Sot gjatë ditës është raportuar se disa qytetarë që kanë pasur vetëm një dozë të vaksinës janë kthyer në kufi dhe nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë. Lidhur me këtë Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacione të reja për ata që hyjnë në shtetin e Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për personat që hyjnë në territorin e Kosovës dhe punonjësit e institucioneve publike, ku obligohen të paraqesin dëshmi për vaksinim të plotë apo test negativ për COVID-19.
Sipas vendimit të 24 shtatorit, nga dita e mërkurë qytetarët duhet të kenë dy dozat e vaksinës anti-COVID, ose test që dëshmon se nuk është i infektuar.
“Në bazë të pikave 3. dhe 8. të vendimit nr. 01/37, të datës: 24.09.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju rikujtojmë se nga data 13 tetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në ambientet e punës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, nëse nuk janë të vaksinuar ata duhet ta paraqesin ndonjërën nga dëshmitë tjera si: Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë, dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, testi i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Në Kosovë u konfirmuan të enjten 31 raste me koronavirus, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Sipas raportit të saj ditor, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 2,332 mostrave.
Në 24-orëshin paraprak nuk u regjistrua asnjë viktimë, ndërsa u shëruan 150 pacientë.
Raste aktive me koronavirus aktualisht janë 924.
Që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej mbi 160,000 raste me koronavirus dhe 2,973 viktima.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit. Deri të enjten, mbi 654,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.