Makina elektrike shihet si zgjidhje ekonomike, ekologjike dhe investim për të ardhmen. Me këtë moto, dy kompani në Shqipëri ushtrojmë biznesin e taksive përmes flotave elektrike. Sipas tyre, ky biznes po sheh rritje, ndonëse ka disa probleme që lidhen me mungesën e një projektligji që rregullon dhe subvencionon bizneset apo konsumatorët që marrin makina të tilla, si dhe përgatitjen e një infrastrukture më të mirë për këtë kategori.
Nga Deada Hyka
Blerësit e zgjuar të një automjeti e dinë se kosto reale e tyre përfshin shumë faktorë. Çmimi i blerjes është vetëm një prej tyre. Ato përfshijnë karburantin, interesin (në rastin e blerjes me kredi), siguracionin, taksat, mirëmbajtjen dhe kostot nga amortizimet. Duke ecur me hapat e teknologjisë, ekspertët pohojnë se një makinë elektrike është zgjidhja më e mirë ekonomike, teknologjike dhe mjedisore. Ndonëse Shqipëria është ende shumë prapa krahasuar me rajonin (aq më shumë Europa) për tregun e makinave elektrike, interesi për to mendohet se po rritet.
Aktiviteti i mirëfilltë i biznesit si ai i taksive elektrike po sheh rritje, ndonëse duke shkelur në disa problematika. Në 2014-n, në Tiranë, nisi puna për të sjellë kompaninë e parë të taksive elektrike dhe Jutbina Katana, administratore e Saytaxi, shprehet se tashmë kërkesa për këtë shërbim është e lartë. Sipas saj, në fillim të gjithë ishin skeptikë, nëse Tirana ishte gati për këto taksi dhe frika e dështimit ishte e madhe. Në flotën e tyre ka aktualisht 15 automjete elektrike, të cilat janë shtuar vit pas viti.
Në Tiranë, duke nisur nga janari 2018, operon dhe Green Taxi, një tjetër shërbim taksie që përdor vetëm makinat elektrike, infrastruktura për të cilën nisi të përgatitej që në 2017 nga e njëjta kompani me emër, Green Solution. Endrit Masha, administratori, pohon se aktiviteti i kësaj kompanie po zgjerohet. Flota aktualisht numëron 16 makina dhe thekson se, duhet të shtohen burimet e energjisë së posaçme për to. Gjithashtu, ka disa taksistë, të cilët kanë blerë makina elektrike dhe e ofrojnë këtë shërbim jashtë këtyre kompanive. Sikurse edhe kompania Auto You, që ka pjesë të grupit Say Taxi, ofron flota edhe për taksistë individualë.
Një makinë elektrike karikohet në një burim të posaçëm energjie përmes një kablloje në ato që quhen stacione karikimi. Mjafton që makina të lihet në karikim për 6 deri në 8 orë dhe ajo është e gatshme të përshkojë një distancë 150 deri në 200 km. Zhvillimet teknologjike kanë sjellë dhe Fast Charger, një kabllo e posaçme, e cila e redukton kohën e karikimit të plotë të makinës në 30 minuta.
Aktualisht në Tiranë ka disa pika për karikimin e makinave elektrike, numërohen 10 të tilla dhe në 3 prej tyre automjetet mund të karikohen dhe me Fast Charger.
Përgatitja e infrastrukturës
Thembra e Akilit në këtë sektor në Shqipëri është mungesa e infrastrukturës, por edhe e një projektligji që rregullon sektorin. Në vitin 2014, për herë të parë u sanksionua nevoja për të krijuar stacione karikimi për makinat elektrike, në një vendim të Këshillit të Ministrave. Në Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor u shtua si kërkesë vendosja e këtyre stacioneve brenda dy vitesh në çdo zonë shërbimi – që nënkupton pikat ku makinat furnizohen me karburant. Ndonëse ka kaluar më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, vihet re se pikat ku makinat furnizohen me karburant nuk kanë stacione karikimi. Aktualisht në Tiranë ka disa stacione, por të gjitha janë ndërtuar nga operatorët privatë të taksive apo kompanitë që shesin makina elektrike.
