Ngërçi i konsumit

19/03/2016 9:29 AM 0 komente

Në tatëpjetën që konsumi vendas ka marrë prej më shumë se pesë vjetësh, qeveria dha shtysën e saj negative në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Shifrat e fundit që pasqyrojnë rrezikun e deflacionit janë pasqyrë e uljes së konsumit, si për shkak të uljes së fuqisë blerëse edhe për shkak të ngërçit të krijuar në shitjet mes prodhuesve dhe tregtarëve të vegjël, të cilët nuk duan të rriten. Në këto kushte kanë filluar të vihen në pikëpyetje qindra vende pune në sipërmarrjet e prodhimit

Nga Albana MUÇAJ

Disa shifra të fundit mbi ekonominë i vënë vulën një fenomeni aspak të këndshëm, ndonëse jo të jashtëzakonshëm: konsumi i ulët është bërë një gangrenë për qeverinë, sipërmarrjet dhe bashkëjeton ngushtësisht veçanërisht me familjet e varfra. Por, që konsumi po qëndron gati në vendnumëro, nuk përbën lajm. Si për faktin se kjo po ndodh edhe në shumë vende europiane, por edhe se prej vitesh, sipërmarrjet vendase raportojnë ecuri të shitjeve gjithnjë e më të ulëta. Kjo shihet te prodhuesit e brumërave, mishit, pijeve joalkoolike, e më keq akoma, industria e perimeve të konservuara. Adi Haxhiymeri, importues i grurit dhe sipërmarrës i Bloja sh.a., dhe fabrikës së makaronave prima, është një prej sipërmarrësve që më shumë se pesë vite raporton shitje në ulje. Por, viti i fundit, duket se është më drastik në uljen e shitjeve. “Vetëm krahasuar me një vit më parë, niveli i konsumit ka rënë rreth 15%. Nuk ka tërheqje nga tregu”, thotë Haxhiymeri. Sikur të mos mungojë ulja e konsumit, importuesit e grurit, të cilët e bluajnë në vend, thonë se po konkurrohen padrejtësisht nga importet nga Serbia. Importuesit pretendojnë se cilësia e mallit të futur nga Serbia është e dobët, e rrjedhimisht me çmim më të ulët. “Mielli nga Serbia dhe vende të tjera fqinje, është jashtë standardit dhe nuk po kontrollohet”, vërejnë tregtarët. Kjo ka thelluar më tej uljen e prodhuesve të miellit. Mes konsumit dhe problemeve të tregtisë, industria e blojës po përballet me një rënie prej 30% të shitjeve krahasuar me vetëm një vit më parë.

Kur rënia e konsumit, ka prekur prodhimet bazë të shqiptarit (si buka e brumëra të tjera), birra apo pije të tjera nuk hanë diskutim. Stefan Pinguli flet për një presion të shtuar në aktivitetin e tij, për shkak të vështirësive që ka për të shitur. Kjo ulje që nuk duket se lidhet tërësisht me kërkesën për konsum, po shfaqet si kambanë alarmi për shkurtimet e vendeve të punës.

Pas kompanive të naftës dhe minierat, edhe sipërmarrje të industrisë ushqimore paralajmërojnë shkurtime të punëtorëve. Haxhiymeri ka 200 të punësuar aktualisht dhe thotë se është i detyruar të mos punojë më me tre turne, duke rrezikuar largimin e disa punëtorëve. Edhe pse nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, me kushtet aktuale të shitjeve thotë se do të duhej të çonte në shtëpi 50 punëtorë, ose një të katërtën e stafit.
Të braktisur në fatin e tyre tashmë për shkak të uljes së konsumit, por edhe problemeve të tjera në treg, e ardhmja duket se varet nga puna e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Sipërmarrësit e blojës e prodhues makaronash po presin, vendimin e këtij autoriteti lidhur me importin e miellit nga veriu. Një vendim i drejtë sipas tyre do të bëjë që efektin negativ të uljes së konsumit ta amortizojnë në normat e tyre të fitimit.

