ato të importuara, si dhe çmimet mesatare të tregtimit në periudha të ndryshme të vitit. Pra thënë më thjeshtë, ajo që nevojitet është një Bursë e mallrave që tregtohen në vend. Të mirat e pasjes së një institucioni të tillë janë të shumta. Informacioni që do të prodhonte një bursë e tillë do të ndihmonte:

fermerët në orientimin e prodhimit drejt atyre produkteve për të cilët ka mungesë.

në ngritjen e kanaleve të pavarura të shpërndarjes

do të siguronte tregje të reja për të gjithë fermerët të cilët sot operojnë në një terr informativ dhe ngelen pre e spekulatorëve lokalë.

Etj.

 

Bashkimi bën fuqinë

– Që fëmijë na është mësuar kjo urtësi që Skënderbeu u la amanet princave në shtratin e vdekjes. Dhe me të vërtetë, në këtë shprehje ka një të vërtetë të madhe edhe në biznes. Nëse fermerët bashkohen me njëri-tjetrin, ata do të kenë kapacitet më të madh negociues, plus që mund të mobilizojnë kapitale më të mëdha për të ngritur struktura të specializuara, të afta për të menaxhuar interesat e tyre.

Këtu po flas për një formë korporate, pasi nuk dua të përdor termin kooperativë, i cili në vendin tonë duket se është djegur njëherë e mirë gjatë eksperimentit komunist. Për shembull, po përmend një nga bashkimet më të suksesshme të fermerëve në Europë që është kompania zvicerane COOP me mbi 2.5 milionë anëtarë. Kjo kompani e mbyll ciklin nga prodhimi në ferma, në shpërndarje dhe pastaj në shitje në supermarketet e saj, ku numërohen mbi 2,230 të tillë në të gjithë Europën me mbi 54,000 të punësuar.

Suksesi i saj vjen me specializimin e punës. Është absurde të pretendojmë që një fermer i vetëm të bëjë me efikasitet prodhimin, transportin dhe shitjen. Kjo nuk është e mundur në një ekonomi të hapur dhe konkurruese, pasi jemi duke folur për të paktën tre e më shumë profesione, ku për secilin prej të cilave duhet nga një diplomë universitare për ta bërë si duhet. Ti mund të jesh një agronom i mirë, një specialist logjistike, një financier, një marketier, apo një shitës, por s’mund të jesh të gjitha këto së bashku dhe të pretendosh se i bën të gjitha mirë.

Prandaj zgjidhja logjike është që ato të inkorporohen, pasi nën një organizim korporativ, fermerët do të optimizonin kostot e këtyre shërbimeve duke u mundësuar ruajtjen e çmimeve në nivele ku ato mund të gjenerojnë fitim. Kjo do t’ju sillte atyre edhe mbrojtje nga strukturat aktuale të tregut ku spekulatorë dhe grosistë, duke shfrytëzuar pozitën e tyre dominuese në treg, kërkojnë të marrin nga fermerët çmime qesharake shpesh edhe nën kosto. Sot, këtë e arrijnë lehtësisht, pasi fermerët e përçarë dhe pa akses në tregje, detyrohen të shesin lirë ose të mos shesin fare.

 

Stimuj fiskalë

– Nën këtë kategori mund të bëhet shumë dhe shpesh edhe pa shumë shpenzime dhe barrë mbi fondet publike. Për bujqësinë mund të ofrohet mbështetje me konsulencë apo me studime që mund të kryhen në bashkëpunim me universitetet, mbështetje në kreditim, garantim në kreditim, naftë më e lirë, TVSH preferenciale, etj. Për industrinë përpunuese vendase, mund të hartohen paketa stimuluese, ku mund të ofrohen lehtësime tatimore, bonuse për punësimin, preferenca për investime në rajone të prapambetura, etj.

 

Kompani aksionere

Për të ndihmuar në orientimin e prodhimit dhe në ndihmë dhe në nxitje të krijimit të strukturave industriale mund të konsiderohet nisma e shtetit në investimin në kompani aksionere të orientuara drejt prodhimit dhe punësimit strategjik, që do të ndihmonte në ngritjen e industrive të lehta në zona strategjike, apo në nevojë për zhvillim. Pra të mos rrimë duke pritur investime të huaja që s’po vijnë dhe siç duket me situatën e re ka gjithmonë e më pak mundësi të vijnë, por të tregohemi proaktiv.

