Nga modeli Xarra te agroturizmi, si duhet të orientohet bujqësia; Kujdes me eksperimentet

07/09/2018 10:07 PM 0 komente

Rexhep Uka është një nga profesorët e pakët në vend që e njeh bujqësinë në nivel shkencor, e cili drejton edhe një biznes që lidhet me fushën. Sipas tij, zhvillimi i sektorit duhet të anojë nga bujqësia nga kultivimi i frutave dhe perimeve. Zoti Uka këshillon që bujqësia shqiptare duhet të synojë të ecë në raport me zhvillimet e kërkesës.

Kërkesa, sipas tij, po orientohet nga turizmi, ndaj prodhimet duhet të ndjekin këtë tendencë. Turistët në Shqipëri preferojnë të hanë një produkt bujqësor që nuk e kanë provuar më parë. Ndaj bujqit shqiptarë gjithnjë e më shumë duhet prodhojnë produktet autoktone shqiptare, të cilat për fat ende nuk e kanë humbur origjinalitetin.

Duke ofruar prodhime autoktone, turistët do të ndihen më të tërhequr nga Shqipëria e për rrjedhojë, bujqësia do të përfitojnë shumë. Uka e propozon këtë model pas një përvoje vetjake. Ish-ministri i Bujqësisë, pas një përvoje të gjatë në politikat bujqësore dhe në mësimdhënie, tani është administrator i një ferme që furnizon me prodhime një restorant, i cili për shkak të ushqimit të freskët direkt nga ferma u bë shumë shpejt i famshëm.

Në vetëm pak vite, biznesi i tij i agroturizmit është kthyer në destinacionin e fundjavës për shumë kryeqytetas. Ferma dhe prodhimet e saj kanë qenë arsyeja se pse restoranti tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Agroturizmi vitet e fundit po rezulton një model i suksesshëm që po funksionon më së miri. Njësi të tilla në të gjithë vendin janë shndërruar në një treg të garantuar për fermerët pranë duke siguruar blerjen e të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Kështu profesori i Bujqësisë Rexhep Uka thotë se fermerët më shumë se orientimi drejt produkteve të panjohura, por që joshin me fitime duhet të drejtohet nga kërkesa që paraqet sektori i turizmit.

Ekspertët që njohin sektorin e bujqësie e kanë të vështirë të orientojnë investimet e reja në sektor. Fitimi në këtë sektor lidhet me shumë faktorë, thotë Ismail Beka, koordinatori i projekteve në zyrën e GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar) në Shqipëri. Varet se çfarë disponon personi që ka cash dhe do të investojë në bujqësi. Njohuritë mbi bujqësinë dhe pronësia mbi tokën kanë rëndësi. Por mungesa e zinxhirit që lidh prodhimin në tregun shpesh i bën të brishta projektet e reja në sektor, thotë Beka.

 

Xarra, një model suksesi

Xarra një bashkim fermerësh në formën e një kooperativë e krijuar që në vitin 2008 në afërsi të Sarandës është i pari model suksesi në biznesin bujqësor. Banorët e zonës, pas një eksperience të gjatë në Greqi, kthyen modelin e bashkëpunimit. Ata bashkuan tokat dhe kultivuan një lloj varieteti të mandarinës, sot mbi 75 mijë rrënjë Në këtë mënyrë, ata shkurtuan kostot e punës dhe nisën të operonin me kontrata për eksport. Llukan Kote, pjesëtar i kooperativës Xarrë, shprehet se organizimi u ka bërë mirë fermerëve.

“Modeli ynë i organizimit ka shërbyer për fitime më të larta se kur secili punonte tokën e tij. Shpenzimet janë ulur dhe fitimet janë rritur. Gjithashtu kooperativa jonë është si pikë referencë për të gjithë vendin dhe një model që subvencionohet. Fjala jonë peshon te pushtetarët”, – përgjigjet zoti Kote. Fermerët e Xarrës, me këtë model, janë bërë burim punësimi edhe për shumë të tjerë jashtë zonës së tyre. Vitet e fundit, agroturizmi ka nisur të zhvillohet, duke bërë tashmë traditë një panair që i dedikohet mandarinës në kulmin e sezonit të vjeljes së saj. Modeli Xarra do të kishte funksionuar në të gjitha kulturat bujqësore dhe në të gjithë vendin. Por tentativat kanë dështuar për shkak se në disa raste fermerët kanë hezituar ti bashkojnë tokat dhe në disa të tjera nuk kanë mundur të gjejnë financime për të zhvilluar biznesin e përbashkët.

