Bizneset që operojnë në sektorin e energjive të rinovueshme dhe konkretisht asaj fotovoltaike kanë ngritur së fundmi shqetësimin se një ngërç ligjor po i pengon konsumatorët të bëjnë investime. Janë të paktën 21 kompani që në mënyrë zyrtare i kanë drejtuar Minitrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë një kërkesë që lidhet me miratimin e një udhëzimi që do të zgjidhte problemin që haset sot për hedhjen e tepricave të energjisë prodhuar nga impiantet fotovoltaikë nën 500 kwp në rrjet. Sot nëse një biznes instalon për autokonsum një impiant me një kapacitet të caktuar duhet të jetë i kujdesshëm me menaxhimin. Nëse prodhon më shumë sesa konsumon teprica në rrjet nuk i njihet madje mund ti faturohet edhe si konsum.
Këtë cikël vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elekrike e ka të vështirë që ta rakordojë pasi duhet të bëhet matja me dy kahe që nxjerr në fund konsumin nga furnizuesi publik dhe tepricën hedhur në rrjetin e furnizimit. Netoja që rezulton nga këto dy raporte duhet ti paguhet ekstra biznesit nëse ka hedhur më shumë energji në rrjet sesa ka konsumuar ose duhet të paguajë tek OSHEE diferencën nëse ka konsumuar më shumë.
Bizneset që kanë dërguar këtë të premte shkresën në MIE theksojnë se janë në vështirësi pasi kjo jo vetëm po dëmton bizneset që kanë instaluar impiantet që të përfitojnë nga investimi i tyre por nga ana tjetër po bëhet pengesë për investime të tjera serioze në sektor që në fund do të rezultonin në të mirë të gjithë palëve.
Ligji për burimet e rinovueshme të energjisë u miratua në vitin 2017 dhe sipas parahsikimeve ligjore aktet duhet të ishin miratuar deri në shkurt 2018, të paktën për pjesën që lidhet me impiantet e vogla. Kjo nuk ndodhi ndërkohë që më herët ministria deklaroi se po kërkonte zgjidhjen përmes një mekanizmi të thjeshtë që do të caktonte edhe çmimin final që me shumë gjasa do të ishte i njëjtë me çmimin që bizneset blinin energjinë nga OSHEE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.