Më vonë, apo edhe në faza të hershme, këto kompani të bëhen publike në sensin kapitalist, pra të tregtohen në bursa ku aksionet e tyre të jenë në shitje të lirë për publikun, duke i mundësuar kështu çdo qytetari të blejë pjesë të pronësisë në to. Kjo do të ishte një mënyrë efikase edhe për shtetin, për të bërë exit nga investimi fillestar, duke gjeneruar ndoshta edhe fitim, pra siç thotë populli “të vrasë dy zogj me një gur”. Në këtë mënyrë do të arrihej edhe një mundësi për diversifikim të investimeve që kryhen nga qytetarët. Dhe kjo është një nevojë imediate për të ndaluar shpërdorimin e kursimeve të shqiptarëve që deri më sot janë kanalizuar në sektorë jo shumë produktivë, në terma afatgjatë.

 

Bursa e Titujve

– Vënia në punë e bursës është esenciale për të siguruar mundësi për të mobilizuar kapitale në mënyrë direkte nga publiku, duke lidhur kështu investitorët me sipërmarrësit, gjë që do të aktivizonte fonde të shumta që flenë nën jastëk, apo hidhen në investime jo produktive.

Në të njëjtën kohë, do të ofronte një alternativë më të lirë kreditimi për sipërmarrësit. Gjithashtu, mundësia e kompanive për t’u listuar në bursë do të sillte benefite të shumta për ekonominë, duke mundësuar që sipërmarrje të reja të orientuara drejt prodhimit të kenë qasje në financim direkt e kështu me radhë.

 

Zgjedhja e prodhimit vendas

– Siç e përmenda edhe më lart, një stimul shumë efikas moral është edhe patriotizmi dhe solidariteti kombëtar. Strategji të tilla janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren me sukses në shumë vende të zhvilluara dhe në zhvillim. Sensibilizimi i popullatës për të zgjedhur për konsum prodhimin vendas arrihet me rezultate të shpejta dhe të matshme, me anë të fushatave të vazhdueshme sensibilizuese, të cilave shumë mirë mund t’u bashkëngjiten edhe personalitete me influencë publike, nga fusha të ndryshme.

Por në mënyrë që kjo të funksionojë plotësisht, është e rëndësishme që të ngrihet një sistem i mirë i gjurmimit të origjinës së produkteve ku mund të përdoren Indikatorët Gjeografikë (GI) apo edhe mënyra të tjera krijuese mbi të cilat mund të punohet për të identifikuar prodhimin vendas, për të krijuar identitete rajonale për prodhime tipike, etj.

Në këtë listë, përmenda vetëm disa nga gjërat që mund të bëhen në terma afatshkurtër dhe afatmesëm. Disa janë sipërmarrje të lehta dhe kërkojnë pak, por disa janë më ambicioze dhe kanë nevojë për më shumë dedikim dhe vullnet, mbi të gjitha. Shumë kolegë mund të kenë (besoj që kanë) edhe shumë propozime të reja, plotësime apo përmirësime.

Qëllimi i këtij shkrimi ishte pikërisht për të provokuar këtë debat në nivel akademik, ku profesionistë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë të mblidhen bashkë dhe të ofrojnë zgjidhje dhe së bashku t’i harmonizojmë ato në strategji dhe plane ekonomike konkrete, dhe të arritshme në diapazone afatmesme, pasi siç thotë edhe Keynesi “.. në terma afatgjatë të gjithë do të kemi vdekur.”

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Anton Ashta Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Anton Ashta
Guest
Anton Ashta

Shqipëria ka vdekur

Jam krejtesisht i vetdijshem per kete qe po shkruaj.
Autori ben nje analize te mire te gjndjes, por harron( nuk e kupton, teme me vete pse ja) thelbin:

Problemi themeltar vdekjeprures i Shqipërisê eshte DROGA.

Un jam dembel e pertoj te shkruaj gjate po do perpiqem.