Kredia për sektorin energjetik është në stanjacion prej fillimit të krizës.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të shkurtit portofoli i kredisë për këtë sektor kishte vlerën e 27.9 miliardë lekëve ose rreth 227 milionë eurove.
Teprica e kredisë për këtë sektor është rritur me vetëm 0.9% krahasuar me një vit më parë. Mes nëntorit të vitit 2018 dhe marsit 2020, portofoli i kredisë për kompanitë private të sektorit të energjisë u zgjerua me 76%.
Ndërkohë, pas muajit mars, periudhë që përkon me shfaqjen e pandemisë, kredia për këtë sektor e ka ndërprerë rritjen. Kredia për energjetikën, në pjesën që i takon kompanive private, është e lidhur kryesisht me financimin e investimeve për të ndërtuar HEC-e të reja. Frenimi i kredisë në këtë sektor mund të jetë tregues i një ngadalësimi të investimeve në këtë sektor pas krizës.
Një dekadë më parë, financimi i këtyre projekteve u prit me një lloj skepticizmi nga sistemi bankar dhe problemi kryesor ishte mungesa e garancive të mjaftueshme nga investitorët. Megjithatë, kjo pengesë u zgjidh gradualisht nëpërmjet gjetjes së garancive të pranueshme për bankat tregtare. Format e garantimit të këtyre kredive ishin vendosjet e barrës mbi asetet e HEC-eve, sipas një formule ku kompania koncesionare duhet të merrte një miratim paraprak nga Enti Rregullator i Energjisë, përmes pengut mbi makineritë e pajisjet, mbi të ardhurat nga shitja e energjisë dhe mbi aksionet e kompanive.
Sidoqoftë, financimet e sektorit bankar shqiptar përbëjnë një pakicë kundrejt totalit të investimit të kryer në veprat e reja energjetike në vitet e fundit. Kompanitë që zotërohen nga investitorët e mëdhenj strategjikë, si Devoll Hydropower ose Energji Ashta i kanë financuar investimet me kapitalet e tyre. Disa projekte janë mbështetur edhe nga bankat e mëdha të zhvillimit, sidomos nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa disa të tjera, kanë arritur të sigurojnë financime të mëdha nga banka tregtare jashtë vendit, si për shembull kompania turke Ayen Energy. Bankat tregtare shqiptare kanë financuar projekte më të vogla, por që në totalin e tyre kanë arritur vlera të konsiderueshme.
Shoqëritë koncesionare të ndërtimit të hidrocentraleve kanë normën më të lartë të fitimit në ekonominë shqiptare, me një fitimi para taksave sa 61% e xhiros. Sipas të dhënave nga bankat, përgjithësisht portofoli i kredisë në energjetikë ka cilësi të mirë dhe nuk regjistrohen nivele shqetësuese të kredive joperformuese.
Megjithatë, edhe ky biznes përballet me rreziqe, të lidhura sidomos faktorin natyror dhe pritshmëritë për prurjet e lumenjve në kohë, që kanë luhatshmëri të lartë. Vitin e kaluar, HEC-et private dhe koncesionare siguruan mbi 41% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në vend. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.