Ngec kredia për ekonominë në nëntor, a do ndikojë tërmeti?!

27/12/2019 10:54 AM 0 komente

Huaja për ekonominë ka shënuar një rënie të lehtë në nëntor, pas 7 muajsh që ajo kishte shënuar rritje të fortë.

Sipas statistikave të publikuara sot nga banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë ishte 568 miliardë lekë në fund të muajit nëntor, me një rënie të lehtë prej 329 milionë lekësh në krahasim me muajin e mëparshëm.

Kjo rënie ka ardhur si rrjedhojë e tkurrjes së huasë në valutë për korporatat, që ka rënë me 0.75%, ose me 1.5 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm. Ndërsa kredia për individë ka vijuar tendencën rritëse, me 0.35% në raport me muajin e mëparshëm, si në lekë ashtu dhe në valutë.

Gjatë këtij viti, huadhënia për ekonominë ishte rigjallëruar pas disa vitesh në stanjacion. Me bazë vjetore, (nëntor 2019/nëntor 2018), kredia për ekonominë është rritur me 6.3%, e ndikuar si nga leku ashtu dhe nga valuta.

Guvernatori i bankës së Shqipërisë tha në daljen e fundit për shtyp se kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5% në tremujorin e tretë. Përshpejtimi i ritmit të rritjes i dedikohet si zgjerimit të kërkesës, ashtu dhe përmirësimit të ofertës së kredisë bankare. Kjo e fundit, pasqyron jo vetëm përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar – sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme – por edhe rritjen e konkurrencës në sistem, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar. Nga pikëpamja e kompozimit, përshpejtimi i ritmit të rritjes së kredisë ka pasur një bazë të gjerë, në terma të strukturës valutore, të përfituesve, si dhe të destinacionit të saj. Ky është një sinjal tjetër inkurajues për zgjerimin e kredisë në të ardhmen.

 

A do të ndikojë tërmeti?

Ekspertët e bankave presin që huadhënia për ekonominë të ndikohet nga tërmeti me pasoja shkatërruese që ra në 26 nëntor. Shumë biznese, sidomos në Durrës, janë prekur dhe të tjera po rishikojnë planet e tyre për investime. Ndërsa qindra banesa të reja janë dëmtuar, një pjesë e të cilave me kredi. Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me drejtuesit e bankave u kërkoi atyre të krijojn lehtësi për të prekurit nga tërmeti. t’u vijnë në ndihmë klientëve të tyre të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duke u ofruar të gjitha lehtësitë e mundshme, si nëpërmjet rishikimit të kushteve të marrëdhënieve ekzistuese, ashtu edhe trajtimit të kujdesshëm të kërkesave të tyre në të ardhmen.

Intesa Sanpalo bank njoftoi pak ditë më parë se ajo ka ofruar ndërprerje të përkohshme të pagesave të kredive (moratorium), ristrukturim kredie dhe kredi të reja me një periudhë shtyrjeje pagimi 6-mujore (grace-period) për qytetarët e prekur nga pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of