Nga 1 janari, pragu i TVSH-së bëhet 10 mln lekë; 46 mijë biznese nuk do paguajnë 27 mln euro

23/07/2020 10:00 AM 0 komente

Këshilli i Ministrave ka zyrtarizuar vendimin për rritjen e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nga 2 milionë lekë në 10 milionë lekë, referuar qarkullimit vjetor të bizneseve, që do të jetë efektiv nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Sipas vendimit të fundit, “Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”. 2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen. Neni 3 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1.1.2021”.

46.1 mijë biznese mund të dalin nga skema e TVSH-së

Sipas të dhënave nga tatimet, numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë deri në fund të vitit 2019. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 është 3.4 miliardë lekë lekë, ose rreth 27 milionë euro .

Kjo shumë është po sa rreth 2.6% e TVSH-së së paguar në vend. TVSH është zëri kryesor që sjell të ardhura në buxhet dhe në 2019-n, nga ky zë u mblodhën 132 miliardë lekë, ose 43% e totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat.

Aktualisht për TVSH-në, pragu hyrës është 2 milionë lekë. Ky prag u ul dy vite më parë, nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim u kundërshtua hapur në atë kohë nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohej për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha.

Tashmë qeveria po e rrit pragun në 10 milionë lekë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of