Në tetor të vitit 2016, Policia e Shtetit prezantoi 11 makina elektrike patrullimi në Tiranë, një dhuratë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE. Stacionet e karikimit për këto makina u vendosën pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas informacioneve, në 2018-n, këto makina u përdorën vetëm për patrullime brenda Tiranës. Në shtator të vitit 2017, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përgëzoi shërbimin e taksive elektrike dhe premtoi se së shpejti në Tiranë do të përdoreshin edhe autobusët që furnizohen me energji elektrike, të cilët nuk e kanë nisur aktivitetin ende.
Bizneset e fushës së taksive elektrike pohojnë për “Monitor” se kosto e lartë e karburantit në vend dhe nevoja për një transport më ekonomik dhe eficient, nxit më shumë nevojën e flotave elektrike. Klientët shqiptarë, përkundrejt mendësisë, kanë nisur që të ndërgjegjësohen dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë taksi elektrike, pasi çmimi final bën diferencën. Sipas aktorëve të tregut, ka disa arsye pse makinat elektrike sot nuk janë pjesë e rrugëve në një masë më të madhe. Disa probleme ende nuk janë zgjidhur, siç janë bateritë e rënda, koha e gjatë që kërkojnë për karikim, çmimi i lartë dhe vështirësia për karikim. Sot teknologjia ka avancuar dhe është bërë diçka për t’i bërë makinat elektrike më efikase, por në Shqipëri po përshtatet me hapa më të ngadaltë.
Krahasuar me një vit më parë, Loreta Hysa, administratore e Autoyou thotë se kanë trefishuar investimin për kullat e karikimit, kanë dyfishuar stafin teknik dhe atë të shitjeve në terren dhe janë duke ndërtuar një servis modern për diagnostikimin e automjeteve elektrike, i pari në Shqipëri dhe në Ballkan i pavarur nga një kompani mëmë e një marke të caktuar automobilash.
Përkundër zhvillimeve, kompania Auto You që administron, ka pasur vështirësitë e veta. Përpos mungesës së legjislacionit të posaçëm për zbatimin e elektromobilitetit, mungesës së profesionistëve të fushës, vështirësia më e madhe mbetet mendësia, gjë për të cilën janë duke punuar me fushata informimi publik edhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë në treg.
Për të ardhmen, Loreta thotë se do të kenë një bashkëpunim me kompaninë Electrify Albania, që po shtron infrastrukturën e karikimit në vend, nga Veriu në Jug, duke u mundësuar klientëve që të përfitojnë tarifa më preferenciale për shërbimin e karikimit. Tashmë të gjithë përdoruesit e automjeteve elektrike mund të karikojnë automjetet e tyre në stacione të shpejta (20-30 minuta karikim i plotë) në Tiranë, Fier dhe Gjirokastër, duke u pajisur me një kartë RFID të parangarkuar shërbimi.
Është një zgjidhje e mirë ekonomike, teknologjike dhe mjedisore, të kesh mundësinë të lëvizësh me një automjet elektrik. Të gjendur dita- ditës nën efektin e emetimeve të gazrave të makinave me karburant, por edhe të çmimeve të karburanteve, makinat elektrike shihen si një zgjidhje e mirë.
Sipas ekspertëve të fushës, makinat elektrike janë edhe një përpjekje për të ulur varësinë e ekonomisë nga hidrokarburet. Sa më shumë automjete të tilla të jenë qarkullim, më shumë oksigjen do të ketë në mushkëritë tona, më pak ilaçe dhe më shumë të ardhura për familjet tona, argumentojnë aktorët e tregut.
Mjetet elektrike zakonisht kushtojnë më shumë në fillim se homologët e tyre që fuqizohen nga nafta ose benzina, por pritet të jenë më të lira se automjetet tradicionale deri në vitin 2022, madje edhe sikur makinat tradicionale të përmirësojnë eficencën e tyre me 3.5% për çdo vit, sipas një studimi botëror. Të gjitha makinat e reja me motorë më djegie të brendshme vijnë me një listë të gjatë mirëmbajtjeje. Ajo përfshin ndërrim vaji transmisioni dhe ndërrim vaji-frenash, kandele dhe tela, rripa, ndërrim baterie, filtra ajri: të gjitha rrisin shumë shpejt koston totale të mjetit. Mjetet elektrike vijnë me kërkesa më të pakta mirëmbajtjeje dhe prandaj kostot e mirëmbajtjes janë shumë më të ulëta.
