Nga bar-restorant, tek sallat e konferencave, shërbimet që hotelet me 5 yje do t’i ofrojnë me TVSH 6% 

25/10/2017 8:01 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Hotelet me 4 dhe 5 yje, që do të marrin një status special, do të përfitojnë një sërë lehtësish fiskale. Qeveria ka gati një paketë për turizmin, e cila do të synojë tërheqjen e atyre që njihen si “brand name”(zinxhirë të njohur ndërkombëtarë hotelesh).

Një pjesë të këtyre lehtësive qeveria i ka vendosur që në Paketën Fiskale 2018 ndërkohë që kriteret që do të përdoren për marrjen e statusit special pritet që të përcaktohen me një vendim të veçantë.

TVSH, 6% për furnizimin e shërbimeve në hotele

Pak para zgjedhjeve, qeveria vendori që për të gjithë strukturat akomoduese në vend të ofrohej një shkallë Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar në nivelin 6% vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes. Për hotelet me 5 yje që do të kenë statusin special (marka të mirënjohura) TVSH-ja e reduktuar do të shtrihet përtej shërbimit të fjetjes.

Kjo do të thotë që ato do të kenë këtë shkallë edhe për furnizimin e shërbimeve si bar-restorant, pishinë, sauna, shezlongë, masazhe, salla konferencash dhe çdo shërbim tjetër.

“Nisur dhe nga potencialet e mëdha, si nga pikëpamja gjeografike, klimatike, etj., në fushën e turizmit që ofron vendi ynë,  vlerësohet i nevojshëm promovimi dhe incentivimi i një turizmi gjithnjë e më shumë elitar, duke ofruar standarde të larta në strukturat akomoduese të nivelit “Hotel me pesë yje, status special”. Kjo për të bërë të mundur thithjen e sa më shumë investitorëve të mëdhenj në vendin tonë, si dhe praninë e markave të mirënjohura në fushën e hotelerisë”, thuhet në relacion në argumentim të politikave nxitëse.

Përjashtimi nga tatim fitimi

Statusi special i çdo investitori në sektorin e turizmit do t’i jepet përmes kushteve të veçanta nga ana e qeverisë. Ai do ta ketë këtë status për një afat 10-vjeçar ku do të trajtohet me lehtësi fiskale duke mos paguar një seri taksash.

“Në nenin 1 parashikohet përjashtimi nga tatimfitimi i “Strukturave akomoduese ‘Hotelet me 4 & 5 yje’, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të turizmit. Përjashtimi nga tatim fitimi i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në vitin dhjetor 2024.

Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Ky parashikim është bërë me qëllim dhënien e inventives në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik, atëherë kur ky aktivitet realizon fitim”, thuhet në relacion.

Taksa e infrastrukturës bëhet zero

Në draftin “Për taksat vendore”, qeveria ka propozuar që hotelet me 4-5 yje që kanë status special të kenë taksë infrastrukture zero nga 4$  të vlerës së investimit që është kjo për Tiranën dhe 1-3% për pjesën tjetër të vendit.

“Në kuadër të Paketës së Turizmit, duke qenë se taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë që rëndon drejtpërdrejt dhe paguhet që në fillim të investimit, Qeveria ka ndërmarrë incentiva lehtësuese me qëllim reduktimin e kostove të investitorëve në sektorin e turizmit, duke i përjashtuar nga pagimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë”, thuhet në relacion.

Në të nuk bëhet një përmbledhje e efektit që do të ketë në buxhet pjesa e këtyre masave, duke qenë se hotelet që do të përfitojnë nga statusi special ende nuk janë të përcaktuara dhe nuk ka një vlerësim konkret të investimeve potenciale.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of