Miliona njerëz në të gjithë botën janë detyruar të “përqafojnë” jetën të mbyllur në katër muret e shtëpisë, ndërkohë që qeveritë janë duke luftuar për të reduktuar përhapjen e koronavirusit.
Kjo mënyrë e re jetese po shoqërohet me sfida të mëdha. Shkolla, puna dhe socializimi janë zhvendosur online si kurrë më parë.
Izolimi ka shtyrë gjithashtu disa njerëz të rivlerësojnë jetën e tyre dhe se çfarë është më e rëndësishme për ta, duke i bërë të kalojnë më shumë kohë me familjen e tyre.
Sha Jie, një djalë 10 vjeç, vazhdon mësimin online. Ai ulet në tavolinën në kuzhinë, në apartamentin 70 metra katrorë në Shangai, në të cilin jeton me prindërit dhe gjyshen, për të ndjekur mësimet nga ekrani i televizorit.
“Dal nga shtëpia maksimumi një herë në ditë, për të bërë një shëtitje në lagje. Prindërit më kanë thënë të vë një maskë kur dal jashtë dhe të laj duart me kujdes pasi të kthehem në shtëpi” – tha ai.
“Mësoj, vizatoj, shoh filma në shtëpi”. I pyetur se çfarë do të pëlqente të bënte më shumë pasi jeta t’i kthehet normalitetit, ai tha: “Të dal me shokët e mi dhe të luajmë lojëra te Toys ‘R’ Us”
Mijëra milje më larg, në Milano, 14-vjeçarja italiane Lavinia Tomassini po përpiqet të studiojë në shtëpi.
“Çohem shumë më vonë dhe shkoj të fle, më vonë se zakonisht. Përqendrohem më pak kur jam në shtëpi. Do të më pëlqente të shkoja në shkollë dhe të studioja aty. Kam më pak shpërqendrime aty”.
“Shpresoj që e gjithë kjo të marrë fund… E kam shumë të vështirë të studioj në shtëpi me kaq shumë shpërqendrime rreth e qark. Do të doja të dilja jashtë sërish pa qenë e shqetësuar se mos infektohem”.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si dhe në vende të tjera të prekura nga virusi, Dr. William Jason Sulaka zhvillon vizita online, pasi nuk mund t’i takojë pacientët e tij ballë për ballë.
“Do të më pëlqente ta vizitoja një pacient në studion time… Parapëlqej vizitat ballë për ballë në vend të atyre online”. Por 40-vjeçari i cili jeton në West Bloomfield, Michigan, është izoluar në shtëpi së bashku me gruan dhe fëmijët e tij.
“Më mungon liria e të dalit jashtë në përgjithësi dhe të mos shqetësohem për personin që është pranë meje.
Mbyllja e vendeve të punës u ka dhënë njerëzve kohën për të qëndruar me njerëzit e familjes, të cilën nuk e kishin pasur më parë. Dino Lin, 40 vjeç, i cili punon në një impiant për pjesë këmbimi makinash, ishte me fat që u shpërngul në një apartament me më shumë hapësirë në Shangai, pak përpara se të përhapej virusi – tashmë, vajza e tij 5 vjeçe, Wowo Lin ka dhomën e saj.
“Kemi qëndruar pjesën më të madhe të kohës në shtëpi. Nuk jemi të detyruar ta bëjmë këtë, por besoj se kjo është mënyra më e mirë për ta mbajtur familjen larg virusit… Herë-herë dal për të bërë pazar. Gruaja dhe vajza nuk dalin kurrë jashtë derës së shtëpisë.
“Tashmë, më së fundi, kam shumë kohë për të kaluar me time bijë dhe gruan. Ne ndihmojmë vajzën duke i bërë një plan se si ta kalojë ditën, që përfshin mësimin e anglishtes, matematikën, praktikimin e violonçelit, leximin dhe gjënë e saj të preferuar, të shohë filma vizatimorë”.
“Kur jeta t’i rikthehet normalitetit, gjëja e parë që do të bëj është një darkë në një restorant luksoz. Dëshira e sime bije është sigurisht të takojë menjëherë dhe të luajë me shoqet e saj më të ngushta”.
Muzikantët e grupit me seli në Pekin “The 2econd” nuk kanë mundur të takohen për javë të tëra, por tashmë ia kanë dalë të bashkohen dhe të japin një shfaqje në livestream për fansat e tyre.
“Nuk e kisha menduar kurrë që nuk do t’i shihja miqtë e grupit për thuajse dy javë. Si pjesë e gjeneratës së një fëmije të vetëm, nuk kemi vëllezër dhe motra. Jemi miq të mirë. Ndajmë çdo gjë në jetë, gëzimet dhe dhimbjet. Jam mësuar t’i takoj ata çdo fundjavë për të pirë diçka apo për të biseduar. U ndjeva keq kur befas, çdo gjë ndali” – tha këngëtari Zhang Cheng, 30 vjeç.
“E shoh këtë periudhë si një thikë me dy presa. Edhe pse disa koncerte janë shtyrë, izolimi na dha më shumë kohë për të reflektuar rreth punës sonë dhe për ta bërë atë më të frytshme”.
Thomas Law Kwok Fai, një prift katolik 70 vjeç në Hong Kong, po i kryen shërbesat fetare në livestreaming, pasi dioqeza vendosi të ndalë përkohësisht shërbesat në kishë.
“Ishte një vendim i dhimbshëm. Megjithatë ishte një vendim me besim, pasi ne besojmë në Zot. Zoti na ka dhënë forcën të bëjmë sakrifica, gjë që tregon se në këtë vendim ka dashuri”.
Në vend të livestreaming, Alessia Mauri, 34 vjeçe, instruktore kërcimi, e cila jeton në Milano, po regjistron leksione për studentët e saj që të mund t’i shohin dhe ndjekin në shtëpi. “Mendova se është më interesante që t’u japësh atyre disa mësime kërcimi, të cilat mund t’i praktikojnë në shtëpi”.
Në kryeqytetin e Venezuelas, Caracas, 51-vjeçarja Ana Pereira jeton vetëm me qenin dhe macen e saj. Ajo ulet para kompjuterit të saj për të bërë një piknik virtual me miqtë e saj, pasi tashmë nuk mund të takohet më me ta, siç bëjnë çdo javë që prej vitit 2011.
Është një zëvendësim sa për të thënë. “Më mungon shumë kontakti fizik”. Pyetjes se cila është gjëja e parë që do pasi jeta t’i kthehet normalitetit, ajo iu përgjigj: “një përqafim”.
Burimi: Reuters
Photo Editing Gabrielle Fonseca; Video Editing Marika Kochiashvili; Writing Alexandra Hudson; Layout Julia Dalrymple