Por nuk është vetëm konsumi

Edhe pse rreziku i largimeve nga puna mbetet po njësoj me uljen e shitjeve të sipërmarrjeve prodhuese, konsumi nuk është e vetmja arsye. Një “thyerje” drastike e tregut të konsumit duket se ka ndodhur pikërisht pas aksionit antiiformalitet i nisur në shtator dhe vendimit të qeverisë për të lehtësuar biznesin e vogël në muajin nëntor. Heqja e taksave dhe vendosja e kufijve të xhiros (edhe pse të rritur) po bën që prodhuesit të gjenden para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë. (Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra një biznes objekt taksash). Kjo është një nga arsyet kryesore që kanë rënë shitjet sipas sipërmarrësit Stefan Pinguli. Duke e konsideruar një hap mbrapa këtë tërheqje të qeverisë, z. Pinguli thotë se industritë prodhuese po vendosen gjithnjë e më shumë para presionit për të shitur pa faturë. Ju do të pyesni, pse ky shqetësim i madh, kur edhe deri dje, sipërmarrjet e vogla tregtare nuk merrnin faturë për mallrat e blera?! Ndryshimi gjendet po ashtu te formalizimi (i drejtë dhe i padiskutueshëm për rëndësinë e tij). Sipërmarrjet e mëdha janë formalizuar plotësisht duke rritur nivelin e deklarimeve, ndërsa kjo nuk reflektohet te partnerët e tyre tregtarë. Duke thelluar hendekun mes prodhuesit e tregtarit, bizneset e vogla zgjedhin më mirë të shesin më pak mall të siguruar pa faturë, se të shtojnë xhiron “de facto” e “de jure”.

Shqetësimin e luftës “së munguar” ndaj informalitetit e hasin edhe sipërmarrje që po rriten. Sipërmarrësi Luan Leka thotë se ka pasur ecuri të mirë uji “Qafë Shtama” duke rritur shitjet me 43% në dy muajt e parë. “Parashikimi është që të rritet 35-40% këtë vit. Do të ketë punësime në prodhim dhe në rrjetin e tregtimit. Tek fabrika e sallamit “EhW”, Leka pret që aktiviteti të rritet rreth 5%. Rrjeti i supermarketeve “Conad” parashikon rritje rreth 8-9%. Dhe pritet hapja e 4 supermarketeve të reja. “Theksoj se një faktor i rëndësishëm që ndikon në performancën e këtyre ndërmarrjeve është qëndrimi i qeverisë ndaj ekonomisë informale, ndaj subjekteve që nuk marrin fatura, që nuk japin kuponët e kasës e që nuk paguajnë taksa. Lufta ndaj ekonomisë informale ndihmon të rritemi ne që paguajmë taksat”, thotë z. Leka. Ai vëren se, në katër muajt e fundit të vitit të kaluar u bë mjaft, por tërheqja që u bë ndaj biznesit të vogël ishte e dëmshme dhe inkurajoi fenomenin e mosmarrjes së faturave për të mos kaluar kufirin e 5 milionë lekëve.

