Nga e shtuna, Parisi dhe qytete të tjera franceze në shtetrrethim, Europa rrit kufizimet e Covid-19

15/10/2020 11:37 AM 0 komente

Franca u bë vendi i fundit europian që ashpërson masat anti-Covid, duke vendosur shtetrrethim në Paris dhe tetë qytete të tjera duke filluar nga e shtuna, ndërsa Gjermania dhe Irlanda gjithashtu shtrënguan masat.

“Ne duhet të veprojmë. Ne duhet të vendosim një frenim në përhapjen e virusit,”  tha Presidenti Emmanuel Macron, duke njoftuar një mbyllje midis orës 21:00 dhe 6:00 të mëngjesit që do të mbetet në fuqi për gjashtë javë.

Qytetet e tjera kryesore franceze si Lioni, porti Mesdhetar i Marsejës dhe Toulouse do të vendosin në mënyrë të ngjashme shtetrrethimin, ku përfshihen rreth 20 milionë njerëz në të gjitha, nga një popullsi totale prej rreth 67 milionë.

Qeveria franceze pritet të zgjasë edhe gjendjen e jashtëzakonshme.

Situata përkeqësohet në vendet europiane

Me mbi një milion vdekje për shkak të virusit dhe gati 40 milionë raste në të gjithë botën, rajone si Europa që frenuan valën e parë po përballen me zgjedhje të vështirë se si të kontrollojnë një valë të re pa shkaktuar dëme të mëtejshme ekonomike nga bllokimet e vendosura në të gjithë vendin.

Në Gjermani, Kancelarja Angela Merkel njoftoi masa më të ashpra mbi tubimet dhe mbajtjen e maskave.

“Unë jam e bindur se ajo që po bëjmë tani do të jetë vendimtare për mënyrën se si do kalojmë përmes kësaj pandemie,” tha ajo.

Infeksionet e reja në Gjermani vazhduan të rriten të mërkurën, duke kapërcyer 5 mijë raste ditore, një nivel që nuk është parë që nga bllokimi i imponuar në pranverë.

Në Spanjë, baret dhe restorantet do të mbyllen në të gjithë rajonin verilindor të Katalonjës për 15 ditët e ardhshme ndërsa vendi po përballet me një nga nivelet më të larta të infeksionit në Bashkimin Europian, me gati 900 mijë raste dhe mbi 33 mijë vdekje.

Në Holandë, gjithashtu hynë në fuqi masa të reja, duke përfshirë kufizimet në shitjen e alkoolit dhe kërkesat e reja për maska. Të mërkurën, qeveria irlandeze njoftoi planet për të mbyllur pub-et dhe restorantet për katër javë, si dhe për të forcuar kufizimet në tubimet.

Kryeministri britanik Boris Johnson është gjithashtu nën presion për të vendosur masa më të rrepta për të ulur nivelin në rritje të virusit në Angli, duke përfshirë një bllokim dyjavor.

Johnson tha se një bllokim i ri në mbarë Mbretërinë e Bashkuar do të ishte një “katastrofë”, por refuzoi ta përjashtonte si mundësi, pasi komiteti këshillimor shkencor i qeverisë miratoi një mbyllje të përkohshme.

Dhe në Itali, autoritetet regjistruan 7,332 raste të reja në 24 orët e fundit, niveli më i lartë ditor i regjistruar që nga fillimi i epidemisë./France24

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of