Adriatik Spahiu, Drejtues Teknik, kompania DSO
Si ka qenë kërkesa në dy javët e fundit kur është ngritur edhe alarmi për koronavirusin në vendin tonë?
Ne kemi pasur shumë kërkesa këto ditë. Në disa raste na duhet të aplikojmë radhë për t’ju përgjigjur klientëve që na marrin. Ka fluks të atyre që duan të marrin këtë shërbim pranë shtëpive, bizneseve apo institucioneve të tyre.
Çfarë biznesesh apo njësish janë kryesisht ato që kanë kërkuar shërbimin tuaj të dezinfektimit?
Nga më të ndryshmet, duke nisur nga call center, shkolla private jopublike, kopshte, çerdhe, bar-kafe, dyqane tregtimi joushqimore, institucione publike si Ministria e Arsimit, për shembull, që kishim këto ditë, apo Autoriteti Rrugor Shqiptar. Këto të fundit, shërbimin e marrin përmes procedurës së prokurimit.
Prej sa kohësh operoni në treg?
“Dezinfektim Specializuar Objektesh”, apo DSO, operon prej 10 vjetësh në treg me shërbimet e saj. Pavarësisht kësaj, për momentin ajo që po kërkohet më së shumti është dezinfektimi, që ka të bëjë me situatën e krijuar nga koronavirusi. Rritja është e jashtëzakonshme. Nëse në një muaj normal, ne kryenim shërbime të kësaj natyre në minimalisht 10 njësi, vetëm këto ditë, me këtë situatë, na është dashur t’u përgjigjemi mbi 50 kërkesave për subjekte të ndryshme.
Ku konsiston procesi që aplikoni, çfarë risku kanë?
Procesi konsiston në ngordhjen e mikrobeve patogjene, përmes pastrimit të sipërfaqeve me alkool etilik 96 gradë. Produktet që përdoren janë të tilla që nuk përbëjnë kërcënim për jetën e njerëzve, ndërkohë që edhe forma e aplikimeve apo informacionet që u jepen individëve pas përfundimit nuk kanë asnjë risk.
Ju përmendët se ka sidomos biznese të interesuara për të dezinfektuar ambientet. Po nga individët, apo familjet, a keni pasur kërkesa për këtë shërbim? Sa është kostoja e përafërt e shërbimit?
Edhe individët kanë pasur interes të dukshëm për shërbimin. Janë familje që kanë vila apo mjedise private, që kanë dashur t’i dezinfektojnë. Ka pasur kërkesa edhe nga banorë pallatesh që kanë kërkuar dezinfektimin e ambienteve të përbashkëta, siç janë shkallët apo parvazet. Kosto fikse për shërbimin nuk mund të kemi, sepse kjo varet nga sipërfaqja e objektit, apo njësia që kërkon shërbimin. Por, për shembull, dezinfektimi i mjediseve të përbashkëta nëpër pallate u ka kushtuar çdo familjeje 200 lekë. Kjo shumë është mbledhur nga administratori, i cili ka bërë dhe lidhjen me kompaninë, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të procesit. Gjithsesi kompania, për mënyrën si aplikohen këto shërbime, ka në përbërje të stafit edhe drejtuesin teknik, për të siguruar mbarëvajtjen dhe kryerjen brenda parametrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.