Nga dita e mërkurë nuk do të ketë transport të udhëtarëve urban dhe ndërurban në gjithë Kosovë për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së transportit të udhëtarëve dhe Qeverisë.
Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportuesve Rrugorë ka vendosur që nga data 17 mars të zhvillojë protesta, duke bërë kështu që nga kjo datë të mos zhvillohet asnjë lloj i transportit publik në Kosovë.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë në një konferencë për media pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Drejtues se u vjen keq për qytetarët mirëpo ky sektor është shumë i dëmtuar nga siç ka thënë, vendimet e gabuara të Qeverisë në lidhje me pandeminë me COVID-19.
“Ju kërkojmë falje që nga data 17 mars Shoqata e Transportit Rrugor sapo mori vendimin për të hyrë në protestë për shkak të mospërbushjes së premtimit dhe marrëveshjes së nënshkruar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Shoqatës së Transportit Rrugor. Jemi i vetmi sektor në Kosovë që kemi përjetuar humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të keqmenaxhimit nga Qeveria me COVID-19 prandaj si rezultat i vendimeve të gabuara ne është dashur që për 13 muaj ta ndërprejmë punën, pas fillimit të punës më 1 qershor prapë ne jemi atakuar duke mos na lejuar që të shfrytëzojmë 100 për qind kapacitetin e autobusit në ulëse por shfrytëzojmë vetëm 50 për qind”, ka thënë Kurtishaj.
Ai ka thënë se kjo protestë do të zgjasë deri në realizimin e premtimeve dhe deri në realizimin e marrëveshjes së nënshkruar.
“Jemi sektori më i dëmtuar, por për fat të keq ky dialog me Qeverinë po mbetet vetëm nën hije. Sektori ynë mbetet një ndër sektorët me numrin më të madh të të punësuarve. Ndonëse u mashtruam nga qeveria në detyrë, që kemi hasur në kundërshtim të mbajtjes së premtimit të dhënë më 24 janar për ndarjen e fondeve të këtij sektori në formë subvencionimi”.
Kurtisha u ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti dhe ministrit të Financave që ta marrin seriozisht kërkesën e transportit të udhëtarëve. Ndërkaq sa u përket qytetarëve, ai ka thënë se zgjidhjen për transport atyre duhet t’ua bëjë Qeveria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.