Ngatërresa në Ligjin për TVSH-në e nocionit të “Kompensimit të prodhuesit bujqësor” me “Të drejtën e zbritjes së TVSH-së nga personi i tatueshëm blerës te fermeri” po shkatërron bujqësinë shqiptare
Eduart Sharka, Kontabël i Miratuar. Kryetar i “Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar”
Koncepti apo nocioni “Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor”, natyrisht është i huazuar, ashtu si i gjithë legjislacioni ynë fiskal në përgjithësi.
Ky koncept ka lindur në BE, pasi në trendin e politikave ekonomike dhe fiskale për bujqësinë dominon teza që prodhuesi bujqësor, jo vetëm që nuk duhet të paguajë taksa kur shet produktin e vet, por i duhen kompensuar (kthyer mbrapsht) dhe taksat që ka paguar në blerjet për realizimin e këtij produkti.
Këto politika janë kthyer në trend, për faktin se bujqësia është një sektor i domosdoshëm dhe jetik i ekonomisë së çdo vendi, sepse siguron një të mirë publike thelbësore, që është ushqimi për popullatën. Çështja e ushqimit është e lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare të çdo vendi, sidomos në kontekstin e krizave dhe pandemive globale.
Por gjithashtu është fakt i pranuar nga të gjithë se, për specifikat që ka bujqësia, nuk mund të mbijetojë vetëm falë mekanizmave të ekonomisë së tregut dhe nismës së lirë, por për të mbijetuar ka nevojë për mbështetjen e shtetit me politika të veçanta subvencionimi dhe lehtësish fiskale.
Edhe ligjvënësi shqiptar, në kuadrin e njehsimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së në vitin 2007 me Ligjin Nr. 9848, datë 17.12.2007 “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 7928, DATË 27.4.1995 ‘PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR’, TË NDRYSHUAR” amendoi këtë të fundit, duke futur konceptin e kompensimit të fermerëve dhe konkretisht u shtua Neni 58/1 “Skema e kompensimit të fermerëve” me këtë konceptim:
“1. Për fermerët, të cilët, në kuadër të veprimtarisë së tyre, në njërën nga fushat e prodhimit bujqësor e blegtoral, furnizojnë me këto produkte një person të tatueshëm, sipas kuptimit të këtij ligji, zbatohet skema e kompensimit të akorduar. Ministri i Financave, në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për Bujqësinë e Blegtorinë, përcakton me udhëzim listën e produkteve të përfshira në këtë skemë.
2. Kompensimi i akorduar i paguhet shitësit fermer nga blerësi, person i tatueshëm, përkundrejt furnizimeve të kryera.
3. Kompensimi i akorduar është i barabartë me produktin e përqindjes fiks të kompensimit me vlerën e furnizimit dhe llogaritet, për çdo furnizim të fermerit, për personin e tatueshëm. Kompensimi mbulon një pjesë të TVSH-së së paguar prej fermerëve, të përfshirë në çmimin e blerjes së mallrave e shërbimeve, që u janë furnizuar atyre, për nevoja të veprimtarisë ekonomike, bujqësore e blegtorale.
Neni 58 /4 Detyrime të personit të tatueshëm.
4. Kompensimi, që personi i tatueshëm blerës i ka paguar shitësit fermer, vlerësohet si TVSH-ja e kreditueshme për personin e tatueshëm, sipas kushteve të nenit 33 të ligjit dhe deklarohet në periudhën tatimore, kur është lëshuar fatura”.
Norma e këtij kompensimi u vendos të ishte 6%.
Gabimi i madh
Edhe pse nuk dyshohet që dëshira dhe qëllimi ka qenë i mirë, për hir të së vërtetës me këtë amendim të ligjit për TVSH-në ligjvënësi dhe propozuesit e këtij amendimi kanë bërë një gabim të madh me pasoja të rënda për bujqësinë shqiptare. Ndoshta për shkak të mungesës së përvojës në hartimin e politikave fiskale dhe ndoshta të pashqetësuar për pasojat e implementimit të kësaj dispozite nuk i kushtuan rëndësinë e duhur.
