Pagesa e një tarife për Kartonin e Gjelbër është një ngarkesë më shumë që u shtohet bashkatdhetarëve dhe të huajve të cilët çdo vit vizitojnë Kosovën, e cila nga dita e sotme do të mbulohet nga Qeveria deri në fund të vitit 2020.
Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar të gjithë bashkëatdhetarët se nga sot Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër mbulimin e plotë të primit të Sigurimit Kufitar mbi palët të cilët janë subjekt i kësaj police gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas BKS-së, bazuar në memorandumin e arritur ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, BQK-së dhe BKS-së, bashkëatdhetarët mund të pajisen me policë të Sigurimit Kufitar vetëm në pesë vendkalime kufitare por për të bërë sa më të lehtë ardhjen e tyre, BKS ka përgatitur infrastrukturën e nevojshme në një afat jashtëzakonisht të shkurtë që bashkatdhetarët të kenë mundësi të pajisen me policë të subvencionuar nga Qeveria e Kosovës në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës.
“Duke falënderuar Qeverinë e Kosovës mbi përkushtimin maksimal drejt rimëkëmbjes të ekonomisë, shpresojmë se Qeveria e Kosovës do të adresoj seriozisht marrjen e masave rigoroze lidhur me zvogëlimin e automjeteve paregjistrim / pasigurim, mbase kjo do të ndikonte pozitivisht në rritjen e Sigurisë në Trafik, si dhe do të ishte një kontribut i lartë drejt anëtarësimit në Këshillin e Byrove në Bruksel. Periudha e pajisjes me policë të sigurimit ka filluar nga sot me datë 01.08.2020 dhe përfundon me datën 31.12.2020. Polica e sigurimit bëhet efektive në momentin e lëshimit dhe pranimit nga i siguruari dhe është valide një muaj nga data e lëshimit. Subvencionimi nga Qeveria e Kosovës nuk zbatohet për automjetet /motoçikletat e regjistruara në Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë”, thuhet në njoftim.
BKS thotë se subvencionimi nga Qeveria e Kosovës nuk zbatohet për të gjitha llojet e mjeteve motorike me të cilat zhvillohet veprimtari ekonomike – të regjistruara në emër të personave juridik.
Kurse, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli ka njoftuar se në minutat e parë të ditës së sotme është printuar polica e parë e sigurimit kufitar për diasporën me zero kosto.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Havolli ka thënë se në vazhdim duhet të punohet për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
“Pas angazhimit të përbashkët të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit, në minutat e parë të datës 1 gusht 2020, u printua polica e parë e sigurimit për diasporën me zero kosto, e subvencionuar nga Qeveria”.
Sipas Havollit, për të arritur këtë është e domosdoshme ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara në vend.
“Punët në vazhdim duhet të orientohen në anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër, e përkohësisht të sigurojmë të drejtat tona përmes ndonjë shteti mik të Kosovës. Për të arritur këtë, është e domosdoshme ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara në vend”.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër mbulimin e plotë të primit të sigurimit kufitar për palët që janë subjekt i policës kufitare, të cilët hyjnë në Kosovë brenda këtij viti.
E një vendim i tillë ishte marrë edhe më 3 qershor nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, ditën kur u mbajt mocioni i mosbesimit për rrëzimin e asaj Qeverie.
Kosova aktualisht nuk është pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, pasi neni 4.2 i Kushtetutës së Këshillit të Byrove thekson se një byro e cila synon të anëtarësohet në Këshillin e Byrove, duhet të jetë byroja e një shteti i cili është i njohur ndërkombëtarisht dhe është i anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Tarifat e sigurimit kufitar të Autopërgjegjësisë janë unike dhe aplikohen sipas llojit të automjeteve.
Që nga viti 2011, Byroja aplikon tarifa të veçanta të sigurimit kufitar me Serbinë.
Po ashtu, që nga viti 2012, BKS aplikon tarifa të veçanta të sigurimit kufitar me Malin e Zi.
Departamenti i Sigurimi Kufitar të Autopërgjegjësisë i ka pikat e shitjes në të gjitha pikat hyrëse (pikat kufitare) të Kosovës ku shitet ky lloj sigurimi. Po ashtu, shitja e policës së sigurimit bëhet edhe në Prishtinë, në zyrat qendrore të BKS-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.