Inovativë, krijues, avangardë. Të ndërtuar brenda pallateve të cilët mbartin histori, apo brenda qiellgërvishtësve.
Muzetë e rinj të vitit 2020, të cilët janë projektuar nga emra të mëdhenj në arkitekturë, përmbajnë gjithnjë e më shumë thesare, shfaqje, evente dhe spektakle.
Ne kemi përzgjedhur ndër më të shumëpriturit e momentit, në çdo cep të botës.
Do ta nisim me Academy Museum of Motion Pictures në Los Anxhelos. I projektuar nga Renzo Piano, me një buxhet 388 milionë euro, muzeu është duke u ndërtuar në Downtown e ‘qytetit të engjëjve’. 300 mijë metra katrorë në 6 kate, me hapësira për evente; një galeri të jashtëzakonshme, ku shfaqet koleksioni ‘Rolex Gallery’; me evolucionin e mediumit kinematografik pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, një teatër, salla për laboratorë, restorante, bare e librari.
Qëndrojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më 31 maj do të hapet Planet World Museum në Uashington D.C. Kjo është hapësira e parë në botë kushtuar gjuhës, letërsisë dhe rrëfimit. I ndërtuar mes mureve të shkollës ku Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, një herë e një kohë kishte këtu laboratorin, ky muze i veçantë i kushtohet pasionit, gjuhës e fjalëve – vizitorët do të zbulojnë se si gjithë këto i japin formë jetës, vendimeve dhe reagimeve. Në muze do të shfaqet edhe një instalacion interaktiv i tingullit, nga artisti bashkëkohor me famë botërore Rafael Lozano-Hemmer.
Dihet se Dubai është qyteti i rekordeve. Në pritje të Expo 2020, janë të shumta të rejat, ndër to spikat Muzeu i ri i së Ardhmes (Museum of the Future). Një projekt ambicioz, ku hi-tech është protagonist. I themeluar nga Dubai Future Foundation, këtu do të shfaqen inovacionet më të mëdha, idetë prototip dhe shpikjet në botë, duke u dhënë mundësinë vizitorëve të ndërveprojnë me ekranet që do të hasin gjatë eksplorimit të tij. Në të do të organizohen gjithashtu kurse të avancuara, seminare dhe konferenca mbi teknologjinë avangardë dhe zgjidhje shkencore për të eksploruar inovacionet futuristike.
Fluturojmë në Tokio, në zbulim të Muzeut të ri, Artizon Museum. Ky është muzeu i vjetër Bridgestone Museum of Art, që ndryshon emër e seli dhe “strehohet” në një tjetër hapësirë, Museum Tower Kyobashi, duke dyfishuar sipërfaqen dhe koleksionin. 2600 veprat e ekspozuara, kryesisht të rrymës së impresionizmit dhe artit modern, janë pjesë e galerisë personale të biznesmenit japonez, Shojiro Ishibashi.
Mbetemi tek arti modern. Ndër hapësirat më të shumëpritura është Kunsthaus Modern Art Museum në Zyrih, një institucion kulturor, që daton në shekullin XVIII dhe ka një ndër koleksionet më të rëndësishme dhe të pasura të Europës. Me hapësirën e re të projektuar nga David Chipperfield, do të shndërrohet në muzeun më të madh zviceran të arteve të bukura (dhe një ndër më të çmuarit në botë), që do t’u ofrojë vizitorëve një udhëtim të gjatë në historinë e artit, nga mjeshtrit e romantizmit nordik, te impresionizmi francez e deri tek arti bashkëkohor.
Ndërkohë, në Austrinë fqinje, po përfundojnë punimet për ndërtesën e dytë të muzeut Albertina në Vjenë, qe dyfishohet në sipërfaqe dhe përfaqëson një hapësirë të re kushtuar artit modern. Pas tre vitesh punime, Künstlerhaus në Karlsplatz është gati të mirëpresë Albertina Modern, e cila do të shfaqë në ndërtesën e shekullit të 19, të restauruar dhe rinovuar, vepra historike dhe artistë bashkëkohorë si Cindy Sherman. Çelja parashikohet më 13 mars dhe në program është ekspozita “The Beginning. Art in Austria, 1945–1980”.
Shkojmë në Oslo, ku në pranverë pritet të hapet Munchmuseet kushtuar piktorit të famshëm norvergjez Edvard Munch. Me 28 mijë vepra të ekspozuara në 13 kate, ky do të jetë muzeu më i madh në botë kushtuar një artisti të vetëm. E projektuar nga studio spanjolle Herreros, qiellgërvishtësi është një vepër xhami buzë ujërave të zonës së Bjorvika. Data e çeljes nuk është njoftuar ende, por dihet se ky muze do të shndërrohet në zemrën e jetës artistike të Oslos, me ekspozita, spektakle, koncerte, performanca dhe shumë evente të tjera.
Duhet të presim qershorin për të vizituar muzeun parisien që do të mirëpresë koleksionin madhështor të François Pinault, në ndërtim e sipër në Bourse de Commerce. Hapësira e re për galerinë e pasur të Pinault, pjesërisht i ekspozuar në dy vende, në Venecia, në Palazzo Grassi dhe në Punta della Dogana, është quajtur Tadao Ando.
Gjithnjë në Francë, për ta bërë më elektrizuese skenën artistike bashkëkohore në qytetin Arles do të hapet Arts Resource Center, një kullë e projektuar nga studio arkitekturore Frank Gehry, e krijuar si një skulpturë madhështore metalike. Kulla skenografike 56 metra e lartë përbëhet nga 10.752 blloqe çeliku inoks.
Në Rusi, në shtator, pritet të përurohet GES 2, seli e V-A-C Foundation, e cila mban firmën e arkitektit italian Renzo Piano. Hapësira, në qendër të Moskës, në vitet e para të shekullit XX ka qenë një termocentral. Tashmë ajo është shndërruar në një vend avangardë, që me 40 mijë metra katrorë do të bëhet sipërfaqja më e madhe e artit bashkëkohor në Rusi.
Në shtator pritet të çelet edhe Humboldt Forum në Berlin, që mban firmën e arkitektit italian Franco Stella. Jo vetëm një muze, por një pol i vërtetë artistik, që do të mirëpresë Ethnologisches Museum, Muzeun e Artit Aziatik, Ekspozitën e Berlinit dhe Laboratorin Humboldt.
Një ndër muzetë më të shumëpritur të këtij viti është ai në Egjipt. Në Giza, janë duke përfunduar punimet për Grand Egyptian Museum, një vepër gjigante siç mund të merret me mend dhe nga emri, me hapësirë 490 mijë metra katrorë, që do të përfshijë më së fundi, së bashku, 5400 objektet e varrit të faraonit të Tutankhamunit. Ky është një udhëtim në historinë e vendit, nëpërmjet 100 mijë objekteve të ekspozuara. Një vepër, me plot gojën, faranoike.
Burimi: La Repubblica