Në kushtet e një prodhimi bujqësor shumë të vogël të asaj periudhe dhe të transaksioneve pothuajse 100% informale, asnjë dispozitë ligjore nuk do të kishte asnjë ndikim për mirë, apo për keq. Në atë kohë, ndoshta mjaftonte që të realizohej përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe më vonë do shikohej ndikimi i kësaj skeme në kushtet e vendit tonë.
Por askush deri më sot nuk është kujtuar të analizojë ndikimin e këtij ndryshimi ligjor. Në fakt, kjo skemë, për fat të keq kishte sjellë si pasojë prishjen e mekanizmit të vjeljes së TVSH-së sepse me përjashtimin e fermerit nga llogaritja dhe pagesa e TVSH-së u këput një hallkë e zinxhirit të llogaritjes dhe pagesës të këtij tatimi dhe nuk u rregullua me ndërhyrjet e duhura për të bërë të mundur që ky mekanizëm të funksiononte, duke mos deformuar frymën dhe germën e ligjit.
-E para. Kjo skemë është antikushtetuese. Është antikushtetuese të urdhërosh me ligj një operator ekonomik në treg (grumbulluesin dhe agropërpunuesin) të kreditojë me fondet e tij, për llogari të shtetit, një operator tjetër në treg (fermerin). Në këtë rast shkelen katër nene të Kushtetutës, por nuk është rasti t’i analizojmë.
-E dyta. Kur thua se: “Kompensimi, që personi i tatueshëm blerës i ka paguar shitësit fermer, vlerësohet si TVSH-ja e kreditueshme për personin e tatueshëm”;- ke bërë një ngatërresë të papranueshme konceptesh. Ç’lidhje ka kompensimi i dhënë fermerit mbi çmimin e tregut me TVSH-në e cila duhet t’i njihet e kreditueshme blerësit person i tatueshëm! Kompensimi është një fond i veçantë që blerësi duhet t’ia japë fermerit llogaritur mbi çmimin e tregut për të kompensuar TVSH-në që fermeri ka paguar në blerje, e cila në vetvete është pjesë e kostos së produktit dhe për pasojë, është e inkorporuar në çmimin e tregut mbi të cilin llogaritet kompensimi.
Pra blerësi person i tatueshëm e paguan dy herë vlerën e këtij kompensimi. Një herë si TVSH e inkorporuar në çmim dhe për së dyti, si kompensim i llogaritur mbi këtë çmim. Ky fond i përdorur nga grumbulluesi për të kompensuar fermerin për llogari të shtetit, minimalisht duhej t’i kthehej paguesit 100% plus interesat për kohën e vonesës dhe nuk duhet të kishte asnjë lidhje me TVSH-në e paguar dhe të kredituar.
Lidhja e përqindjes së kreditimit të TVSH-së nga blerësi person i tatueshëm me normën e kompensimit të dhënë fermerit për blerjet e realizuara është një lidhje e pavend. Është një lidhje shkatërruese e drejtësisë dhe ndershmërisë fiskale, të cilat janë parime kushtetuese.
Kjo lidhje e këtyre dy koncepteve në këtë formë prodhon si rezultat tani që norma e kompensimit është 0%, që blerësi person i tatueshëm, edhe pse paguan TVSH në blerje (si më lart shpjeguam) të mos ta ketë të mundur të kreditojë këtë TVSH të paguar. Neni nr. 69 i ligjit për TVSH-në e sqaron shumë mirë lindjen e së drejtës për zbritjen e TVSH-së.
Për të kuptuar më mirë atë çka u mundova të shpjegoj më lart, po tregoj, nëpërmjet një shembulli konkret, atë që pëson një tregtar i produkteve bujqësore kur blen këto produkte te një prodhues bujqësor me statusin “fermer” në kushtet e sotme fiskale.
