Huatë me probleme arritën 11 për qind të totalit në fund të muajit gusht duke shënuar nivelin më të ulët që nga fundi i vitit 2009, por që nga viti 2015 e deri në 6-mujorin e parë të vitit 2019, bankat kanë fshirë nga bilancet 57.4 miliardë (466 mln euro) kredi të humbura, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Fluksi i fshirjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme gjatë 2 viteve të fundit, duke reflektuar pakësimin e kredive të humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se 3 vite.
Banka e Shqipërisë vlerëson që procesi i fshirjeve mbetet i nevojshëm për të ulur më tej nivelin dhe raportin e kredive me probleme, dhe për të çliruar burimet që bankat mund t’i angazhojnë më mirë drejt kreditimit.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë miratoi së fundi një ndryshim rregullativ, sipas të cilit bankat duhet të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se dy vite. Ky ndryshim pritet të rrisë kontributin e procesit të fshirjeve të kredive të humbura, në uljen e kredive me probleme. Në tërësi, pavarësisht prirjes pozitive të rënies së kredive me probleme, Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat duhet ta ruajnë fokusin në këtë proces.
Gjatë 6-mujorit të parë 2019 vlerësohet se bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 2 miliardë lekë kredi të humbura, dhe kjo vlerë ishte më e vogël në krahasim me kreditë e fshira në periudhat paraardhëse.
Banka e Shqipërisë argumenton se procesi i fshirjeve, ristrukturimeve dhe shlyerjeve të kredisë, është shoqëruar me ndryshimin e strukturës së kredive me probleme, ku pesha e kredive të humbura ka rënë në 45%.
Ky ndryshim i strukturës, ka shkaktuar efektin statistikor të rënies me gati 4.4 pikë përqindjeje të raportit të mbulimit të kredive me probleme me fonde rezervë, në nivelin 62%.
Huatë me probleme (NPL) kanë zbritur në nivelin më të ulët që nga tremujori i katërt i vitit 2009, kur ky tregues ishte 10.3%. Më pas, NPL-të filluan një rritje të shpejtë për të arritur një nivel rekord, që nga fillimi i viteve 2000, prej gati 25% në shtator 2014. Treguesi filloi sërish uljen, sidomos pas fundit të 2016-s, duke reflektuar dhe planin e Bankës së Shqipërisë për të ulur kreditë me probleme, që përfshiu ristrukturimin e një sërë huave si dhe fshirjen nga bilanci të kredive që kishin më shumë se 3 vjet që nuk ktheheshin.
Shlyerjet dhe fshirjet kanë ndikuar me rënien në 45% të peshës së kredive të humbura në totalin e kredive me probleme, raportoi Banka e Shqipërisë në raportin e stabilitetit financiar për 5-mujorin e parë 2019.
Në uljen e gushtit ka ndikuar pozitivisht dhe rritja e huasë për ekonominë, teksa treguesi i NPL-ve llogaritet në raport me huanë e dhënë në total.
Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.