Ngërçi i celularëve

13/04/2015 12:13 PM 0 komente

Rreth dy vite e gjysmë nga ankesat e operatorëve të vegjël për mbylljen e tregut celular dhe rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, AKEP kthehet në pikën 0, pasi ka vendosur shtyrjen sërish të vendimit të rregullimit të tregut, të cilat duhet të zbatoheshin nga 1 janari 2015. Vendimi, i cili parashikonte, qw operatorët duhet të barazonin tarifat dhe minutat e ofertave brenda me jashtë tregut wshtw shtyrw më 1 korrik 2015 për numrat me parapagim dhe 1 janar 2016 për abonentët me kontratë.

Nw tw kundwrt, Autoriteti i Konkurrencws, mw 31 mars 2015, ka vendosur marrjen e masave të përkohshme ndaj Vodafone, e cila ka pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë.

Sipas vendimit “Vodafone Albania sh.a. ndalohet të aplikojë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për sipërmarrësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare

 

Absurdi i AKEP, që nuk zbaton vendimin e vet

Institucionet e pavarura duhet të jenë transparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse për vendimmarrjen e tyre, sidomos në tregjet e rregulluara dhe që kanë peshë të rëndësishme në Produktin e Brendshëm Bruto. Ky nuk është rasti i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i cili e ka zhytur tregun e telefonisë celulare në probleme të rënda të funksionimit dhe cenimit të konkurrencës, duke rrezikuar shkuarjen drejt një duopoli Vodafone-AMC me pasoja shumë të rënda për ekonominë e vendit, abonentët e telefonisë, konkurrencën dhe sistemin bankar, si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë të ndërvarura me tregun celular.

Vendimmarrja e AKEP, pas analizës së tregut që duhet të hynte në fuqi më 1 janar 2015 dhe operatorët duhet të barazonin tarifat dhe minutat e ofertave brenda me jashtë tregut, u shty në mënyrë joligjore deri më 13 mars 2015, kur AKEP vendosi të amendojë vendimet e veta dhe të shtyjë rregullimin më 1 korrik 2015 për numrat me parapagim dhe 1 janar 2016 për abonentët me kontratë.

AKEP ka shqyrtuar ankimimet e operatorëve celularë për vendimin për rregullimin e tregut në tarifat e terminimit dhe mosdiskriminimin on-net vs of-net dhe ka konfirmuar si të sakta gjetjet, konkluzionet dhe masat, pasi operatorët e mëdhenj kanë “kyçur” tregun në dëm të operatorëve të vegjël, duke përkeqësuar konkurrencën që edhe ndërkohë është e kufizuar dhe u konfirmua nga vendimi i fundit i Autoritetit të Konkurrencës i datës 31 mars 2015 për marrjen e masave të përkohshme ndaj Vodafone. Ndërkohë që duhej të dënonte operatorët e mëdhenj për refuzimin e zbatimit të vendimit të vet, që kishte hyrë në fuqi më 1 janar 2015, AKEP, në absurd, merr masa të menjëhershme vetëm për uljen e tarifave për operatorët e vegjël Eagle dhe Plus.

Në këtë mënyrë, sjelljes antikonkurruese të shoqërive të mëdha celulare i bashkohet vendimmarrja e AKEP, duke krijuar një ambient antikonkurrues dhe me kosto të larta për operatorët e vegjël për të mbijetuar në një treg që po shkon drejt duopolit. Axhenda e ngjeshur e Kuvendit me dekriminalizimin ka lënë jashtë vëmendjes analizën e veprimtarisë së punës së AKEP, që duhet thënë se edhe vitin e kaluar veproi për analizën e tregut dhe marrjen e masave rregullatore vetëm pas rezolutave të Kuvendit dhe seancave dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.

Por sjellja e AKEP, në rolin e rregullatorit të tregut, ka qenë më së paku kontradiktore dhe kundër konkurrencës në treg deri në kufijtë e papërgjegjshmërisë në moszbatimin e vendimeve të nxjerra nga vetë AKEP, të cilat mbeteshin në fuqi sa kohë vetë AKEP apo Gjykata nuk kishte vendosur ndryshe.

Kjo për faktin se, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vite e gjysmë që kur është depozituar në AKEP ankesa e parë dhe qëkur Autoriteti i Konkurrencës, pas konstatimit të kufizimit të konkurrencës, vendosi hapjen e procedurave hetimore, AKEP shtyn sërish afatin e zbatimit të vendimeve të tij të marra në nëntor 2014 e që duhet të zbatoheshin nga 1 janari 2015. AKEP, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë efektive për rregullimin e kushteve të tregut për konkurrencë efektive dhe për të zbutur problematikën e bllokimit të tregut, por merr masat absurd dhe në kundërshtim me vetë konkluzionet e veta, duke marrë masa që shkojnë në dobësimin e konkurrentëve të rinj Eagle dhe Plus që, në fakt, janë subjektet e dëmtuara të situatës së bllokuar të funksionimit të tregut celular.

