Kuvendi i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë që të ndalet gjatë këtij viti në një sërë aspektesh që lidhen me punën e saj të përditshme, detyra të përmbledhura në 16 pika.
Kështu, së pari, Bankës i është kërkuar të angazhohet në drejtim të ruajtjes së qëndrueshmërisë së sistemit financiar nëpërmjet monitorimit të kujdesshëm të efekteve tregjeve ndërkombëtare, krijimit të kushteve për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë, adoptimit të mëtejshëm të të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III.
Po kështu, Kuvendi ka nënvizuar se Banka duhet të zbatojë një politikë monetare që mbështet rimëkëmbjen ekonomike dhe harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit, nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së analizave ekonomike e financiare, rritjen e saktësisë së parashikimeve dhe plotësimin e tyre me skenarë alternativë ose rreziku.
Është kërkuar që të ketë monitorim të të paktën dy çështjeve.
Së pari, lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë, me fokus të veçantë kreditimin në tregun e pasurive të paluajtshme, me qëllim identifikimin dhe menaxhimin në kohë të problematikave.
Së dyti, fuqizimin e aftësisë së bankave për ndërhyrje të jashtëzakonshme, përmes një komunikimi aktiv dhe me inspektimeve të rregullta, me qëllim operacionalizimin e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sipas kërkesave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe për përmbylljen brenda vitit 2022 të procesit të vetëvlerësimit të bankave, për të trajtuar pengesat potenciale të identifikuara, bazuar në objektivat e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme të përcaktuara në kuadrin rregullator në fuqi.
Lidhur me fondin rezervë është rekomanduar që të ketë vëmendje për ruajtjen e tij nëpërmjet mbajtjes nën kontroll në një mënyrë sa më të kujdesshme, të rrezikut të likuiditetit, të tregut, të kreditit, ligjor, të shlyerjes, të kujdestarisë dhe atij operacional, duke u angazhuar në gjenerimin e të ardhurave të arsyeshme në periudhën afatmesme në afatgjatë, në përputhje me objektivat e investimit dhe administrimit të rreziqeve, për sa kohë që kjo nuk bie ndesh me kriteret e likuiditetit dhe sigurisë të përcaktuara më sipër.
Po kështu, administrimi i portofolit të rezervës valutore, në përshtatje me nevojat për një diversifikim të portofolit përmes shtimit të klasave të reja të instrumenteve financiare.
Një tjetër pikë ishte ajo për inkurajimin e transformimit dixhital të sektorit bankar, duke mundësuar një bashkëpunim të frytshëm dhe novator mes bankave të nivelit të dytë dhe kompanive FinTech, duke sugjeruar edhe këshilluar institucionet dhe agjencitë shtetërore për të luajtur një rol më proaktiv në plotësimin e kërkesave që shtrojnë zhvillimet e përdorimit të teknologjisë së informacionit.
Në pikën e fundit të rezolutës Kuvendi ka kërkuar që Banka e Shqipërisë të inkurajojë mundësimin dhe lehtësimin e çeljeve të llogarive bankare për individët që nuk disponojnë aktualisht një të tillë dhe që përbëjnë rreth 45% të popullsisë, duke shfrytëzuar avantazhet e teknologjisë së informacionit. / N. Maho.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.