 

Agroturizmi, shpresa për ringjalljen e fshatrave të braktisur

Komuna Malzi, e cila shtrihet mes Kukësit dhe Pukës në afërsi të tunelit të Kalimashit, ka biodiversitet të larmishëm me shumë bimë dhe kafshë endemike. Për shkak të terrenit të vështirë malor dhe tokës së pakët zona është braktisur masivisht pas viteve 1990, mirëpo disa të rinj po rikthehen, në përpjekje të zhvillojnë agroturizmin në zonë, pasi përvoja po tregon se sektori ka të ardhme.

Inxhinieri Shyqyri Poçi është kthyer në tokat e trashëguara nga familja në fshatin Shtanë dhe për gjatë 6 viteve ka investuar në kultivimin e prodhimeve bio në 10 hektarë sipërfaqe arre dhe pyje gështenje. Ai tha se në gjithë këto vite po investon ngadalë në mjedisin përreth, për të zhvilluar më tej biznesin e tij. Paralelisht me mbjelljet në arë me arrore dhe vreshta ka hapur shtigje në pyjet e gështenjës dhe po bën një guidë me atraksionet e zonës.

Po ndërton një pishinë dhe mendon të ndërtojë dy fusha basketbolli dhe volejbolli. Në fund do të ndërtojë një bujtinë, kati i nëndheshëm i së cilës do të jetë pikë grumbullimi për prodhimet e egra të zonës. Ai ka një projekt të qartë dhe thotë se biznesi i tij do të jetë fitimprurës. E ardhmja e bujqësisë është prodhimi bio dhe agroturizmi, pasi këto kanë vlerë më të lartë se prodhimet tradicionale të fushës, shprehet ai. Z. Poçi po ngre i pari bujtinën në zonën me pak banorë, por me potenciale të mëdha të prodhimit të mjaltit, gështenjës dhe disa varietete autoktonë të kumbullës, rrushit etj.

Poçi thotë se Komuna e Malziut, sot e kësaj dite, nuk përdor pesticide dhe prodhimi pa spërkatje ka më shumë rendiment se në zonat e tjera. Paralelisht me investimet në infrastrukturën e Bujtinës, zoti Poçi po përpiqet të certifikojë bio, mjaltin dhe disa prodhime unike në zonë. Si inxhinier pyjesh me përvojë, ai ka bërë një inventar të qartë të pasurive natyrore të zonës me shumë bimë mjekësore dhe fruta të egra si boronica, mjedra dhe manaferra, të cilat ka ndër mend t’i përpunojë dhe t’i ofrojë si ushqim për bujtësit e hotelit të tij. Inxhinieri po tregohet i duruar me investimin e tij.

Në zonë vijnë shumë turistë gjermanë dhe kalojnë natën me kampingje në livadhet e zonës, po Poçi nuk ka ndër mend të ngutet me bujtinën pa siguruar më parë të gjithë infrastrukturën e argëtimit dhe ushqimet bio. Me ujëvarat në zonë, lumenjtë dhe liqenin e Fierzës bashkë me argëtimet në hotel mund të plotësojnë kërkesat e një turisti për rreth një javë, thotë ai. Bashkë me investimet, ai po menaxhon në Facebook një faqe dedikuar Malziut e cila, përveç të tjerash, po përdoret për të marketuar prodhimet e zonës dhe si një marketing paraprak para se bujtina të hapet.

“Me kohë do të hap një dyqan në Tiranë që të tregtohen vetëm produkte tradicionale të Malziut, bimë mjekësore, produkte të përpunuara (raki, reçel, verë, musht, lëng thanë, pekmez mani. Frutat e egra do të grumbullohen të thata siç janë: boronicat, trëndafili i egër, mollët e egra, kumbullat tona autoktone, domatet ndoshta etj. Zona ka shumë potenciale. Aktualisht zona prodhon rreth 50 tonë mjaltë në një sezon të mirë dhe ka një prodhimtari në gështenjë rreth 500 tonë ose me shumë”, shprehet Poçi.

