Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm qeveria do t’u japë mundësi qytetarëve që të rivlerësojnë pronat e patundshme me taksa të zbutura. Masa u shpall nga kryetari i komisionit të ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ministrja e financave Anila Denaj.
Sipas legjislacionit tatimor, shitja e një prone të patundshme në Shqipëri, qoftë kjo banesë apo tokë, i nënshtrohet taksës 15 për qind, e cila llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.
Pra, nëse një individ e ka blerë një apartament 50 mijë euro para disa vitesh, por sot e shet atë 70 mijë euro, atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15 për qind mbi diferencën e çmimit të shitjes me atë të blerjes. Në këtë rast kjo diferencë është 20 mijë euro dhe detyrimi tatimor që duhet të paguhet nga qytetari është 3 mijë euro.
Por ligji ik ri që hyn në fuqi në një janar I jep të drejtën këtij individi, që ta rivlerësojë banesën me çmim tregu duke paguar jo 15 për qind por vetëm 3 për qind.
Pra për shembullin e mësipërm, taksa zbret nga 3 mijë euro që duhet të paguhej normalisht në vetëm 600 euro.
Sipas propozimit të qeverisë rivlerësimi do të lejohet si për banesat ashtu edhe për trojet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.