Supozojmë që një tregtar shumice i fruta-perimeve, i cili blen te fermeri (prodhuesi bujqësor) dhe shpërndan këto produkte te shitësit me pakicë të tezgave apo marketeve blen 1 kg domate me çmim 50 lekë për/kg dhe pasi e mban disa ditë në magazinë, i duhet ta shesë po me 50 lekë/kg për të mos ta hedhur të nesërmen. Pra e blen 50 lekë/kg dhe e shet po 50 lekë/kg.
Vlera e shtuar është në këtë rast 0 (zero) lekë. Pas regjistrimit të faturave të këtyre transaksioneve në librat fiskalë, këtij operatori i rezulton që të paguajë 8.33 lekë TVSH ose 1/6 e çmimit të shitjes që është 50 lekë. Pra operatori duhet të paguajë Tatim mbi Vlerën e Shtuar kur Vlera e Shtuar është 0 (zero) lekë. Kjo është absurde, është e papranueshme e paligjshme dhe e padrejtë.
Nga hulumtimi im më rezulton që me shumë gjasa, politikëbërësit fiskalë në Ministrinë e Financave asokohe morën në konsideratë dhe kopjuan, pa e kuptuar mirë, qëllimin e saj, një “skemë” nga ligji italian i TVSH-së dhe pikërisht skemën: -“REGJIMI SPECIAL i TVSH-së PËR BUJQËSINE. SI TË LLOGARISËSH TVSH PËR T’U PAGUAR. Në dispozitën përkatëse thuhet:
– “Regjimi special i TVSH-së për sipërmarrësit në bujqësi, është i përmbajtur në artikull 34 të Dekretit të Presidentit të Republikës n. 633/1972, dhe konsiston në regjim special për llogaritjen e TVSH-së së zbritshme. TVSH e zbritshme nuk llogaritet në mënyrë analitike në bazë të TVSH-së paguar furnizuesit, por llogaritet në bazë të tarifave fikse me anë të aplikimit të përqindjes së kompensimit mbi përmbledhjen e produkteve bujqësore të shitura”.
Kjo skemë në vetvete, nuk është gjë tjetër veçse një regjim i veçantë i TVSH-së që prodhuesit bujqësorë në Itali, nëse u intereson, zgjedhin ta aplikojnë sepse u krijon lehtësi procedurale në mbajtjen e llogarisë së TVSH-së së zbritshme.
Në këtë regjim është përcaktuar përqindja e TVSH-së së zbritshme, ose përqindja e kompensimit (si e quajnë ata) për çdo produkt dhe në bazë të kësaj përqindje, bëhet llogaritja afrofe pa qenë nevoja të bëhet llogaritja analitike e TVSH-së për t’u paguar në bazë të faturave të blerjes nga furnitorët. Më poshtë është tabela me përqindjen e kompensimit aktuale në fuqi në fiskun italian.
Në tabelën e mësipërme, në kolonën e parë, janë llojet e produkteve bujqësore; në kolonën e dytë është shkalla e TVSH-së që aplikohet për secilin produkt; në kolonën e tretë është norma në përqindja e kompensimit, në kolonën e katërt është diferenca që ngelet për t’u paguar.
Duket qartë se kjo skemë nuk ka lidhje me kompensimin e fermerëve për TVSH-në e paguar, të cilën e ka si qëllim skema e implementuar në ligjin tonë, sepse kemi të bëjmë me dy kontekste krejt të ndryshme.
Gabimi në kopjimin dhe implementimin e kësaj skeme qëndron në faktin se nuk u mor në konsideratë se në Shqipëri fermeri nuk është subjekt i TVSH-së si në Itali. Pra kemi kushte dhe trajtim të ndryshëm të prodhuesve bujqësorë. Në Shqipëri, për diskriminim pozitiv, fermeri nuk është subjekt i TVSH-së me argumentin që fermeri shqiptar nuk ka mundësi të llogarisë dhe të paguajë TVSH. Në Itali, fermeri apo prodhuesi bujqësor është subjekt i TVSH-së si çdo subjekt tjetër tregtar dhe i lëshon faturë me TVSH blerësit të tij.
