Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë. Kjo rritje e çmimit për sigurimin e automjeteve, sipas këtij vendimi të BQK-së, do të jetë mbi 26 për qind. Vendimi për tarifat e reja pritet të hyjë sot. Por, kundër këtij vendimi kanë dalë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë paralajmëruar protesta gjatë ditës së nesërme…
Mijëra qytetarë të Kosovës pritet që me datë 16 nëntor (të shtunën) të protestojnë në mënyrë paqësore, për rritjen e çmimeve të sigurimit të veturave.
Nga data 15 nëntor qytetarët do të paguajnë 26% më shtrenjtë për sigurimin e veturave, vendim i cili është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Çmimet e veturave rriten sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta deri te më e larta.
Si shembull, për veturat prej 0 deri në 750 centimetër kubik që aktualisht paguhet 59 euro, çmimi do të rritet në 74.71 euro. Ndërkaq, tarifa më e lartë, që vlen për veturat mbi 2701 centimetër kubik, e cila është aktualisht 247.80 euro, ndërkaq çmimi i ri do të jetë, 313.78 euro.
Ndërkaq Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila përfaqëson kompanitë e sigurimeve në Kosovë, kishte kërkuar që tarifat për sigurim të detyrueshëm të automjeteve të jenë jo 26, por 36 për qind më të shtrenjta, mirëpo kjo kërkesë u refuzua nga BQK.
E të shtunën me 16 nëntor, mbi 20 mijë anëtarë të grupit ‘SpeedomaniaKS’ në Facebook, pritet që të dalin në protestë paqësore, kundër ngritjes së çmimit për sigurimin e veturave.
Personat përgjegjës të këtij grupi dhe njëkohësisht organizuesit e kësaj proteste, kanë konfirmuar se me datë 16 nëntor mbahet protesta para BQK-së në Prishtinë.
“Të shtunën në ora 16.00, mbahet protesta para BQK’së, në rrugën Luan Haradinaj dhe rrugën Garibaldi, si revoltë kundër ngritjes së çmimeve të sigurimeve”, ka thënë kryesorët e grupit SpeedomaniaKs.
Tutje ata kanë bërë të ditur se sot kanë bërë kërkesë tek Komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës, që kjo protestë të mbahet të shtunën dhe se në këtë protestë pritet të jenë të pranishëm rreth 20 mijë anëtarë të grupit ‘SpeedomaniaKs’.
Banka Qendrore e Kosovës në një njoftimi për media e kishte arsyetuar vendimin e saj që të ndryshojnë tarifat për sigurime të makinave.
“Prandaj, me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikim të tyre, Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datën 31 tetor 2019, bazuar në nenin 36 paragrafi 1, nën paragrafi 1.17 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 8 paragrafi 5 të Ligjit nr. 04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, si dhe nenin 5 paragrafi 2, nenin 7, paragrafi 7 të Rregullores për përcaktimin e strukturës së primit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, ka marrë vendim për ndryshimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia për kategorinë e mjeteve për pasagjerë (grupi tarifor I)”, thuhej në njoftimin e BQK-së. (Lexo: https://www.monitor.al/merret-vendimi-banka-qendrore-rrit-tarifat-per-sigurimin-e-makinave-ne-kosove/)
Në Kosovë llogaritet se numri total i të gjitha veturave që shkelin rrugët e vendit janë hiç më pak se 500 mijë. Kurse janë rreth 1120 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VË, Opel, Mercedes-Benz, Audi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.