Duhet përmirësuar ambienti ekonomik e social

Arben Malaj, ekonomist

Besoj që situata kërkon një analizë komplekse. Sigurisht që shqetësimi për një situatë deflacioniste duhet parë me kujdes pasi një nga ndikimet negative që deflacioni përcjell në ekonomi janë pritshmëritë. Njerëzit presin të konsumojnë në një kohë të dytë dhe kjo krijon një cikël negativ mbi prodhimin, mbi shërbimet dhe mbi ekonominë. Besoj se nga shifrat, duke i parë me kujdes, kemi rritje të inflacionit te shpenzimet thelbësore dhe të përditshme dhe kemi rënie të çmimeve që nuk lidhen me ekonominë shqiptare. Në këtë këndvështrim, besoj se pasi situata të skanohet, të diskutohet cilat janë masat që vendi të ketë një rritje më të lartë ekonomike, që niveli i inflacionit të jetë në objektivat e Bankës Qendrore, që ekonomia të arrijë objektiva më të mira jo vetëm në rritje dhe në punësim. Në tre instrumentet që ka ekonomia e një vendi, shohim se politika monetare është përdorur, derisa kostoja e parasë është 1.75%. Politika fiskale, tashmë pjesa e taksave apo të ardhurave, është në stanjacion (duhet parë pjesa e shpenzimeve apo investimeve publike) dhe njëkohësisht janë elemente të tjerë të ambientit ekonomik e social që në disa raste nxisin e në disa të tjera krijojnë pritshmëri pasive, duke reduktuar konsumin dhe investimet në ekonomi. Kjo do të ishte pjesa me zhvillimet më të mëdha në investimet publike. Duhet parë mënyra e sjelljes së individit dhe biznesit. Por, nëse ka një tkurrje të investimeve dhe konsumit, cilët janë faktorët kryesorë?! Në këtë pikë, bashkëpunimi mes qeverisë, Bankës Qendrore dhe shoqatave të biznesit është bërë më i shpeshtë dhe duhet bërë produktiv. Nga ana tjetër, duhet parë me kujdes edhe kostoja që politika përcjell në ekonomi.

Duhen reforma strukturore

Adrian Civici, ekonomist

Së pari, duhet të kemi të qartë që kemi të bëjmë me një inflacion mujor që krahasohet me shkurtin e vitit 2015. Nuk është shifër e një inflacioni mesatar me bazë vjetore, i cili sipas parashikimeve afatmesme të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të 2017-s ka tendencë rritje. Gjithsesi vlera 0.2% është alarmuese nga pikëpamja se çfarë po ndodh në tregun shqiptar me nivelin e çmimeve, e cila në njëfarë mënyre nënkupton uljen e fuqisë blerëse ose uljen e kërkesës për mallra në treg. Dhe, në këtë rast, po të shikojmë përtej shifrës prej 0.2% se kush e ka shkaktuar inflacionin, konstatojmë dy fenomene: njëri që nuk varet shumë nga ne dhe ka të bëjë me çmimet e hidrokarbureve, kryesisht të naftës. Por, shqetësuese është treguesi tjetër: ushqimet, sidomos ushqimet bazë, pa pije dhe duhan, si dhe konsumi i veshjeve dhe elementëve të tjerë, kanë pasur kontribut negativ. Kjo tregon se kërkesa vazhdon të ulet dhe nuk bëhet fjalë për kërkesë konsumatore nga individët, por edhe kërkesën prodhuese që lidhet direkt me investimet. Pra, kemi një tendencë, një lloj ftohje të ekonomisë shqiptare dhe gjendje apatike të dinamikës ekonomike. Kjo gjendje e ekonomisë mund të na vërë në diskutim parashikimet që kemi për rritjen ekonomike mbi 3% në 2016-n. Pra, inflacioni i ulët duhet parë si një sinjal shumë i fortë që vjen nga ekonomia reale, që ka të bëjë me uljen e konsumit dhe kërkesës për mallra në treg pavarësisht se çfarë lloji janë. Dhe kjo ndodh në rastin e Shqipërisë nga dy arsye. Së pari, një sasi gjithnjë e më e pakët e mallrave në dispozicion po merret nga konsumatorët. Kjo mund të jetë efekt direkt i shtimit të disa taksave apo formalizimit, por vjen edhe nga një lloj pesimizmi ekonomik, hezitimi për të konsumuar me idenë, “të presim një situatë më të qartë, më të qetë, ku dhe mund të bëhen disa blerje, sidomos blerje të mëdha, pasuri imobiliare, makina”. Ku mund të ndërhyhet për të nxitur konsumin?! Tre janë drejtimet kryesore. Së pari, lehtësimi i politikës monetare, me gjithë se 1.75% është norma më e ulët historike, kemi ndoshta dhe disa mundësi të fundit për ta lehtësuar politikën monetare. Nga ana tjetër, hapësirat për shtim taksash apo rritje të ardhurash duken të pamundura. Ajo që mbetet për t’u shfrytë zuar është ekonomia reale që ka të bëjë me reforma strukturore në ekonomi, me politika të mbështetjes dhe nxitjes së konsumit.

