Pas shumë dështimeve, javën e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës arritën që të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Menjëherë pas dekretimit të Presidencës, Ligji është publikuar në Gazetën Zyrtare. Kurse nga dita e premte, hapet sistemi online për tërheqjen e 10% nga Trusti
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, bëri të ditur se ditën e premte, nga ora 15:00, do të hapet ueb-faqja për aplikim, për tërheqjen e 10% nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Këtë deklaratë, Hoti e bëri pas takimit me përfaqësuesit e Trustit dhe Bankës Qendrore të Kosovës.
“E falënderoj Trustin dhe BQK-në, për kryerjen e të gjitha procedurave në mënyrë që qytetarët, shumë shpejt, të fillojnë procedurën e aplikimit për tërheqjen e këtyre fondeve. Nga informatat që morëm është hapur edhe ueb-faqja. Të gjitha përgatitjet janë bërë, të premten në orën 15:00 hapet sistemi për të aplikuar për tërheqjen e mjeteve”, tha kreu i ekzekutivit.
Kryesuesi i Bordit Drejtues të Trustit, Ruzhdi Morina, tha se janë duke punuar në 24 orë në përgatitjen e fillimit të aplikimit për tërheqjen e mjeteve nga qytetarët. Ai tha se për të aplikuar, qytetarët do të duhet të japin vetëm numrin personal dhe atë llogarisë bankare.
“Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë, llogaria bankare dhe numri personal. Presim që shumë shpejt të bëhen pagesat për aplikimet. Së pari presim që pagesat të bëhen para fundvitit”, tha ai.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se është nënshkruar marrëveshje për shkëmbim të të dhënave për 70 mijë persona.
“Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për shkëmbin të informacionit, të dhënat për 700 mijë persona janë ndarë në sistemin e përbashkët, të cilat do ta lehtësojnë sistemin e aplikimit”.
Rukiqi tregon implikimet praktike të Ligjit për Rimëkëmbje
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka treguar implikimet praktike të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në sektorin privat.
Si implikim të parë, Rukiqi sheh qasjen në financa dhe sigurimin e likuiditetit për kompanitë.
Më poshtë sjellim shkrimin e Rukiqit, ku tregon në detaje katër implikimet praktike të Ligjit.
Implikimet praktike të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike për sektorin privat
1) Qasja në financa dhe sigurimi i likuiditetit për kompanitë: Kompani nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Kanë rënie të qarkullimit në shkallë të ndryshme. Kjo rënie e qarkullimit e ka vështirësuar aftësinë e kompanive për t’i mbuluar shpenzimet që krijohen gjatë operimit. Në rastet kur kompanitë kanë probleme financiare në Kosovë, alternativë të vetme ku drejtohen e kanë bankën.
Në tërë periudhën e pandemisë, bankat kanë shtrënguar kriteret e financimit afatshkurtër apo afatgjatë për bizneset nga sektorët që kanë rënien më të madhe të qarkullimit. Dispozitat e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike që mundësojnë dritare të reja garantuese për bizneset, nëpërmjet Fondit për Garantimin e Kredive, krijojnë mundësi që bizneset me garancinë e shtetit të sigurojnë financime të reja nga bankat, për likuiditet (kapital qarkullues) apo projekte investive dhe të kenë më shumë komoditet për ristrukturim të pozicionit të tyre financiar. Mbi 100 milionë pritet të jetë skema e garantimit të kredive, gjë që mundëson mobilizim të rreth 400 milionë eurove, për financim të bizneseve;
2) Ligji për Rimëkëmbjen, krijon bazë ligjore për një “kuazi” amnisti fiskale, për të lehtësuar gjendjen financiare të bizneseve që nuk kanë arritur të paguajnë tatimet e rregullta, rrjedhimisht janë ballafaquar me ndëshkime/gjoba tatimore dhe me kamata për shkak të vonesave në pagesën e tatimeve. Një pjesë e ndëshkimeve dhe kamatave për vonesat në kryerjen e obligimeve tatimore do të “falen”, për të lehtësuar gjendjen e renduar të bizneseve të ndikuara nga pandemia;
3) Për prodhuesit vendorë: Përparësi në projektet e financuara me paranë publike (blerjet përmes prokurimit publik) dhe TVSH ) 0% për lëndën e parë të blerë brenda vendit (kjo mase pritet të rrisë aftësinË konkurruese për bizneset vendore që prodhojnë lëndë të parë);
4) 200 milionët për financim direkt të bizneseve: Në mënyrë që këto mjete të kenë efektin maksimal në ekonomi, të njëjtat duhet të shpërndahen shpejt. Duhet të ndërtohet një sistem i thjeshtë për aplikim dhe shpërndarje. Kësaj radhe ka më shumë kohë për planfikim të shpërndarjes, prandaj duhet të prioritizohen më mirë sektorët. Sektorët me rënie më të madhe të qarkullimit duhet të pranojnë vlerë më të lartë nga këto mjete. Po ashtu duhet të ketë skema të veçanta të financimit për: eksportin, ekonominë dixhitale, ekonominë e gjelbër, bizneset e reja, gratë në biznes dhe riaftësimin e fuqisë punëtore.
105 mijë qytetarë, vetëm nga 100 euro në Trust
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar votuan në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Pas miratimit, Ligji u dekretua nga Zyra e Presidencës dhe hyri në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Qeveria e Kosovës, me ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Nenit 7 të këtij Ligji i shtohet paragrafi “Përjashtimisht, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, në përputhje me nenin 12A të këtij Ligji. Mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit, sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë euro (9,999.00 euro) kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë se rimbursimit që vendoset me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në konsultim me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, brenda afatit prej gjashtë (6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji”.
Sipas këtij ndryshimi, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.
“Pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës së njësive që ka çdo aplikant në Llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës. Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga Tatimi në të Ardhurat Personale”, thuhet në Ligj.
Fondi Pensional i Kosovës, kohë më parë, kishte publikuar të dhënat sesa është vlera që qytetarët kanë në llogaritë e tyre. Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33% e tyre. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30% e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë. Deri në 100 euro në llogaritë e tyre në Trust i kanë 105 mijë qytetarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.