Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të diskutojë këtë të mërkurë të paktën 10 vendime që lidhen me një sërë nismash dhe masa të caktuara. Dy vendimet e para lidhen me miratimin e një plani veprimi për zhvillimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian në Bashkinë e Tiranës, një plan ky 3-vjeçar. I treti ka të bëjë me dhënien në përdorim të banesave të ndërtuara për strehimin e familjeve të komunitetit Rom në Shkozë si pjesë e një projekti të veçantë.
Ambientet në bibliotekat e lagjeve, përmes një vendimi tjetër, pritet të kalojnë për përdorim si qendra multifunksionale.
Bashkia e Tiranës duket se ka gjetur një mënyrë tjetër për të gjeneruar të ardhura nga ambientet sportive në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Të gjithë federatat, klubet sportive apo grupe të caktuara që sanksionon vendimi mund të bëjnë kërkesë për të përdorur këto ambiente pasi ka përfunduar orari mësimor duke paguar një tarifë që pritet të vendoset në një moment të dytë.
Ashtu sikurse ka deklaruar edhe më herët kryebashkiaku i Tiranës,Erion Veliaj,një tjetër nismë që duket se do konkretizohet është blerja e dy apartamenteve në Rrugën e Dibrës, në pronësi të familjes Kadare dhe Agolli. Sipas Veliajt këto dy apartamente mund të kthehen në pika interesante, të cilat vizitohen nga turistët në kryeqytet.
Këshilli Bashkiak pritet që të miratojë edhe listën me familjet që do të përfitojnë nga program bllok i ndihmës ekonomike deri në 6 për qind dhe shumën përfituese për periudhën 1-31 dhjetor 2017.
Bashkisë së Tiranës do t’i shtohet edhe një linjë e re urbani. Linja e 16 e cila do të emërtohet “Linja e Gjelbër” do të përshkojë zonën nga “Pallatet me Shigjeta” duke kaluar në Bulevardin “Bajram Curri”, deri tek “Brryli” kthehet në rrugën “Arkitekt Kasemi” vijon në rrugën “Bardhyl” dhe kthehet djathtas në rrugën “Kongresi i Manastirit. Kthehet në rrugën “Imer Ndregjoni” në zonën e “Oxhakut”.
Del në Rrugën e Dibrës tek kryqëzimi me “Farmacinë 10”, vijon përgjatë rrugës “Ferit Xhajko”. Vijon tek Stacioni i Trenit, tek sheshi “Karl Topia”, merr djathtas deri tek sheshi “Shqiponja” kthehet në rrugën “Teodor Keko” deri tek “Pallati me Shigjeta”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.