Janë të paktën pesë tregje që do të mbahen në monitorim të Autoritetit të Konkurrencës përgjatë këtij viti.
Tregje të tjera mund të shtohen sipas rastit por në dokumentin vjetor të tij ky autoritet rendit disa prej atyre ku nuk do të ulet vigjilenca për shkak se janë pjesë e vendimeve që mund të jetë dhënë nga Komisioni i Konkurrencës për hetimeve apo shit-blerjeve që mund të jenë bërë.
Tregu i parë në monitorim gjatë këtij viti është ai i prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto. Pas një hetimi të zhvilluar pranë Bankers Petroleum vitin e shkuar edhe gjatë këtij viti Autoriteti do të vijojë të monitorojë këtë treg dhe kryesisht me orientim kostot e naftës, prodhimin e saj operacionet hidrokarbure dhe raft kontratat me rafineritë.
Tregu i dytë është ai i importit të grurit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Komisioni i Konkurrencës mbylli një hetim të thelluar në këtë treg në korrik 2020 ndaj disa ndërmarrjeve. Në monitorim mbetet i gjithë tregu edhe gjatë këtij viti me orientim të dhënat mbi blerjet dhe shitjet e këtyre kompanive.
Sektori i arsimit të lartë është i treti ku me një vendim të shtatorit 2020 u mbyll hetimi i dedikuar për të si dhe u dhanë disa rekomandime për Ministrinë e Arsimit, INSTAT si dhe Institucionet e Arsimit të Lartë në vend. Në fakt për këto institucione monitorimi nuk do të mbulojë vetëm vitin 2021 por edhe vitin 2022.
Sektori i katërt është ai i telefonisë celulare ku monitorimi lidhet me një transaksion të kryer në këtë sektor dhe konkretisht blerja e kompanisë Abcom nga Vodafone. Kjo është një praktikë normale ku Konkurrenca sheh mënyrën sesi sillen ndërmarrjet në treg në kushtet kur kanë pozitë dominuese dhe nëse përmbushen të gjitha parimet që kërkohen për konkurrencë.
Sektori i pestë në monitorim është ai i shërbimeve të transportit ajror. Edhe në këtë rast monitorimi ka ardhur jo si efekt i ndonjë hetimi tregu por për shkak të një transaksioni. Kastrati Group bleu vitin e shkuar aksionet e plota të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për një vlerë 71 milionë euro. Duke qenë ende i vetmi aeroport në vend (kujtojmë që për Kukësin qeveria edhe pse kreu një fluturim pak ditë më parë deklaroi se do të jetë funksional vetëm në qershor) Konkurrenca ka vendosur që ta mbajnë në monitorim për një afat 1 vjeçar pas transaksionit./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.