Siç pritej nga shumë lajme të publikuara në rrjet javë më parë, në eventin e 14 shtatorit 2021, i mbajtur edhe një herë ekskluzivisht online, Apple zbuloi iPhone 13 të rinj dhe risi të tjera interesante që nuk do të vonojnë të vijnë në duart tona.
Siç u njoftua nga shoqëria, iPhone 13 do të mund të porositet në katër ngjyra, duke filluar nga data 17 shtator, me të njëjtin çmim me modelin e mëparshëm – 1.189 euro. Por telefoni i ri ofron karakteristika shumë më të mira – në fakt, me procesor më të fuqishëm se gjithë konkurrentët kryesorë në treg, A15 Bionic, dhe bateri me kohëzgjatje më të madhe, mund të zgjasë deri në një orë e gjysmë më shumë krahasuar me 12 Pro.
iPhone 13 Pro e 13 Pro Max kanë të dy ekrane Super Retina XDR me ProMotion përkatësisht 6,1 dhe 6,7 inç. Lidhja 5G është përmirësuar për të garantuar mbulim më të mirë, siç u parapri nga disa lajme që dolën më parë, madje është i disponueshëm edhe versioni me 1TB me kujtesë ruajtëse.
Për ata që duan të bëjnë foto të përjetshme në çfarëdo lloj momenti, Apple ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme modulin fotografik, duke përfshirë modalitetin macro, që falë këndit të ri të gjerë ju lejon të vini fokusin në vetëm 2 cm distancë dhe të bëni foto dhe video ku objektet të shfaqen më të mëdha se sa përmasat e vërteta.
Teleobjektivi i ri ofron zoom optik 3x për të bërë foto portret më të mira dhe për të kapur subjekte në largësi duke mos hequr dorë nga cilësia. Ndër të tjera, modaliteti “kinema” është menduar për të regjistruar video me njerëz, kafshë dhe objekte, me një efekt të jashtëzakonshëm thellësie, duke aplikuar variacione automatike të vënies së fokusit, duke na ofruar momente në një stil kinematografik edhe pa pasur aftësi profesionale.
I njëjti modalitet do të jetë i disponueshëm edhe tek iPhone 13 dhe 13 mini – edhe këto modele janë të pajisur me procesorin e ri. Edhe iPhone 13dhe 13 mini do të kenë një modul fotografik të pasmë të rinovuar dhe më të fuqishëm, me një kënd të gjerë që mund të kapë 47% dritë më shumë duke zvogëluar në mënyrë të ndjeshme zhurmën. iPhone 13 do të kushtojë 939 euro, ndërsa iPhone 13 mini, 839 euro.
Natyrisht, Apple nuk humbi rastin për të konfirmuar vëmendjen e tij ndaj mjedisit. “iPhone 13 Pro dhe iPhone 13 Pro Max janë projektuar në mënyrë që të zvogëlojnë ndikimin në mjedis” – shpjegon shoqëria në komunikatën zyrtare.
Në eventin “California Streaming” u prezantuan edhe dy modele të reja të gamës së iPad. Apple prezantoi gjeneratën e nëntë të tabletit, me chip A13 Bionic dhe një bateri që mund të përballojë më mirë aktivitete të ndryshme që zakonisht i kryejmë në një ditë.
Me një ekran 10.2 inç me True Tone dhe mbështetjen për Apple Pencil – të gjeneratës së parë, iPad i ri ka karakteristika 20% më të mira krahasuar me modelin e mëparshëm dhe është 6 herë më i shpejtë krahasuar me modelet më të shitura nga kompanitë konkurrente që përdorin sistem operativ Android.
Tableti i ri, i cili do të kushtojë 389 euro do të ketë sensor fotografik me kënd të gjerë 8 megapiksel dhe një fotokamerë në pjesën e përparme 12 megapiksel.
iPad i gjeneratës së fundit ngjan me një iPhone shumë i gjerë. Ai ka ekran 8.3 inç me ndriçim 500 nits dhe është kompatibël me Apple Pencil të gjeneratës së dytë. Modeli i ri iPad është dhjetë herë më i shpejtë se paraardhësi, me portë usb type-c. Fotokamera e përparme është 12 megaèiksel me Center Stage, po aq dhe ajo e pasme, 12 megapiksel me hapje f/1,8, fokus pixel, smart hdr, video 4k dhe true tone flash.
Në fund të eventit u prezantuan edhe orët e reja inteligjente, Apple Watch Series 7. Modelet janë të pajisur me ekran që ofrojnë një sipërfaqe më të madhe shikimi dhe skaje më të holla – 1.7 mm – 40% krahasuar me gjeneratën e mëparshme. Kjo është ora e parë inteligjente e Apple që i reziston pluhurit (IP6X), me rezistencë në ujë deri në 50 metra thellësi. Bateria zgjat 18 orë me rikarikim 30% më të shpejtë nëpërmjet usb type-c, 8 minuta, për tetë orë monitorim të gjumit.
/ Forbes