Një nga industritë kryesore në rajon, bujqësia, tradicionalisht mbështetet shumë në angazhimin e punëtorëve sezonalë. Por, punëdhënësit përballen me probleme në punësimin e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe administratës kërkuese që është e nevojshme për të përkthyer punën sezonale nga zona gri në rrjedha ligjore. Punëtorët nga ana tjetër, janë ballafaquar me pasiguri në lidhje me kushtet e punës, me pagesën e dëmit, lëndimeve të mundshme dhe për shkak se shpesh nuk janë të regjistruar, aktivitetet bujqësore kryhen kryesisht pa sigurime shëndetësore dhe siguri në punë. Të dhënat nga Aleanca Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal (NALED) në Serbi tregojnë se para zbatimit të reformës së thjeshtësimit të aplikimit të punëtorëve sezonalë, rreth 95 për qind e punëtorëve sezonalë në bujqësi punojnë “në të zezë” , pa ndonjë kontratë, që do të thotë se ata nuk ushtrojnë të drejtat e tyre që rrjedhin nga punësimi.
Si një nga masat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, lehtësira në respektimin e kornizave ligjore për punëdhënësit dhe për të luftuar ekonominë joformale, në fillim te këtij viti, është futur në Serbi sistemi i regjistrimit elektronik, e–regjistrimi, për punëtorët sezonalë në sektorin e bujqësisë, zbatimi i të cilit u mbështet nga GIZ në emër të qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, në bashkëpunim me NALED. Sistemi i regjistrimit elektronik i punëtorëve sezonalë ka dhënë përfitime të shumta për të tre palët, punëtorët, punëdhënësit dhe shtetin, duke inkurajuar angazhimin më të efektshëm të fuqisë punëtore, zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
Punëdhënësit që kanë biznese ose ferma private, tani mund të regjistrojne punëtorët në disa hapa përmes platformës on-line sezonskiradnici.gov.rs. Atyre u sigurohen gjithashtu video udhëzime dhe një aplikacion mobil “Punëtoret sezonalë”, të krijuar për ta bërë më të lehtë përdorimin e këtij shërbimi. Sistemi elektronik mundëson sigurinë për punëtorët, pasi atyre u paguhet stazhi i pensionit dhe sigurimi shëndetësor në rast të lëndimit në punë, e punëdhënësve iu jepet një mundësi e thjeshtë për të raportuar punëtorët në më pak se dhjetë minuta. Nga fillimi i vitit 2019 deri në mesin e gushtit, përmes këtij sistemi janë regjistruar mbi 20,000 punëtorë me 480,000 ditë pune të raportuara si edhe 1.2 milion euro në taksa dhe kontribute në buxhetin e shtetit. Një nga kompanitë që ka filluar përdorimin e sistemit të ri në biznesin e saj është “Çalma” nga Sremska Mitrovica, e cila është e angazhuar në kultivimin e drithërave. Përvoja e tyre deri më tani ka treguar përparësitë e mëdha të regjistrimit elektronik të punëtorëve, në lidhje me angazhimin në punë, të rregulluar me kontratë, në formë te shkruar.
“Më parë kemi pasur shumë probleme me regjistrimin e punëtorëve sezonalë, sepse puna sezonale nuk njihej si një formë e veçantë e punësimit. Duhej të përdornim forma të tjera të angazhimit të punëtorëve, me kohë të caktuar, të cilat kërkonin shumë punë administrative. Sistemi elektronik i dosjeve e ka bërë punën tonë shumë më të lehtë. Avantazhi kryesor i këtij sistemi është përdorimi i thjeshtë dhe mundësia për të regjistruar dhe çregjistruar punëtoret sezonalë në baza ditore, në përputhje me nevojat e biznesit, kështu që në këtë mënyrë ne mund të korrigjojmë me lehtësi listën e aplikantëve dhe të kemi një pasqyrë të situatës në terren në çdo kohë “, tha drejtori i kësaj kompanie, Goran Cikuša.
Përvojë të ngjashme ndan edhe ndërmarrja bujqësore “Graniçar” nga Shidi, e cila është e angazhuar në kultivimin e pemëve. Maja Lukic, Shefe e Shërbimeve të Personelit dhe Kuadrove në këtë kompani, e ngarkuar me lajmërimin dhe ç’lajmërimin e punëtorëve sezonalë, beson se avantazhi më i madh i regjistrimit elektronik është shpejtësia e procesit, e cila mund të përfundojë dhe për gjysmë minuti, si dhe kostot më të ulëta për taksat dhe kontributet në krahasim me mënyrën standarde të paraqitjes administrative deri më ani.
Punëdhënësit në vetëm disa klikime, duke futur numrin personal të punëtorit, datën kur do të punësohet i punësuari dhe duke zgjedhur llojin e punës, mund të ofrojnë në mënyrë legale, ndihmë për punët bujqësore. Përveç personave juridik, sistemin mund ta përdorin dhe individët (personat fizik).