Inflacioni, kujdes, shumica e popullsisë ka parë rritje çmimesh

Selami Xepa, ekonomist

Mendoj se Shqipëria ende nuk mund të konsiderohet me rreziqe shumë të larta të shtuara deflacioniste. Efektivisht, ne vazhdojmë të kemi rritje pozitive të çmimeve. Por, fakti që rritja e çmimeve është më e vogël (duke iu afruar nivelit zero) ka shtuar dyshimet apo skepticizmin lidhur me të ardhmen e çmimeve dhe mundësinë e kalimit në një periudhë deflacioniste. Këto mbeten ende rreziqe hipotetike.

Duhet të kemi parasysh se kjo është një prirje ndërkombëtare. Edhe në Europë ecuria e çmimeve ka qenë negative duke bërë që inflacioni të jetë gjithashtu pranë zeros. Kjo trajektore çmimesh përtej Shqipërisë, ka përfshirë rajonin europian dhe një pjesë të ekonomive të zhvilluara. Por, krahas kontributit që ka dhënë zhvillimi në sektorin e jashtë, po kaq të rëndësishëm janë faktorët e kërkesës së brendshme. Në përgjithësi kemi pasur një dobësi të përgjithshme të kërkesës. Fakti që një pjesë e rëndësishme e likuiditetit të ekonomisë qarkullon brenda sistemit bankar dhe nuk finalizohet në konsum, ka bërë që kërkesa në tërësi të jetë shumë e dobët. Kjo vihet re tek indekset e çmimeve mujore, indekset e shitjeve, aktiviteti më i dobët i tregtisë së jashtme, të gjitha këto tregojnë se kemi një situatë konsumi të dobët.

Disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë janë goditur masivisht. Zhvillimet në sektorin e naftës, në miniera, kanë dhënë efekt negativ si në eksporte dhe punësim, edhe në kontributin në sistemin fiskal. Madje nga periudha e vështirë ekonomike, disa prej tyre po ristrukturojnë aktivitetin.
Ajo çfarë mund të bëhet në kushtet e një periudhe deflacioni (nëse kjo ndodh) është që Shqipëria të imitojë ato politika fiskale që kanë adoptuar vendet e tjera që kanë kaluar në deflacion, Japonia, ka jetuar mbi dhjetë vite në situatë deflacioniste. Por, gjykoj që Shqipëria është në një situatë larg rreziqeve reale. Fakti është që edhe në kontinentin europian, këto rreziqe shumë të shtuara nuk janë materializuar, aq më tepër që struktura e ekonomisë sonë është ende e tillë ku mallrat teknologjike, lëndët e para që bëjnë një burim të rëndësishëm të inflacionit apo deflacionit nuk janë të rëndësishme. Në Shqipëri sjellja e inflacionit përcaktohet nga mallrat e konsumit dhe është përgjithësisht një variabël i kërkesës së brendshme.
Një mënyrë shumë e thjeshtë në rastin tonë meqë kemi një peshë të madhe të inflacionit të importuar është zhvlerësimi monetar. Do të inkurajonte përnjëherë një rritje të ndjeshme të çmimeve. Dhe për rrjedhojë, ekonomia mund të marrë një shok pozitiv. Sidoqoftë, ne kemi probleme serioze si fillim me matjen e inflacionit. Vazhdojmë ta masim me vëzhgime statistikore të kryera shumë vite më parë. Ndërkohë që kostoja e jetesës së qytetarëve ka ndryshuar shumë dhe është shtrenjtuar ndjeshëm. Kjo është dramatike sidomos për shtresat në nevojë. Ne si shoqëri duhet të hapin si fillim një debat a është ky inflacioni që përcakton vërtet gjendjen e çmimeve të përgjithshme në Shqipëri. Pastaj të gjykojmë cilat mund të jenë grupet shoqërore të prekura nga ndërhyrjet e politikave shtetërore. Më shumë inflacion do të godiste grupe në nevojë, shporta e të cilëve është më së shumti nga mallrat ushqimore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përshkrimin e politikave si monetare dhe fiskale. Në kushtet kur ekonomia e një vendi dhe gjendja sociale e tij janë në gjendje të vështirë, diskutohet alternativë e rritjes së pagave. Këtë po vlerësojnë edhe vendet e BE-së si alternativë, në mënyrë që të rriten të ardhurat reale të qytetarëve dhe rrjedhimisht edhe konsumi.

