Nga CR7 te Messi, me Brexit u rrezikohet hyrja në Mbretërinë e Bashkuar

09/10/2019 4:49 PM 0 komente

Edhe bota e futbollit është në pritje se çfarë do të ndodhë me Brexit, procesi i largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Në këtë kuptim, është interesant, pozicioni i atyre futbollistëve që në të kaluarën janë akuzuar për mashtrim fiskal, si për shembull Cristiano Ronaldo, Marcelo, Lionel Messi apo Diego Costa (në pritje të gjykimit).

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian mund të sjellë zhvillime negative për këta lojtarë, të cilët mund të përjashtohen nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane (nga Champions League te Kampionati Europian) në ekipet përkatëse apo kombëtare në tokën britanike.

Arsyen e kësaj problematike e shpjegon eksperti në çështjet e emigracionit, Andrew Osbourne, avokat në kompaninë ligjore “Lewis Silkin”. Në një intervistë për “The Athletic”, avokati thotë se aktualisht “ekziston një pikë specifike në lidhje me ndeshjet europiane. Një qytetar i Bashkimit Europian, me një dënim penal, mund të shkojë në Mbretërinë e Bashkuar, me kusht që të mos konsiderohet një kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Por, “nëse nuk është një qytetar i Bashkimit Europian, dhe ka marrë një dënim, edhe nëse është pezulluar, personit në fjalë i ndalohet të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar. “Një numër i madh lojtarësh të famshëm janë dënuar për evazion fiskal, disa prej të cilëve të pezulluar. Deri tani, atyre nuk u është dashur të shqetësohen për këtë problem, në momentin që kanë pasaportë europiane” – shpjegoi Osbourne.

Ky është rasti, për shembull i Messi-t (i dënuar me 21 muaj); Marcelo (4 muaj); Modric (8 muaj); Diego Costa (i cili sapo është shpallur fajtor për evazion fiskal) apo Cristiano Ronaldo (23 muaj).
“Pas Brexit, këta lojtarë mund të mos hyjnë dot në vend – thotë Osbourne, – pasi mund të trajtohen si qytetarë të vendeve të treta. Kjo mund t’u sjellë probleme skuadrave që marrin pjesë në UEFA Champions League”.

Megjithatë, siç nënvizon “Sun”, nëse shfaqet një skenar i tillë për Ronaldo dhe futbollistë të tjerë, është e arsyeshme të mendohet për një zgjidhje, për të korrigjuar këtë problem, dhe që Ministria e Brendshme e Britanisë të bëjë një përjashtim për lojtarët, duke u dhënë një leje të përkohshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of