“Motori elektrik ka një pjesë të lëvizshme, aksin, i cili është shumë i besueshëm dhe kërkon pak ose aspak mirëmbajtje. Kontrolluesi dhe karikuesi janë pajisje elektronike pa pjesë të lëvizshme dhe kërkojnë pak ose aspak mirëmbajtje”, thuhet në studimin më të fundit nga Laboratori Kombëtar i Idahos.
Enis Sheshi, drejtor i Monitorimit Elektronik pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe i specializuar në fushën e makinave elektrike, pohon për “Monitor” se adoptimi i automjeteve elektrike nga shqiptaret është i lidhur ngushtësisht me tre faktorë: tendenca e tregut, politikat nxitëse nga qeveria, si dhe përfitimet ekonomike e mjedisore për vendin.
“Vërejmë që në kontinentin e vjetër, kompanitë automobilistike, në pjesën dërrmuese të mjeteve që hedhin në treg për transport rrugor, vijojnë ta kenë me motorë me djegie të brendshme. Në këtë këndvështrim, konsumatori shqiptar është ngushtësisht i lidhur me tendencën e tregut europian, duke qenë se në importet e automjeteve që hyjnë në vend, mbizotërojnë markat europiane. Edhe pse këto kompani, kanë bërë hapa të konsiderueshëm në kërkim teknologjik për motorë me burim të pastër, janë shumë mbrapa prodhuesit amerikan Tesla, e cila është prodhuesja më e madhe në botë e makinave elektrike, por me shitje të mëdha në territorin amerikan. Pra, nëse do të kemi një trend në rritje në Europë të përdorimit të këtyre automjeteve, gjë që mendohet se do të ndodhë shpejt, kjo do të reflektohej edhe në tregun tonë të brendshëm”, – përfundon z. Shehi.
Ai e vë theksin tek adaptimi i politikave nxitëse që qeveritë duhet të promovojnë në rritjen e përdorimit të këtyre mjeteve.
“Qeveria jonë në këtë rast, duhet të motivojë konsumatorin shqiptar, për përdorimin e automjeteve me energji elektrike, duke marrë masa të ndryshme, të natyrës financiare dhe fiskale. Duke mbështetur ekonomikisht të gjithë ata qytetarë që vendosin të zëvendësojnë automjetet e tyre, përmes bashkëfinancimit (për shembull, dhënie inventiva x euro nga buxheti i shtetit me bankat e nivelit të dytë, për blerjen e një automjeti të tillë).
Taksa të ulëta për bizneset që adaptojnë automjete elektrike, për transportin e mallrave apo ofrimin e shërbimeve. Ulje taksash për koncesionarët që tregtojnë këto lloj mjetesh në territorin tonë.
Shembulli tipik është Norvegjia, e cila edhe pse është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të hidrokarbureve në Europë, ka adaptuar politika që çojnë gjithnjë e më shumë në rritje të numrit të automjeteve elektrike. Ka financuar ngritjen e stacioneve elektrike të karikimit të këtyre automjete (karikimi kryhet falas sepse stacionet e furnizimit me energji elektrike janë të pajisura me panele diellore, të cilat e prodhojnë vetë energjinë që përdorin për furnizimin e automjeteve me korent”, – pohon ai.
Në terma të përfitimit ekonomik dhe mjedisor, z. Shehi pohon se çmimi i karburantit dhe shpeshherë, një karburant jocilësor, emetimet e të cilit ndotin mjedisin, janë dy faktorët kryesorë pse ka ardhur koha e mjeteve elektrike.
E ardhmja
Sipas Bloomberg New Energy Finance, brenda një dekade makinat elektrike do të jenë më të lira për t’u blerë në krahasim me ato që përdorin karburant. Nga 2021, kapaciteti për të ndërtuar bateri të tilla, do të rritet për më shumë se 10 milionë makina. Pjesa më e madhe e tyre do të vijnë nga Kina, Tajlanda, Gjermania dhe Polonia.
Kosto e ulët
Për 100 kilometra, një makinë elektronike harxhon 12.7 kilovolt ose 150 lekë. Një makinë normale për 100 kilometra, harxhon rreth 14-15 litra karburant. Shembull: Një makinë elektrike e llojit Nissan Leaf kërkon 30 kWh energji për të përshkuar një distancë rreth 160 km. Në Shqipëri, kjo kushton pak më shumë se 420 lekë (1 kWh = 14 lekë). Një makinë me një motor mesatar, për të njëjtën distancë do të kërkonte rreth 15 litra karburant, me një vlerë prej afërsisht 2,500 lekësh (1 litër benzinë = 170 lekë).