Normal që nuk paguan TVSH për shkak se politikat fiskale në fushën e bujqësisë në të gjithë Europën synojnë që prodhuesi bujqësor nuk paguan taksa në shitje dhe kjo realizohet nëpërmjet shkallëve të reduktuara të TVSH-së në shitje për produktet bujqësore. Prodhuesi bujqësor del gjithmonë me tepricë kreditore të TVSH dhe kjo tepricë shfrytëzohet për të kompensuar detyrime të tjera dhe investime në bujqësi.
Në këtë pikë ndodhi ngatërresa. Në Itali, prodhuesi bujqësor apo fermeri, edhe pse zgjedh të aplikojë “Regjimin special të TVSH-së për bujqësinë”, ai përsëri lëshon faturë për produktin që shet me shkallën ligjore të TVSH-së dhe blerësi i tij e ka të drejtën dhe mundësinë të kreditojë këtë TVSH të paguar në blerje. Pra nuk prishet mekanizmi i vjeljes së TVSH-së. Ndërsa tek ne fermeri nuk lëshon faturë me TVSH, por është blerësi person i tatueshëm që lëshon autofaturë.
-Kjo e ashtuquajtur skemë kompensimi ka qenë në fuqi deri më 28 gusht 2014. Deri në këtë periudhë, skema nuk ka funksionuar për çka u ideua, por kur pas vitit 2000, meqenëse bujqësia në Shqipëri filloi të zhvillohej, fermerët u kthyen të prodhonin dhe të nxirrnin produktin e tyre në treg, produkt të cilin e blinin agropërpunuesit dhe tregtarët, filloi të njihej efekti negativ i kngatërresës të së ashtuquajturës normë kompensimi të fermerëve me shkallën e TVSH-së së aplikuar në këto transaksione.
Ndryshimi në gusht 2014
– Në gusht 2014, qeveria vendosi të ndryshonte të ashtuquajturën normë kompensimi nga 6% në 20% si pasojë e presionit në rritje të agropërpunuesve dhe grumbulluesve të produkteve të blera nga fermeri të cilët ishin në kushtet e një diskriminimi fiskal për shkak të kësaj skeme. Në mënyrë të pavullnetshme, qeveria rregulloi mekanizmin e vjeljes së TVSH-së në përputhje me frymën e ligjit, sepse barazoi shkallën e TVSH-së në blerje me atë në shitje.
Ky rregullim i pavullnetshëm i mekanizmit të llogaritjes dhe vjeljes së TVSH-së i vuri operatorët e agrobiznesit dhe agroturizmit në binarët e një taksimi të ndershëm dhe ligjor, gjë e cila solli si pasojë rritjen e interesit për produktet e fermerëve vendas.
Rritja e kërkesës në treg për këto produkte solli rritje të çmimeve të këtyre produkteve (efekt i natyrshëm i mekanizmit kërkesë-ofertë) dhe për pasojë rritja e çmimeve solli rritje të interesit të fermerëve shqiptarë për të prodhuar dhe për të investuar në këtë sektor. Më 01.01.2019, përqindja e kompensimit u kthye përsëri 6% dhe më 01.01.2022 përqindja e kompensimit u bë 0%.
Çfarë po ndodh aktualisht
Nga 01.01.2022 ndodhemi në kushtet ku aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH që aktualisht është 0% në blerje për shkak të zerimit të normës së kompensimit dhe 20% në shitje. Kjo situatë thellon informalitetin dhe dëmton fermerët, tregtarët dhe agropërpunuesit. Kjo i ka vënë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë, i detyron të furnizohen me produkte bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vendas.
Fakti që qeveria nuk i vjel TVSH në shitje fermerit për diskriminim pozitiv dhe shumë mirë bën, nuk do të thotë se këtë TVSH nuk e paguan blerësi. Në rastin kur tregtarët dhe agropërpunuesit shesin në tregun vendas, këtë TVSH shteti e vjel dy herë; një herë ia vjel operatorit që shet te fermeri dhe për së dyti, operatorëve që blejnë te fermeri dhe shesin në rrjetin tregtar pa llogaritur të zbritshme TVSH e paguar në blerje. Kjo është e paligjshme, e padrejtë dhe shkon deri në faj.
