Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka informuar rreth fazës transitore të kalimit të numrave nga Z-Mobile në VALA.
Istrefi ka thënë se faza transitore e rikthimit të numrave të MVNO-s e cila zgjatë 120 ditë, do të përfundojë me datën 28.11.2019 në ora 00:00.
“Faza tranzitore e rikthimit të numrave të MVNO-s e cila zgjatë 120 ditë, do të përfundojë me datën 28.11.2019 në ora 00:00. Të gjithë konsumatorët e Z-Mobile, të cilët prej kësaj date do të jenë konsumatorë të VALA-s, nuk do të kenë asnjë nevojë për ndryshimin e SIM kartelave, sepse të njëjtat do të funksionojnë sikur para kësaj date, veçse ofertat dhe produktet që do të përdorin do të mund t’i blejnë në të gjitha pikat tona të shitjes. Unë, si kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, i kam siguruar qysh në fillimin e fazës tranzitore dhe i siguroj prapë të gjithë konsumatorët se në asnjë moment nuk do të mbesin pa shërbime”.
Rikthimi i mbi 200.000 numrave të operatorit virtual do të përcillet me oferta të veçanta.
Telekomi i Kosovës falënderon të gjithë konsumatorët që besojnë në VALA dhe i fton të qëndrojnë besnik ndaj shërbimeve tona. #ValaeKosoves
Mirëpo, Telekomi i Kosovës ka pranuar nga ana e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë – International Chamber of Commerce (ICC), njoftimit se Dardafon.net (Z-Mobile) ka paraqitur Padi kundër Telekomit të Kosovës, kjo në lidhje me mos-vazhdimin e Marrëveshjes për Operatorin Mobil Virtual (MVNO) të vitit 2009 (Marrëveshja me MVNO).
Pas mbajtjes së mbledhjes nga Bordi i Telekomit, përmes një reagimi thuhet se nga njoftimi i pranuar nga ICC sqarohet se Dardafon.net ka kërkuar që të lëshohet një Masë e Sigurisë në atë mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me MVNO dhe të vazhdohet ofrimi i Shërbimeve për klientët e Z-Mobile, dhe që Telekomi i Kosovës të paguaj dëmshpërblim.
“Bordi i Telekomit ka mbajtur një mbledhje urgjente sot me datë 02 Nëntor 2019, kjo së bashku me Menaxhmentin, ku janë adresuar hapat e ardhshëm të përgjigjes në Padi dhe procedurën”, thuhet në njoftim.
Bordi i Drejtorëve thotë se siguron aksionarin, sindikatën, dhe publikun që të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me mos-vazhdimin e afatit të validitetit të MSA-së me Z-Mobile janë marrë në tërësi, siç thuhet në kumtesë, “në pajtim me ligjin e aplikueshëm, dhe në pajtim me të dhënat financiare dhe ekspertizat teknike ndërkombëtare që kanë sugjeruar të mos vazhdohet kjo kontratë”.
“Faktor kyç në Vendimin e Bordit të Drejtorëve për mos-vazhdimin Marrëveshjes së MSA-së me kushte të njëjta ka qenë Raporti i Ekspertëve Financiar dhe Teknik ndërkombëtar, të cilët kanë kuantifikuar dëme dhjetëra milionëshe në baza vjetore nga Kontrata me Z-Mobile. Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve është bazuar edhe në opinionin e ekspertëve ligjor për mundësinë e mos-vazhdimit të Kontratës”, thuhet në njoftim.
Mbi këto rrethana, thuhet në kumtesë, ka qenë e qartë se Vendimi për të mos-vazhduar Kontratën me Z Mobile është bërë në të mirën e Telekomit dhe të qytetarëve. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.