Duke filluar nga e enjtja, përdorimi i maskës do të jetë i detyrueshëm në ambientet dhe hapësirat publike.
Në një dalje për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, deklaroi se patrullat policore do të jenë në terren për të monitoruar në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike.
Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale.
“Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit.
Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi. Së dyti, me marrjen e një mase të tillë, synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes.
Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë. Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi.
Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre. Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm”, përfundoi Veliu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.