Pas pak ditësh pritet të ndodhë ngjarja më e rëndësishme e këtij viti për ekonominë kombëtare e që do të këtë ndikim të dukshëm edhe në të ardhmen e saj. Në ditët e para të shtatorit parashikohet të zhvillohet tenderi ndërkombëtar, përmes të cilit do të shitet kompania strategjike e naftës “Albpetrol”. Do të shitet jo vetëm kompania, por bashkë me të edhe të gjitha të drejtat dhe marrëveshjet koncesionare me kompanitë e tjera që nxjerrin naftë në Shqipëri si dhe burimet nëntokësore..
Pas viteve ‘90 janë kryer privatizime strategjike të rëndësishme, si në telekomunikacion apo miniera, por shitja e “Albpetrolit” ka specifikat dhe kontekstet e veta, që lidhen me krizën e rëndë ndërkombëtare e që e bëjnë atë jo vetëm ngjarjen më të rëndësishme të këtij viti, por edhe më tej.
Së pari, përfundimi me sukses i tenderit, prej të cilit do të dalë një blerës është një mesazh i mirë për tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Kriza ndërkombëtare ka strukur investitorët, të cilët presin ditë më të mira. Tërheqja e blerësve për “Albpetrolin” përçon mesazhin se vendi ka klimë dhe mjedis të mirë dhe favorizues për investime të huaja. Kjo është një garë në të gjithë botën dhe Shqipëria nuk ka pse e humbet shansin e saj.
Së dyti, buxheti qeveritar është në vështirësi të dukshme dhe investimet kapitale janë tkurrur ndjeshëm, për shkak të rënies së të ardhurave nga kriza.
Presioni për të mbajtur një borxh të kontrolluar, nën 60% të PPB-së, rrezikon që ky buxhet të jetë pak mbështetës për rritjen ekonomike të këtij viti, që ka filluar tendencën rënëse.
Të ardhurat që mund të vilen nga shitja e “Albpetrolit”, përmes një çmimi të mirë, mund ta mbajnë tehun e investimeve mbi kufirin 5% të PPB-së, aq sa është edhe niveli minimal i poshtëm, në të cilin investimet buxhetore nuk kanë gati asnjë efekt në rritjen ekonomike. Ndaj tenderi i ardhshëm duhet të synojë edhe këtë objektiv.
Së treti, forma dhe formula e shitjes 100% të aksioneve të kompanisë, jo vetëm si licencë apo aset, por me të gjithë të drejtat e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore të naftës, është parë me dyshim në publik dhe vuan nga një transparencë e plotë. Ende ligji i përgatitur për shitjen e kompanisë lë paqartësi, që qeveria ka premtuar se do t’i zgjidhë në fazën negociuese të kontratës, pas përcaktimit të fituesit. Nga ana tjetër opozita ka qenë kategorikisht kundër kësaj forme privatizimi, madje ka dyshuar se kjo formë favorizon korrupsion. Sipas saj pasuritë nëntokësore, të shoqëruara me një hartë të bardhë më burimet reja që mund të zbulohen, nuk mund të shiten por të mbeten pronë e shtetit. Ajo ka pretenduar gjithashtu se nga kjo shitje të ardhurat që do të marrë buxheti i shtetit përmes taksimit në vitet në vijim janë fare të vogla duke kërkuar një tjetër formulë detyrimesh fiskale për blerësin e Albpetrol.
Për këto arsye, privatizimi i “Albpetrolit” është edhe një test i fortë se si qeveria do t’i afrohet pritshmërisë së publikut.
Së fundmi, shitja e një ndërmarrje kaq të rëndësishme si “Albpetroli”, së bashku me pasuritë kombëtare të nëntokës ka edhe aspektin e saj gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Deri më tani, mësohet se në listën e blerësve të huaj, të interesuar për blerjen e “Albpetrolit” janë përfshirë kompani me emër, jo vetëm si sipërmarrje, por edhe për origjinën e vendeve nga vijnë.
Të interesuar janë rusët, kinezët dhe amerikanët, vendet e të cilëve lëvizin shumë fije dhe diktojnë shumë vendime të së ardhmes në arenën botërore. Zgjedhja e fituesit kalon përmes një procesi që mbështetet mbi kritere teknike e financiare, por nuk mohohet se përpara procesit tenderues, influencat gjeopolitike apo parapëlqimet e qeverive të ndikojnë edhe në rezultatin final.
Ato kanë aq fuqi sa të caktojnë edhe ofertën financiare që mund të nxjerrë fituesin e kësaj gare. Në publik ka nisur një diskutim rreth përzgjedhjeve që mund të bëjë indirekt qeveria, pa cenuar procesin ligjor të privatizimit, por ai është ende i vakët dhe jo domosdoshmërisht një objektiv. Gjithsesi është për t’u marrë në konsideratë.
Të gjitha këto arsye e bëjnë shitjen e “Albpetrolit” një ngjarje kaq të rëndësishme për ekonominë dhe nuk kanë pse të mos jenë edhe objektivat që duhen synuar për t’u arritur nga ky privatizim që kërkon më shumë se çdo herë tjetër, kujdesin dhe përgjegjësinë maksimale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.