Duke iu rikthyer çështjes së inflacionit, për një vend si i yni me strukturë të ardhurash të ulëta, pesha më e rëndësishme e të ardhurave shkon me mallra konsumi. Për shtresat vulnerabël, pensionistë të papunë, persona me aftësi të kufizuara, shpenzimet për prodhimet ushqimore, marrin më shumë se gjysmën e të ardhurave. Po të shikojmë këto prodhime, si zarzavate-perime janë rritur 20-30%. Këto familje, apo një pensionist, kur dëgjon që inflacioni është ulur dhe shohin çmime të larta, nuk e kuptojnë këtë kontradiktë. Krahas rritjes së çmimeve për ushqimet, edhe ndryshimet e çmimit të qirasë, karburantit, energjisë kanë rritur ndjeshëm peshën. Në muajin shkurt u rrit tarifa e shërbimit të transportit rrugor. Është e rëndësishme të vlerësohen efektet që ka pësuar shtrenjtimi i kostos së qytetarëve ndër vite në rikompozimin e shportës së mallrave.

Duhet qasje e re me fokus punësimin

Elvin Meka, ekonomist

Në 15 vitet e fundit, masa më e madhe e inflacionit ka ardhur nga huaja e re. Ka qenë sistemi bankar që ka stimuluar rritjen e inflacionit. Roli i Bankës së Shqipërisë ka qenë dytësor në mbështetje të rritjes së kërkesës në treg.

Kemi një kombinim jo të mirë të momentit të rritjes së moderuar të huas së re (bankat gjithnjë kanë dhënë hua të re, edhe pse ndonjëherë kemi pasur ulje të stokut) ritmi i saj është i ulët dhe po kombinohet me ulje të çmimeve në botë. Ato, për shumë arsye, nuk varen nga ne. Roli i BSH-së brenda mandatit të saj, nuk mund të shkojë përtej kufizimeve të saj.

Element kyç dhe e vetmja mënyrë për të nxitur konsumin është punësimi. Sa kohë në Shqipëri nuk do të kemi përpjekje të mëdha e të forta për të nxitur masivisht punësimin do të jetë shumë e vështirë të nxisim konsumin. Për fat të keq nuk po e shikojmë. Kjo qasje që kemi në politikat e zhvillimit të punësimit nuk shkon më. Duhet të kemi një qasje të re. Konsumi nga emigracioni, privatizimi, prona, burime natyrore, janë elemente që nuk janë të qëndrueshëm. Shqipëria ka nevojë për një qasje të qëndrueshme që garanton shkallë më të lartë punësimi që do të përkthehet me një hop të ri konsumi. Nëse do të vazhdojmë të ndjekim të njëjtat politika të ndjekura deri më sot sigurisht e ardhmja është e pasigurt, madje mund të gjendemi edhe përballë disa fenomeneve si p.sh. rënia e menjëhershme nga dërgesat e emigrantëve. Duhet të gjejmë rrugë e mënyra të reja për të nxitur konsumin, përtej mekanizmave klasikë, lehtësim monetar, hedhje e parasë në qarkullim, ulje e normës së interesit, apo një rishikim i politikës fiskale. Politika fiskale vlen për efekt afatgjatë. E jep efektin pas 2-3 vitesh.

Aspekti fiskal nuk është në rangun e parë. Më e rëndësishme është lehtësimi i kushteve për të bërë biznes apo një mjedis më të lehtë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of