Nga 2021 rriten kërkesat minimale për kapital, ja shtesat sipas bankave

28/10/2020 12:00 PM 0 komente

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, bankat shqiptare duhet të përmbushin kërkesat për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Kërkesat më të larta lidhen me shtesat makroprudenciale, që duhet t’u bashkëngjiten kërkesave të rregullores organike për mjaftueshmërisën e kapitalit.

Raporti bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare në Shqipëri është 12%. Duke filluar nga 1 janari 2021, bankat duhet të kenë përmbushur edhe shtesën konservuese të këtij raporti, në masën 1%.

Rrjedhimisht, duke filluar nga viti i ardhshëm, raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit do të rritet në 13% për të gjitha bankat. Por, për bankat me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë.

Shtesa e kapitalit për bankat me rëndësi sistemike do të jetë 0.5% për bankat OTP Albania dhe Intesa Sanpaolo, çka do ta çojë raportin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit për këto banka në 13.5%. Ndërkohë, për tre bankat më të mëdha në vend, shtesa sistemike e kapitalit do të jetë 1%. Rrjedhimisht, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins dhe Raiffeisen Bank që nga fillimi i vitit të ardhshëm duhet të kenë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej të paktën 14%.

Për BKT, Banka e Shqipërisë ka miratuar një shtesë sistemike kapitalit edhe më të lartë, në masën 1.5%, që do ta çojë raportin e kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit në 14.5%. Por, pjesa prej 0.5% e kësaj rritjeje nuk do të jetë e detyrueshme për t’u arritur në vitin 2021.

Rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit u miratua që në mesin e vitit 2019, me synimin që këto shtesa të nisnin të aplikoheshin gradualisht. Qëllimi ishte pikërisht që bankat të ishin më të sigurta përballë krizave eventuale në të ardhmen. Por, pandemia e Covid-19 bëri që në fakt kriza e radhës të vinte shumë më shpejt nga sa pritej, çka mund ta vendosë shpejt në provë kapitalizimin e sektorit bankar.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit publikohet nga Banka e Shqipërisë me bazë tremujore dhe në mesin e këtij viti ky raport ishte 18.1%. Mbështetur në të dhënat më të fundit, të gjitha bankat e sistemit janë sipër kërkesave minimale rregullatore që do të hynë në fuqi vitin e ardhshëm. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga 12 banka të pranishme në treg, 10 prej tyre e kanë raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit sipër nivelit të 15%, ndërsa dy prej tyre janë në intervalin mes 14% dhe 15%./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of