Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për hapjen e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura, duke filluar nga 1 Tetori.
“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”, bën me dije ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një video mesazhi.
Duke theksuar se respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, Manastirliu kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit.
“Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha Manastirliu.
Do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin Korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji.
Në video-mesazhin e saj, Manastirliu tha se në 40 javë të epidemisë nuk janë ndalur për asnjë çast përpjekjet e ekipeve mjekësore dhe të gjithë sistemit shëndetësor.
“Kemi siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore, furnizimet e nevojshme dhe medikamente në spitalet Covid, kemi përgatitur për çdo eventualitet, dyfishimin e kapaciteteve në shtretër duke përfshirë edhe spitalet rajonale, kemi shtuar testimet, gjurmimin dhe kemi fuqizuar ekipet e epidemiologëve të terrenit, për të zbatuar sa më me efikasitet strategjinë tonë të kufizimit të përhapjes së koronavirusit”.
Dëmi nga mbyllja të paktën 54 mln euro
Baret e restorantet ishin të mbyllura për gati tre muaj, nga mesi i marsit deri në mesin e muajit maj dhe më pas ato u lejuan vetëm në ambiente të hapura. Mbyllja dhe hapja e pjesshme ka rezultuar me një dëm shumë të madh ekonomik në këtë sektor.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55% në tremujorin e dytë, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Në tremujorin e dytë 2019, ky indeks ishte rritur rreth 4% me bazë vjetore. INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375-390 milionë euro në vit, sipas të ardhurave gjithsej të raportuara në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve 2018 dhe volumit të rritjes prej rreth 4% në 2019-n.
Mesatarisht çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95-97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës rezulton të jetë shpenzuar 55% më pak, ose rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë, ose konsumit të pijeve e produkteve ushqimore për restorante.
Mbyllja e bareve dhe restoranteve ndikoi negativisht dhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e pasuar nga hotelet me -20.2% dhe fabrikat me -12.8%. në sektorin e akomodimit ushqimor (ku përfshihen baret e restorantet) ishin të punësuar rreth 50 mijë punonjës. Një rënie me rreth 32% e punësimit ka nxjerrë përkohësisht nga tregu i punës rreth 16 mijë persona.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.