Ulje taksash dhe subvencione qeveritare
Shumica e qeverive vendore dhe lokale në botë mundësojnë subvencione financiare për konsumatorët që të blejnë makinë elektrike. Çdo ME-je të re të marrë në SHBA i jepet një kredit takse prej 2,500$ deri në 7,500$. Sipas një studimi të bërë nga kërkues të Universitetit të Kalifornisë, Davis, programi i taksës federale ka qenë arsyeja kryesore që 30% e blerësve kanë marrë një ME. Në Shqipëri, aktorët e tregut kërkojnë që të përpilohet një projektligj për makinat elektrike, që të ofrojë lehtësi për konsumatorët ose bizneset.
Blerja e një makine elektrike në Eurozonë
Në këto vende funksionon e njëjta valutë, por taksat dhe subvencionet ndryshojnë nga shteti në shtet. Kjo shpie në diferenca të mëdha midis shteteve. Për lehtësi, do të përdorim shembullin më poshtë, por e njëjta linjë mendimi dhe krahasimi mund të aplikohet në shumë vende dhe me makina elektrike të tjera si p.sh., Nissan Leaf. Vëllezërit e vegjël të MiEV–s mund të blihen në Gjermani për 15.454 €. Në këtë shtet nuk ka subvencione (stimuj) qeveritarë dhe TVSH-ja është 19%. Në Itali, me 22% TVSH, e njëjta makinë, në website-n e Citroen kushton 30.690,50€. Diferenca e TVSH-së nuk e shpjegon se pse e njëjta makinë kushton më shumë se dyfishi në një vend. Ka vende si Franca, ku blerësit e makinave elektrike përfitojnë nga qeveria subvencione deri në 10.000 €. Në Francë, TVSH-ja është 20%, vetëm 1% më shumë se në Gjermani. Por aty, Citroen C-Zero kushton 26.900 € dhe mund të shkojë deri në 16.900€, falë stimulit të qeverisë. Çfarë mund të konkludojmë nga kjo? Me gjithë subvencionin e paguar nga paratë e taksapaguesve, në Francë, C-Zero kushton më shumë se në Gjermani. Kjo do të thotë se prodhuesit e makinave po marrin para që duhet të përdoren për të bërë makinën elektrike më të lirë. Ja pse ndoshta subvencionet financiare nga qeveritë për blerjen e makinave elektrike nuk janë gjëja e duhur. Kur ndodh kjo, prodhuesit e makinave thjesht bëjnë çmimet artificialisht të larta që të mund të përfitojnë nga subvencionimi dhe njëkohësisht mbajnë status quo – në; ndërkohë që merren paratë e njerëzve për të financuar përfitime personale. Shembulli i Kalifornisë është mbase më i duhuri. Qeveria thjesht u kërkon makina elektrike prodhuesve, nuk u lutet dhe as paguan çmim të lartë për to.
A do të jetë elektrike e ardhmja e makinës?
Numri i automjeteve elektrike që qarkullojnë në Europë arriti në gjysmë milion në 2017-n, me 150.000 njësi të reja të shitura gjatë vitit. Vendi europian me më shumë njësi makinash elektrike në vitin 2017 është Norvegjia (33.791, 17,2% e shitjeve totale në vit), ndjekur nga Franca (30.921, 1,2%), Gjermania (28.493, 0,8%) dhe Britania e Madhe (14.681, 0,5%). Këtë e bën të ditur Shoqata Kombëtare Franceze për Lëvizshmërinë Elektrike. Në vitin 2017, numri i njësive të reja të automjeteve elektrike 100% në Europë arriti 149.086, në rritje me 43,9% krahasuar me 2016-n. Këto automjete përbëjnë 0,9% të tregut (në 2016, ishin 0,6%). Për momentin, në Europë qarkullojnë 501.798 automjete elektrike. Edhe Holanda ka bërë hapa para, në vend të pestë me 8.000 njësi të reja, 1,73% e shitjeve. Italia është pas me rreth 2.500 njësi të reja, edhe pse në rritje krahasuar me 2.000 njësi në vitin 2016.