 

Tregu lëngon prej 2.5 vitesh, AKEP shtyn vendimet

Po si është historia e vendimeve të AKEP që arrijnë absurdin me vendimin e fundit nr. 2542, datë 13.03.2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimet e Këshillit Drejtues të AKEP me nr. 2522, 2523, 2524, 2525 dhe 2526, datë 06.11.2014” që shtyn sërish zbatimin e vendimeve të marra nga vetë AKEP dhe pas analizave të stërholluara të tregut të telefonisë celulare?!

Në fund të nëntorit të vitit 2012, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti i Konkurrencës u njohën me ankesën e parë për kufizimin e konkurrencës në tregun celular. Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, me vendimin 261, datë 11.01.2013, vendosi “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e telefonisë celulare me pakicë” për të thelluar hetimet me vendimin 275, datë 25.03.2013 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania SH.A. në tregun e telefonisë celulare me pakicë”.

Me vendimin 303, datë 16.01.2014, Komisioni i Konkurrencës dha rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare kryesisht mbi barazimin e tarifave brenda me jashtë rrjetit, për t’i dhënë fund efektit tribu (club) të operatorit dominant Vodafone dhe për t’i dhënë frymëmarrjen e duhur konkurrencës në treg.

Vendimi 303 i Konkurrencës u mbështet nga Kuvendi nëpërmjet dy rezolutave për AKEP dhe AK dhe kërkuan nga rregullatori AKEP marrjen e masave. AKEP zhvilloi analizën e tregut dhe mori vendimet për rregullimin më 6.11.2014, të cilat do të hynin në fuqi më 1 janar 2015. Sipas vendimit, nga 1 janari nuk lejohej aplikimi i tarifave të ndryshme on-net/off-net për përdoruesit me parapagim dhe me kontratë dhe se moszbatimi i këtij vendimi do të sillte për pasojë vendosjen e gjobave të rënda nga AKEP dhe/ose Autoriteti i Konkurrencës.

 

Alibitë për shtyrjen e zbatimit të vendimit

Ndryshimet në Bordin e AKEP shërbyen si alibi për moszbatimin e vendimit dhe dy kompanitë e mëdha Vodafone dhe AMC, me një shkresë të përbashkët (nr. 2743 prot., datë 22.12.2014) drejtuar institucioneve kryesore të Shqipërisë, kishin kërkuar rishikimin e asimetrisë së tarifës së terminimit në rrjetin PLUS si dhe shtyrjen e afatit të aplikimit të mosdiskriminimit të tarifave on-net/off-net deri më 1.07.2014.

PLUS, me një shkresë (nr. 34 prot., datë 16.01.2015) drejtuar institucioneve kryesore kërkon zbatimin e menjëhershëm të masave rregullatore të vendosura më 6.11.2014 dhe Albtelecom, me një shkresë (nr. 142 prot., datë 21.01.2015) drejtuar institucioneve kryesore kërkon zbatimin e detyrimit të masave rregullatore të vendosura më 6.11.2014 dhe rishikimin e tarifës së terminimit në rrjetin PLUS.

 

Tarifat dhe minutat barazohen më 1 korrik për kartat dhe më 1 janar 2016 për kontratat

AKEP, në vendimin e 13 marsit, vendosi të përcaktojë si afat të fillimit të zbatimit të detyrimeve për mosdiskriminimin në tarifat on-net/off-net, afatet e mëposhtme: data 1.07.2015: për programet tarifore, ofertat, opsionet etj., për përdoruesit me parapagim dhe përdoruesit e rinj me kontratë, përfshirë rinovimet e kontratave ekzistuese që kryhen pas kësaj date; dhe data 1.01.2016: për të gjitha programet e tjera tarifore të aplikuara për përdoruesit aktualë me kontratë (kontrata me programe tarifore standarde dhe të personalizuara/specifike).

Afatet e mësipërme nënkuptojnë që, duke filluar nga data 1.07.2015 nuk lejohet aplikimi i tarifave të ndryshme on-net/off-net për përdoruesit me parapagim, përdoruesit e rinj me kontratë dhe përdoruesit aktualë me kontratë që kryejnë rinovim të kontratës pas datës 1.07.20. Duke filluar nga data 1.01.2016 nuk lejohet aplikimi i tarifave të ndryshme on-net/off-net edhe për përdoruesit me kontrata specifike si dhe përdoruesit aktualë me kontratë. Dy afatet e mësipërme janë të lidhura me datat e reduktimit të tarifës së terminimit në rrjetin PLUS.

Sipas AKEP, secili operator celular ka kohën e mjaftueshme për të kryer ndryshimet e nevojshme dhe për të njoftuar përdoruesit për ndryshimet në tarifa, përfshirë përdoruesit me kontratë.

AKEP do të monitorojë nga afër zhvillimet në tregun celular, tarifat me pakicë, si dhe efektet në trafikun on-net/off-net dhe pagesat neto midis operatorëve, dhe konkurrencën në tregun me pakicë celular, për të gjykuar mbi nevojën e rishikimit të masave të mësipërme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of