“Ligji Nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, Neni 1 Objekti i ligjit 1. Ky ligj vendos Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-në). 2. TVSH-ja është një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin. TVSH zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve”.
Nëse pretendohet nga ekspertët e Ministrisë së Financave se eksportuesit dhe agropërpunuesit tek fermerët blejnë me çmim pa TVSH, ky pretendim është i gabuar, i pavërtetë dhe i padrejtë. Vendi ynë ka një specifikë që në çdo hallkë të tregut negociohet çmimi fundor me TVSH, përfshirë këtu edhe në tregun e fruta-perimeve.
Nuk duhet harruar që çmimi që blejmë te fermeri ka të inkorporuar në koston e mallit, edhe TVSH që fermeri ka paguar:
-Kur ka blerë me TVSH të gjitha materialet për ndërtimin e serës dhe investime të tjera për sistemet e ujitjes dhe shpenzime të tjera.
-Kur ka blerë fillimisht dhe sa herë që ndërron plastmasën.
-Kur blen energjinë elektrike.
-Kur blen naftën në rastin kur nuk përfiton nga skema aktuale se është pronar me më pak se 0.4 ha tokë.
-Kur blen shërbime mirëmbajtje për mekanikën bujqësore.
-Kur do të blejë imputet bujqësore me 10% TVSH, etj.
Në tabelën e mëposhtme është e detajuar me hollësi TVSH që paguan fermeri për prodhimin e një kg domate.
Si zgjidhet problemi
Unë jam i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të formalizonte qarkullimin e brendshëm të produkteve bujqësore që aktualisht është rreth 90% informal dhe për pasojë do të rriste të ardhurat në buxhetin e shtetit. Do të rriste prodhimin bujqësor në tërësi, do të rriste eksportet, sepse do të bënte të mundur që eksportuesit të merrnin ne formë rimbursimi TVSH-në që paguajnë kur blejnë të fermerët.
Duke qenë se rreth 90% e produktit që eksportohet blihet nga prodhuesit bujqësorë me statusin “Fermer”, nëpërmjet autofaturës, duhet me patjetër të njihet e drejta legjitime që në autofaturë të llogaritet TVSH në blerje në shkallën e përcaktuar aktualisht në ligj për këto produkte dhe kjo TVSH e llogaritur të njihet e kreditueshme. TVSH të llogaritet si 1/6 e çmimit fundor të blerjes, ndërkohë që shkalla e TVSH për këto produkte në shitje është 20%. Pra të barazohet shkalla e TVSH në shitje me atë në blerje.
Duhet konsideruar kjo si një të drejtë legjitime për të gjithë operatorët ekonomikë të këtij sektori (eksportues, agropërpunues, distributorë në tregun e brendshëm etj.) sepse kanë të drejtën kushtetuese të kenë një trajtim të ndershëm dhe të drejtë taksimi. Këtë të drejtë ua jep ligji në fuqi.
Këtë TVSH që paguan fermeri në blerje, shteti ia vjel operatorit shitës te fermeri, ndërsa paradoksalisht, operatorëve që blejnë tek fermeri kjo nuk i llogaritet e zbritshme dhe nuk i kreditohet, në mënyrë të kundërligjshme, edhe pse kjo TVSH paguhet e inkorporuar në çmimin e shitjes si kosto produkti.
Për këtë arsye, tregu i brendshëm i fruta-perimeve është aktualisht 90% informal dhe shteti nuk vjel TVSH që konsumatori e paguan. Edhe eksportuesit dhe agropërpunues e kanë të nevojshme të dalim në tregun vendas, qoftë me produktet që kanë standard eksporti, por edhe me produkte më pak cilësore që mund të përdoren në industrinë përpunuese, por që në këto kushte e kemi të pamundur, pasi na intereson më mirë ta asgjësojmë për shkak të tatimit që do të paguanim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.