Klasifikimi i 12 automjeteve elektrike më të shitura në Europë gjatë vitit 2017
1 – Renault Zoe (31.302)
2 – Nissan Leaf(17.293)
3 – BMWi3 (14.785)
4 – Tesla Model S (14.319)
5 – Volkswagen e-Golf(12.663)
6 – Tesla Model X (10.396)
7 – Nissan e-NV200 (4.419)
8 – Smart ForTwo (4.239)
9 – Renault Kangoo ZE (4.232)
10 – Volkswagen e-Up! (2.981)
11 – Opel Ampera-E (1.942)
12 – Smart ForFour (1.423)Gjermania, 1 miliard euro për blerësit e makinave elektrike
Gjermania ka nisur që në 2016 një skemë stimuluese me vlerë rreth 1 miliard euro për të siguruar që më shumë konsumatorë të blejnë makina elektrike, teksa përpiqet të përmbushë objektivin për të sjellë 1 milion prej tyre në rrugët e saj deri në fund të dekadës. Shpenzimet e stimujve, të ngjashme me ato të aplikuara në disa vende të tjera europiane, duhet të ndahen në mënyrë të barabartë mes qeverisë dhe prodhuesve të makinave, me qëllim për të shitur një shtesë prej 400,000 makinash elektrike, referoi ministri i Transportit, Alexander Dobrindt. Kritikët thonë se gjenerimi më i madh i energjisë elektrike për të ngarkuar makinat me bateri do të rrisë emisionet e dioksidit të karbonit. Aktualisht Gjermania, tregu më i madh i makinave në Europë, ka rreth 50,000 automjete totalisht elektrike dhe hibride në mesin e 45 milionë makinave që lëvizin në rrugët e saj. Sipas planeve, të miratuara më herët në mesin e ministrave të qeverisë dhe përfaqësuesve të Volkswagen, Daimler dhe BMW, blerësit e makinave elektrike do të përfitojnë një zbritje prej 4,000 eurosh, ndërsa blerësit e makinave hibride do të përfitojnë një zbritje 3,000 euro.
Bullgari / 10 milionë euro investime dhe 300 vende të reja pune në një fabrikë makinash elektrike
10 milionë euro do të investohen në Bullgari nga prodhuesi kinez i makinave elektrike, Cenntro Automotive dhe SEVIC eMobility me seli në Luksemburg, tha drejtori i Zhvillimit të Biznesit të SEVIC, Emil Yankov për SeeNews. Kompanitë do të ndërtojnë një fabrikë për prodhimin e makinave elektrike në Zonën Ekonomike të Trakias pranë Plovdivit. Planifikohet që në të, do të punësohen 250 deri në 300 punonjës. Investimi do të bëhet brenda një periudhe trevjeçare. Në Bullgari, do të prodhohen 60% e pjesëve për automjetet e vogla, ku do të bëhet edhe montimi i tyre. Disa muaj më parë, CEO-ja i Cenntro Automotive, Peter Wang, tha se ai planifikonte që në një të ardhme të afërt ta shndërronte këtë fabrikë në Bullgari në një qendër rajonale. Automjetet nuk do të jenë për publikun e gjerë, por do të jenë veçanërisht për B2B. Kompanitë investitore janë duke negociuar në këtë drejtim me Domino dhe Ikea në mbarë botën. “Automjetet do të jenë të llojeve të ndryshme, ku disa do të shërbejnë për transportin e mallrave të ftohta, disa për mbledhjen e mbeturinave dhe të tjera për pastrimin e rrugëve”, thotë z. Yankov. Makinat do të jenë 1.9 metra të larta, 3.7 metra të gjata dhe 1.4 metra të gjera dhe mund të mbajnë deri në 500 kilogramë. Në varësi të llojit të baterisë, çmimi varion nga 15,000 deri në 18,000 euro. “Ne jemi duke parë për krijimin e një bashkëpunimi edhe me një kompani lokale dhe pas tre vjetësh do të jemi në gjendje të prodhojmë një produkt, që do të jetë tërësisht i yni”, shprehet z. Yankov. Ai shton se qëllimi i SEVIC eMobility është të gjenerojë vlerë të shtuar, nëpërmjet prodhimit të një makine elektrike. Gjiganti i tregtisë elektronike të Kinës Alibaba është ndër investitorët kryesorë të Cenntro dhe këtë vit do të marrë rreth 20,000 automjete elektrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.