Gjatë këtij viti do të vazhdojë konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar dhe këto ndryshime do të shoqërohen me rritje të konkurrencës në tregje dhe ata që do të përfitojnë, në fund të fundit nga kjo, do të jenë klientët, duke qenë se do t’u ofrohen zgjidhje më novatore nga bankat, si dhe kushte dhe afate më të mira për produktet e shërbimet bankare
Flet Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank, z. Georgios Papanastasiou
Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar dhe bankës suaj gjatë vitit 2018 dhe cilat janë pritshmëritë për 2019-n?
Viti 2018 për Alpha Bank Albania ishte një vit shumë rezultativ. Treguesit kryesorë të veprimtarisë ekonomike dhe financiare u përmirësuan me rritje të pjesës së tregut të huasë në 6,33% nga 5,61% në vitin 2017. Gjithashtu, profili i riskut të bankës u përmirësua; raporti i kredive me probleme u ul në 8,46% nga 9,79% në vitin 2017. Banka është tepër likuide dhe e mirëkapitalizuar me një raport mjaftueshmërie 15.82%, më i lartë se minimumi i kërkuar.
Gjithashtu, edhe sistemi bankar në tërësi pati një përparim të mirë duke ofruar veprimtari bankare mbështetëse për ekonominë dhe qëndrueshmëri financiare për vendin. Konsolidimi i sistemit bankar dhe transferimi i pronësisë së disa bankave ndihmoi pozitivisht për një ndërmjetësim financiar më të frytshëm, të nevojshëm për ekonominë e vendit.
Kam besim që viti 2019 do të jetë përsëri pozitiv për sistemin bankar. E them këtë, duke pasur parasysh përmirësimin e dukshëm të kredive me probleme, një tregues shumë i rëndësishëm ky që na rrit besimin për aftësinë shlyerëse të huamarrësve, si dhe mundësinë e bankave për më tepër kreditim, duke qenë se janë të mirëkapitalizuara dhe me tepricë likuiditeti.
Të dy këta faktorë më bëjnë të mendoj që do të ketë një rritje të kreditimit, por edhe duke u kujdesur sigurisht që kredidhënia të jetë brenda kritereve të përcaktuara. Gjithashtu, gjatë këtij viti, do të vazhdojë konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar dhe këto ndryshime do të shoqërohen me një rritje të konkurrencës në tregje dhe ata që do të përfitojnë në fund të fundit nga kjo do të jenë klientët, duke qenë se do t’u ofrohen zgjidhje më novatore nga bankat, si dhe kushte dhe afate më të mira për produktet e shërbimet bankare.
Objektivat tona për vitin 2019 janë shumë të qarta; do të vazhdojmë të kemi rritje të shëndetshme, do të optimizojmë kostot tona, do të ulim nivelin e kredive me probleme dhe do të përmirësojmë cilësinë dhe standardin e shërbimeve që u ofrojmë klientëve tanë.
Në veprimtarinë tonë të përditshme bankare, gjatë këtyre 21 viteve që operojmë në Shqipëri, kemi vërtetuar që jemi një bankë e orientuar ndaj klientit.
Përvoja e klientit e fituar gjatë rrugëtimit të tij si klient është dhe do të jetë në qendër të vëmendjes sonë, duke e pasuruar edhe më tej atë, me ofrimin e produkteve e shërbimeve të leverdishme dhe transparente për individët dhe shoqëritë tregtare nëpërmjet kanaleve tona të shërbimit. Do të jemi aty ku ata janë me asistencë profesionale dhe zgjidhje bankare të personalizuara.
Duke pasur në fokus pikërisht klientin në këtë fillim viti, ne kemi përmirësuar produktet tona të kredive për individët, si dhe kemi krijuar produkte të reja, të cilat bazohen mbi kërkesat e klientëve tanë dhe jam i sigurt që do të mirëpriten prej tyre dhe do të rrisin kërkesën për kredi. Një lajm tjetër i mirë për klientët tanë është se banka është përpjekur dhe ka gjetur rrugë e mënyra për të bërë më konstruktiv dhe më atraktiv procesin e kredidhënies për bizneset e reja dhe për ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Për të përmirësuar më tej shërbimin ndaj klientit, kemi hedhur në treg në muajin janar, Alpha Bot, i cili është një asistent virtual i ndërtuar për t’u shërbyer klientëve 24 orë në 7 ditë të javës, me produktet dhe shërbimet tona. Gjithashtu, jemi duke përfunduar platformën tonë të re dixhitale, e cila do të mund të përdoret nga klientët tanë kudo dhe kurdo që ata e kanë të nevojshme.
Një vit më parë, Banka e Shqipërisë prezantoi planin për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Sa efektiv e vlerësoni këtë plan? Si e shpjegoni faktin që depozitat në euro u rritën ndjeshëm në vitin 2018?
Përgjigjja ime vitin e kaluar për procesin e deeuroizimit ishte që është një proces i cili kërkon kohë për të dhënë rezultat. Një vit nuk është i mjaftueshëm për të parë efektet reale të këtij procesi. Gjithsesi, ajo që dua të them është që ne kemi përkrahur dhe vijojmë të përkrahim nisma të tilla të Bankës së Shqipërisë, të cilat për mendimin tim, ndihmojnë në zhvillimin e vendit dhe në qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të tij. Shtesa e depozitave në euro është një fenomen që vjen për disa arsye, ku më kryesore është ajo e dërgesave (remitancave) dhe e lëvizjes së lirë të kapitalit.
Cilat janë sfidat me të cilat pritet të përballet sistemi bankar në terma afatmesëm dhe afatgjatë?
Zhvillimi i sistemit bankar shkon paralelisht me zhvillimet makroekonomike dhe përparimi i ekonomisë shqiptare në 2018 ishte pozitiv dhe të gjitha gjasat janë të vazhdojë të njëjtën prirje. Sistemi bankar është stabilizuar dhe një nga sfidat ngelet kreditimi i shëndetshëm, i bazuar mbi mundësitë për shlyerjen e kredisë në vitet në vijim. Gjithashtu, do të doja të përmendja revolucionin dixhital, i cili është tashmë një realitet dhe shumë shpejt do të na duhet të dimë të zbatojmë modelin e ri të veprimtarisë bankare të hapur (open banking). Është një hap jo i thjeshtë, por kompleks e me kosto të lartë, por ne si Alpha Bank Albania jemi të gatshëm ta ndërmarrim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.