Më tej, në zonën e Tropojës, familja Nikoçi këtë vit aktivizoi për herë të parë një bujtinë “Chestnut Hill” (Kodra e Gështenjave) në Velisht të Tropojës një fshat i braktisur për shkak të lartësisë në të cilën ndodhet. Zoti Nikoçi mori një nismë të guximshme vite më parë, kur vendosi të investojë kursimet e jetës në një kodër në mes të pyllit të gështenjave, larg rrugëve urbane dhe larg zonës së Valbonës që frekuentohet nga turistët. Po tashmë kur kanë kaluar vetëm pak muaj nga vënia në punë e bujtinës, zonja Shpresa thotë se ka vizitorë dhe është optimiste. Rruga është e vështirë dhe energjia elektrike është problem, por gjithsesi interesi i të huajve për hiking po rritet, për shkak të terrenit të favorshëm për këtë qëllim.

Eksperimentet zhgënjejnë

Disa kultura të panjohura nga shqiptarët të ardhura nga Kina, Afrika kanë hyrë në bujqësinë shqiptare si mënyra për të gjeneruar fitime të shpejta. Por risku mbetet i lartë për faktin se, duke qenë se shqiptarët nuk janë të familjarizuar me këto kultura, rrezikojnë të dështojnë dhe të humbasin investimet. Ndërkohë duke u marrë me rritjen e tyre, familjet fermere do të shmangin edhe prodhimet tradicionale për vetëkonsum.

Shafrani i hedhur në treg së fundi nga politika si një bimë që ka fitim të lartë, duket se pas çmimit joshës në dukje ka shumë sakrifica. Për një kilogram pluhur që kushton deri në 10 mijë euro duhen 15,000 lule dhe mbi 600 orë punë, pa llogaritur shpenzimet për farën dhe kostot e tjera për rritjen. Pas çmimit joshës të bimës ka kosto marramendëse, por ekspertët e Agroweb pasi kanë bërë kërkime në kultivimin e kësaj kulturë kanë gjetur se kërkesa për këtë produkt përmbushet nga Greqia, Kosova, Spanja etj.

Ndërsa, tek diskutohet për shafranin, një bimë e re po dominon kultivimin në Europë dhe që shitet shumë. Stevia është një lloj i kallamit të sheqerit, një bimë ëmbëltuese, por që po përdoret nga industria e pijeve pasi ka zero sheqer. Kompanitë e mëdha të pijeve të tilla si Coca-Cola kanë nisur të porosisin në masë kultivimin e saj për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për ëmbëltuesin me zero sheqer. Bima është përdorur më herët si sheqer për diabetikët, për tani kërkesat janë shtuar shumë. Një kilogram nga bima kushton 30 deri në 60 dollarë. Stevia ka nisur të kultivohet shumë vitet e fundit në Europë dhe sidomos në Turqi.

Plepi kanadez dhe paulonja kineze kanë joshur shumë fermerë. Dy vitet e fundit dhjetëra hektarë tokë në të gjithë vendin janë mbjellë paulonja. Mirëpo investimi më i vjetër në këtë fushë nuk ka kaluar tre vjetet dhe nuk e kemi ende një precedent se sa fitohet me ketë kulturë. Paulonja, druri i së cilës është mjaft i kërkuar në industrinë e mobilierisë sidomos për avionë dhe anije duket ka krijuar shumë dashamirës në Shqipëri. Një fidan kushton vetëm tre euro dhe sipas kompanive që e shesin atë, pema mund të kultivohet në të gjitha zonat e vendit dhe jep prodhimin e parë brenda pesë viteve. Për fitime më të larta, ajo mund të pritet edhe pas 10 ose 15 vitesh.

Pasi druri të pritet, ai rigjenerohet rreth tre herë në të njëjtin trend. Por më pas kostot janë shumë të larta për heqjen e saj, pasi pema ka rrënjë të thella dhe heqja shkulja është një proces i vështirë dhe plot kosto. Por kompanitë që shesin fidanët e paulonjës aktualisht ofrojnë kontrata blerje me rreth 200 euro për fermerët.

Një pema e ngjashme që ka nisur të mbillet është edhe plepi kanadez. Pema është mbjellë në disa zona të Shqipërisë së Mesme në toka që nuk janë shumë produktive dhe përdoret për prodhimin e drurit industrial. Mirëpo duke qenë se koha nga investimi deri kthimin e fitimeve është shumë gjatë, nuk ka siguri për ecurinë e çmimit në tregjet ndërkombëtare, ndaj ekspertet e sektorit nuk rekomandojnë kultivimin e tyre. Tani kur kanë kaluar më shumë se 5 vite kur kanë nisur të kultivohet paulonja, fermerët nuk kanë raportuar ende shitje dhe fitime.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of