Regjistrimi elektronik gjithashtu ka sjellë shumë përfitime për punëtorët që kanë një pagë minimale të garantuar, sigurim në rast të lëndimit në punë, dhe stazhin e pensionit. Ndërkohë edhe pse janë të angazhuar shtesë gjatë sezonit, ata nuk humbin të drejtat e të papunëve ose llojet e tjera të përfitimeve të realizuara. Meqenëse gjatë punës sezonale punëtori nuk fshihet nga regjistri i të papunëve, pagesa e kompensimit financiar të Shërbimit Kombëtar të Punësimit nuk pezullohet, as nuk ndikon në përdorimin e të drejtës për ndihmë financiare sociale.
Punëdhënësit konfirmojnë që ata dhe punëtorët janë të kënaqur në mënyrë të barabartë me efektet e zbatimit të sistemit. Sipas të dhënave të kompanive që morën pjesë në program, punëtorët më parë kishin shmangur aplikimin e tyre për shkak të komplikimeve që kishin rreth ri-aplikimit në zyre dhe fondit përsigurime pensioni-invaliditeti.
Efikasiteti i sistemit të regjistrimit elektronik reflektohet edhe në faktin se punëtorët mund të kontrollojnë në çdo kohë me telefon celular, nëse janë regjistruar, cili punëdhënës i ka regjistruar, dhe për cilën periudhë kohore.
Aleanca Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik Lokal thekson se sistemi i regjistrimit elektronik është një hap i rëndësishëm në dixjitalizimin e administratës publike, pasi mundëson gjithashtu dhe lidhje më të shpejtë të punëdhënësve dhe personave me aftësitë e kufizuara. Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) mban regjistrimet elektronike të punëtorëve sezonalë, bazuar në të dhënat që merr direkt përmes portalit sezonskiradnici.gov.rs.
Kjo do të thotë që punëtorët e punësuar nga punëdhënësit në këtë mënyrë, futen automatikisht në regjistrin e punëtorëve sezonalë, së bashku me informacionin për ato punë në të cilat kanë qenë të angazhuar. Gjithashtu, në evidencën e punëtorëve sezonalë në SHKP, me kërkesë personale mund të futen persona të interesuar për kryerjen e punëve sezonale, duke futur të dhënat personale dhe të dhënat për trajnime dhe përvojë në punët sezonale. Sipas statistikave, punëtorët sezonalë në Serbi janë të angazhuar më së shumti në mbledhjen e frutave, përgatitjen e tokës, mbjelljen, korrjen dhe pastrimin, klasifikimin, paketimin dhe ruajtjen e frutave dhe perimeve.
Efektet e futjes së këtij sistemi në Serbi kanë një rëndësi të madhe për shtetin dhe buxhetin dhe përbëjnë një pjesë të një fronti të gjerë për shtypjen e ekonomisë joformale. Sipas të dhënave të cilat disponon NALED, në këtë mënyrë janë paguar më shumë se 300 mijë euro taksa dhe mbi 900 mijë euro kontribute në buxhetin e Republikës së Serbisë. Analiza e efikasitetit të sistemit elektronik deri më tani tregon se përfitimet e zbatimit të tij pasqyrohen në faktin se ekonomia ka shpenzime më të ulta administrative dhe financiare dhe shteti fiton një sistem të rregulluar, kontroll dhe inkasim më të efektshëm, një shkallë më të ulët të ekonomisë gri, punësime më të larta dhe të ardhura nga taksat.
Efektet pozitive të sistemit elektronik për raportimin e punëtorëve sezonalë në bujqësi janë tani më të prekshme, duke qene se përshtatshmëria dhe lehtësia e përdorimit të sistemit hap mundësinë e aplikimit edhe në vendet e tjera të rajonit. Kjo është arsyeja pse në bashkëpunim me ekspertë dhe institucione shtetërore dhe me mbështetjen e Qeverisë Gjermane të realizuar nga GIZ, përmes hulumtimit të tregut, analizohen mundësitë e zbatimit të sistemit në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni. Duke marrë parasysh nevojat e sektorëve të ndryshëm për punëtorët sezonalë në të gjithë rajonin, zgjidhja e prezantuar nga Serbia mund të japë një shembull të praktikës së mirë me qëllim të përmirësimit të pozitës së punëtorëve sezonalë dhe krijim te një sistemi më efikas të regjistrave të tyre në tregun e punës që lehtëson punën për punëdhënësit, gjë që në përgjithësi kontribuon në përmirësimin e mjedisit ekonomik.
Jam i punsuar ne ni firm ndertimore private nuk kam kontrat sjam i lajmrum
Kam punu zez po kontraten e kam po sham I lajmrum