BE-së i kërkohet të paguajë për të ndërtuar gardhe kufitare që të mbajë jashtë emigrantët. Ajo ngurron, por në fund mund të pajtohet, shkruan The Economist
Bashkimi Europian ka marrë një qëndrim të vendosur në lidhje me ngritjen e gardheve kufitare: nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Edhe pas krizës së emigracionit në Europë në vitet 2015-‘16, kur erdhën 1.4 milionë njerëz, shumë prej të cilëve u arratisën nga lufta civile në Siri, Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e Hungarisë, kur ajo kërkoi rimbursim për ndërtimin e një gardhi kufitar me Serbinë, një nga pikat kryesore të hyrjes në Europë.
Kodi i Kufijve të Shengenit, i cili rregullon menaxhimin e kufijve, si një përgjegjësi e përbashkët midis BE-së dhe shteteve anëtare, nuk e ndalon Komisionin të paguajë për ndërtimin e një gardhi kufitar. Por pikëpamja e përgjithshme në Bruksel është se ato janë të kushtueshme dhe joefektive. Së pari, njerëzit mund të ngjiten. Barriera të tilla më tepër i devijojnë emigrantët, në vend që t’i ndalojnë ata. Dhe u pengojnë refugjatëve të vërtetë të drejtën e azilit. Në vend të kësaj zgjidhjeje, BE-ja ka dërguar roje kufitare dhe paguan për teknologji të lartë vëzhguese.
Por tani, Komisioni mund të ndryshojë mendim. Kjo vjen pasi numri i azilkërkuesve këtë pranverë, për herë të parë është dyfishuar në krahasim me vitin 2020 (kur Covid-19 e bëri të vështirë lëvizjen e njerëzve). Ndërkohë, Bjellorusia po përpiqet me djallëzi të transferojë azilkërkuesit irakianë drejt Lituanisë, Letonisë dhe Polonisë, ndoshta si hakmarrje për sanksionet e BE-së ndaj qeverisë së saj, për manipulimin e zgjedhjeve. Dhe shumë europianë presin që së shpejti të vijnë një numër i madh emigrantësh afganë.
Këtë muaj, 12 shtete anëtare iu drejtuan Komisionit duke kërkuar ndryshime në mënyrën si BE-ja trajton sigurinë kufitare. Ndër të tjera, ata duan edhe që Brukseli të paguajë për ndërtimin e gardheve kufitare. Një pengesë fizike “i shërben interesit të të gjithë BE-së, jo vetëm vendeve anëtare që shërbejnë si porta hyrëse për emigrantët”, argumentohet në kërkesë. Gjëra të tilla, duhet të “financohen në mënyrë të plotë nga buxheti i BE-së si një çështje prioritare”.
Grupi i vendeve që bënë kërkesën, përfshirë Hungarinë, Letoninë, Austrinë, Poloninë dhe Greqinë, udhëhiqej nga Lituania, e cila dëshiron që taksapaguesit e BE-së të mbulojnë 75% të shumës prej 152 milionë eurosh (176 milionë dollarë) për ndërtimin e një gardhi tre metra të lartë, në kufirin me Bjellorusinë. Projekti është planifikuar të përfundojë në shtatorin e ardhshëm.
Këtë verë, “Politico” raportoi se Lituania dhe Greqia kishin kërkuar fonde për ndërtimin e barrierave të tyre. Greqia kërkoi ndihmë për të paguar për një zgjatim të gardhit të saj përgjatë kufirit verilindor me Turqinë, i cili kushtonte 60 milionë euro. Ky është një veprim parandalues, në rast se mbërrijnë emigrantët afganë, dhe “domosdoshmëri” për mbrojtjen e kufirit, tha një zëdhënës grek.
Komisioni nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare. Së fundmi, Presidentja Ursula von der Leyen, e kundërshtoi kërkesën në një samit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel. “Nuk do të ketë financime për muret dhe telat me gjemba”, raportohet se u tha ajo udhëheqësve. Por disa vëzhgues mendojnë se kjo mund të ndryshojë nëse mjaft shtete anëtare vazhdojnë të këmbëngulin.
Komisioni tashmë po merr një qasje më të ashpër ndaj emigracionit. Forca e përbashkët kufitare e BE-së, Frontex, po merr më shumë financim dhe Komisioni ka propozuar edhe krijimin e një institucioni koordinator për dëbimin e personave që nuk kanë të drejtë qëndrimi, ndonëse ky proces është pezulluar për shkak të mosmarrëveshjeve se sa azilkërkues duhet të pranojë çdo vend i BE-së. Komisionerja e BE-së për punët e brendshme, Ylva Johansson, e ka vlerësuar gardhin si një taktikë për të ngadalësuar emigracionin. Në një vizitë të fundit në Lituani, ajo e quajti gardhin kufitar një “ide të mirë”.
Komisionerët e BE-së kanë nxjerrë mësim nga kriza e emigracionit e viteve 2015-‘16, duke konstatuar se pranimi i shumë azilkërkuesve ka kosto politike, thotë Roderick Parkes, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, institut me qendër në Berlin. Ndërtimi i një muri nuk shoqërohet me kosto të tilla.
Vendet europiane kanë ndërtuar rreth 1000 km (600 milje) gardhe kufitare gjatë 30 viteve të fundit, ku pjesa më e madhe e tyre kanë nisur që në vitin 2015. Sot, më shumë se gjysma e të gjitha shteteve të BE-së kanë njëfarë pengese fizike të jashtme. Ndërsa rrethimi kufitar po normalizohet, do të jetë më e vështirë për Komisionin që të refuzojë financimin e tij, thotë zoti Parkes.
Shtetet anëtare do të argumentojnë se barrierat fizike janë tashmë pjesë e mbrojtjes rutinë të kufirit dhe BE-ja ndan përgjegjësinë për t’i financuar ato. Dhe nëse BE-ja nuk do të paguajë, disa shtete kanë gjetur mënyra të tjera për të ndërtuar gardhe, pa i ngarkuar të gjitha shpenzimet mbi taksapaguesit e tyre. Lituania, për shembull, nuk do të paguajë e vetme për barrierën e saj kufitare. Republika Çeke është zotuar t’i dërgojë vendit 530,000 euro për të përshpejtuar punën. / Përktheu Lira Muça