Credit Suisse ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në sportin zviceran. Një panoramë se sa e varur është skena sportive lokale nga milionat e CS
A krijon kolapsi i Credit Suisse një gropë të madhe financiare edhe në botën e sportit? A do të quhet së shpejti kampionati zviceran i futbollit UBS Super League?
A do të vazhdojë Roger Federer të përshëndesë pasagjerët që mbërrijnë në Aeroportin Kloten, në emër të Credit Suisse?
Portofoli i Credit Suisse ka përfshirë gjithnjë një numër të madh sponsorizimesh në sportet kombëtare dhe ndërkombëtare. Më poshtë është një vështrim i përgjithshëm…
Super League Zvicerane
Nga sezoni 2021/22, Credit Suisse është sponsor i kampionatit kryesor të futbollit zviceran. Marrëveshja do të zgjasë deri në vitin 2025 dhe sipas informacioneve Blick, vlen rreth 32 milionë franga zvicerane, ose 8 milionë franga në sezon.
Marrëveshja mes Swiss Football League dhe Credit Suisse u nënshkrua në nëntor 2020, në një kohë kur futbolli po përballej me kohëra të paqarta, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky është një tregues se sa i rëndësishëm ishte për Credit Suisse të mbështeste këtë sport.
Federata Zvicerane e Futbollit
Në arkat e SFV derdhen çdo vit rreth 5 milionë franga zvicerane. Këtyre u shtohen edhe shpërblime për suksesin, dhe, nga viti i kaluar, Credit Suisse nuk ka bërë dallime mes meshkujve dhe femrave. Suksesi i njëjtë sjell shpërblime të barabarta.
Përveç ekipeve A për femra dhe meshkuj, përfitojnë edhe të gjitha ekipet e të rinjve.
Sipas “NZZ”, marrëveshja mes Credit Suisse dhe Federatës Zvicerane të Futbollit parashikon shprehimisht që gjysma e parave të sponsorizimit do të shkojë për ekipet e të rinjve. Përveç kësaj, ekziston edhe “Credit Suisse Cup”, kampionati zyrtar zviceran i futbollit shkollor.
Kampionati Europian për Femra 2025
Më 4 prill do të vendoset se ku do të zhvillohet Kampionati Europian i Futbollit për Femra në vitin 2025. Zvicra, partneri kryesor i së cilës është Credit Suisse, beson se ka mundësi të mira për të fituar kandidaturën.
A do të shkaktojnë skepticizëm titujt negativë të Credit Suisse te Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mbi kandidaturën e Zvicrës në momentin e vlerësimit të ofertave?
Stadiumi i futbollit në Zyrih
Në Hardturm parashikohet ndërtimi i një stadiumi të ri futbolli. Kjo nuk dihet se kur do të ndodhë. Megjithatë, në anën tjetër, është e qartë se kush do t’i mbajë të drejtat e emërtimit të tempullit të ri të futbollit që nga momenti i hapjes: Credit Suisse.
Dhe, për rreth 30 milionë franga për dhjetë vjet pas hapjes. Nuk ka gjasa që marka Credit Suisse të ekzistojë ende kur stadiumi të përurohet, që do të ndodhë jo para fundit të kësaj dekade.
Roger Federer
Vlerësohet se Credit Suisse e ka paguar yllin zviceran të tenisit me rreth 10 milionë franga zvicerane në vit deri në tërheqjen e tij në vitin 2022. Edhe pas tërheqjes së Mjeshtrit nga tenisi, kjo shumë do të vijojë t’i paguhet Federer çdo vit.
Në këmbim, për shembull, një Federer virtual përshëndet pasagjerët që mbërrijnë në Aeroportin Kloten, pranë logos së Credit Suisse.
Banka as nuk i ka mohuar dhe as i ka pohuar 10 milionë frangat për Federerin, të cituara nga revista financiare “Inside Paradeplatz” më 2021. Credit Suisse është gjithashtu ndër “Global Sponsor” të Laver Cup, të promovuar nga Federer.
Ndihma ndaj sportit zviceran
Në sponsorizimet e saj në botën e sportit, Credit Suisse mendon edhe për yjet e së ardhmes dhe atletët e sporteve margjinale.
Në cilësinë e “Platinum Partner”, është një komponent i rëndësishëm i strukturës financiare të Swiss Sports Aid Foundation, i cili mbështet, ndër të tjera, atleten e karatesë Elena Quirici, skijatoren Lena Gross-Häcki dhe patinatorin e shpejtësisë, Livio Wenger.
Golfi
Si partner i Omega European Masters në Crans-Montana, Credit Suisse mbështet turneun më të madh ndërkombëtar të golfit në Zvicër.
Sportet e kuajve
Credit Suisse është sponsor kryesor i CHI në Gjenevë dhe mbështet garat e kuajve të ëhite Turf të St. Moritz që nga viti 1976.
/ Blick