Plane biznesi për të arritur emetime zero në pak vite, investime për të rritur sipërfaqen e pyjeve dhe për të reduktuar dioksidin e karbonit, software që tregojnë ndryshimet që ka pësuar planeti ynë. Gjigantët e Silicon Valley janë gjithnjë e më shumë “green” dhe mobilizohen me rastin e Ditës së Tokës, më 22 Prill.
Facebook ka nisur një sërë nismash me këtë temë (sfonde, imazhe, hashtag) në aplikacionet e tij. Platforma e Mark Zuckerberg vendosi objektiva “green” në vitin 2018. Rezultatet janë të dukshme që në vitin 2020, duke mbështetur gjithë aktivitetet e tij me energji 100% të rinovueshme. Dhe, në tre vitet e fundit, ka reduktuar me 93% emetimet e gazit serrë.
Në anën tjetër, Apple njoftoi pak ditë më parë nismën Restore Fund, në bashkëpunim me Conservation International dhe Goldman Sachs për të eliminuar të paktën 1 milion tonë dioksid karboni në atmosferë brenda vitit 2030. Fondi prej 200 milionë dollarësh synon t’i japë jetë një modeli financiar të zbatueshëm, në mënyrë që të rrisë investimet në pyje. Nisma është pjesë e qëllimit më të madh të kolosit me seli në Cupertino për t’u bërë “carbon neutral” në gjithë zinxhirin e tij të vlerës brenda vitit 2030. Kjo do të thotë se ndikimi i iPhone, iPad, kompjuterëve Mac e gjithë pajisjeve të tjera të grupit do të jetë zero.
Me rastin e Ditës së Tokës, Google ka shtuar një funksion të ri në platformën Earth. Quhet Timelapse dhe ju lejon të shihni gjithë ndryshimet që ka pësuar planeti ynë në 36 vitet e fundit, nga viti 1984 në vitin 2020, për shkak të shpyllëzimit, ndryshimeve të klimës dhe urbanizimit të tepruar. Projekti u realizua së bashku me NASA-n dhe është e para nismë civile e vëzhgimit të Tokës, që përdor edhe satelitët Copernicus të Bashkimit Europian. Pak muaj më parë, “Big G” njoftoi edhe kthesën e tij të gjelbër, duke u angazhuar të përdorë energji “carbon free”, 7 ditë në 7 brenda vitit 2030. Në vlerësimin e kompanisë, brenda vitit 2025, angazhimi mjedisor do të gjenerojë “mbi 20,000 vende të reja pune, për energjinë e pastër dhe në sektorët që lidhen me të, në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës”.
Në shtator 2019, edhe Amazon, premtoi emetime zero të dioksidit të karbonit brenda vitit 2040, 10 vite më herët parashikimit në Marrëveshjen e Parisit mbi Klimën. Amazon ka nisur një plan të gjerë që do ta bëjë kolosin e e-Commerce të përdorë energji të rinovueshme 100% brenda vitit 2030. Kolosi i e-Commerce ka promovuar edhe një etiketë ‘Climate Pledge Friendly’ për t’ua vënë gjithë mallrave që respektojnë mjedisin. Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Amazon ndërpreu shitjen e objekteve plastike njëpërdorimshme në vendet e BE-së ku vepron.
Burimi: ANSA