Qeveria e Shqipërisë ka orientuar vitet e fundit fondet publike në investime në rrugë, kryesisht me koncesione të Partneritetit -Publik Privat, por sakaq gjendja e rrugëve nacionale në vendin tonë po degradon më ritme të shpejta, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës.
Në vitin 2015, pas një inventari në rrjetin Kombëtar të Rrugëve, u vlerësuan me status në gjendje të mirë 1200 kilometër në rrjetit kombëtar. Në vitin 2019 Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vlerësuar vetëm 572 kilometër rrugë të Rrjetit Kombëtar në gjendje të mirë.
Rrugët në gjendje të mirë janë pakësuar me 52 për qind ose 628 kilometër në katër vite. Ndërsa operatorët që menaxhojnë kontratat e mirëmbajtjes me përformancë të mbështetura nga Banka Botërore kanë raportuar se fondi i rrugëve kombëtare në gjendje të mirë është vetëm 810 kilometër.
Matjet nga burime të ndryshme sugjerojnë se, cilësia e rrugëve kombëtare në vend është përkeqësuar me ritme të shpejta në katër vitet e fundit, edhe pse për mirëmbajtjen e tyre tashmë ka kontrata private.
Qeveria kishte marrë angazhimin që në vitin 2019 fondi i rrjetit kombëtar të rrugëve në gjendje të mirë të arrite në 1382 kilometër, me 182 kilometër më shumë se më 2015, mirëpo situata ka shkuar në të kundërtën. Jo vetëm që nuk është shtuar as kilometër e re, por përkundrazi është shkatërruar gjysma e rrugëve në gjendje të mirë.
Më i dëmtuar paraqitet aksi Elbasan – Skurraj – Peshkopi, me gjatësi 117 kilometra. Të gjitha segmentet e kësaj rruge, që lidh disa qytete të Veriut, janë në gjendje shumë të keqe. Në të njëjtën gjendje është edhe aksi tjetër Elbasan – Cërrik – Gramsh, me gjatësi 41 kilometër që është tërësisht në gjendje të mjerueshme.
E dëmtuar në gati 95% të shtrirjes së saj është edhe rruga Pusi i Mezinit – Sarandë, me gjatësi 121 kilometër, pjesë e aksit kombëtar. Në të njëjtën gjendje është edhe rruga e vjetër Shkodër – Kukës me gjatësi 138 kilometra, e cila është thuajse totalisht e dëmtuar.
Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtarë.
Më 2015 Autoriteti Rrugor Shqiptar inventarizoi rrjetin kombëtar të rrugëve në vend dhe inspektoi cilësinë e tyre nën një projekt të Bankës Botërore, që ka mbështetur me një hua mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar në vend nëpërmjet katër kontratave që menaxhohen nga privatët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.